Konsensusi i forcave politike ka rikthyer diskutimin mbi miratimin e projektligjit “Për gjykatat administrative”. Çfarë parashikon projekti, kontestimi i biznesit dhe proceset te tatimet
Dhe vjen një ditë që biznesi nuk do të rendë më me vite pas dyerve të gjykatave të shkallëve të ndryshme për të fituar të drejtën që i takon.
Gati dy vjet nga hartimi i projektit, i cili mbeti peng i politikës, tashmë palët kanë nisur ta miratojnë atë, me disa ndryshime, duke pranuar edhe argumentet e paraqitura nga biznesi, i cili kundërshton disa pjesë të draftit.
Projekti ka gati 55 nene dhe Komisioni i Ligjeve ka miratuar katër të parat, por debati konkret ende nuk ka nisur.
Sakaq, “Monitor” ka mundur të zbardhë vërejtjet dhe sugjerimet e aktorëve kryesorë në treg, si nga biznesi ashtu dhe nga ekspertët e fushës, nga ku paraprakisht mendohet se miratimi final kërkon kohë, deri sa palët të gjejnë “formulën” e duhur.
Projekti parashikon çdo veprim sesi duhet të veprojë biznesi, por jo vetëm kjo kategori, madje dhe vetë individi. Gjykata administrative do të përbëhet nga juristë të fushës, që janë marrë me çështje të karakterit ekonomik dhe administrativ.
Të paktën këtë e thotë ligji, ndërsa bizneset shprehin dyshimet e para. Tjetër fakt i rëndësishëm është shkurtimi i afateve dhe zbatimi i vendimeve gjyqësore.
Kompetencat dhe gjyqtarët
Një ndër diskutimet kryesore dhe meraku i biznesit lidhet me përvojën e gjykatësit që do të trajtojë çështje administrative, duhet të njohë mirë fushën ekonomike, ligjet fiskale, etj. Për këtë qëllim, forma e rekrutimit shihet me rëndësi nga palët.
Neni 5 i projektligjit thotë ndër të tjera se, “përvoja e gjyqtarit, në gjykatën administrative të shkallës së parë apo në administratën shtetërore përbën përparësi të kandidatit në emërimin e tij gjyqtar në gjykatën e administrative të apelit”.
Megjithatë, rregulla më të hollësishme për kriterin e përparësisë së përvojës përcaktohen me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Vendimet do të merren nga një grup, juri gjykatësish nga 3 deri në 5 anëtarë, por sugjerimet e juristëve janë për vendosjen e vetëm një gjykatësi, në varësi të peshës së çështjes (p,.sh, në rast se ankimi administrativ lidhet me një çështje që vlen 20 milionë e më pak lekë etj.).
Sa i takon rolit, konkretisht themi se, Gjykata Administrative (GJA) është kompetente për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve, që lidhen me një veprim administrativ,
pavarësisht nga forma dhe lloji i tij; marrëdhëniet e punës të rregulluara nga Kodi i Punës, në të cilat punëdhënësi është një organ publik; një akt nënligjor normativ të organeve qendrore apo organeve të njësive të qeverisjes vendore.
Pra gjykata nuk do të merret detyrimisht vetëm me ankesat e bizneseve, por edhe të individëve që mendojnë se gjoba apo penaliteti i vendosur si në transport rrugor, apo largimi nga puna, konsiderohet i padrejtë.
Duhet sqaruar se, gjykata nuk shqyrton mosmarrëveshjet, të cilat lidhen me aktet nënligjore normative, që, sipas Kushtetutës, janë në kompetencën e Gjykatës Kushtetuese; janë kompetencë e një gjykate tjetër; apo sipas të cilave punëdhënësi barazohet me organin publik, sipas përkufizimit të dhënë në pikën 1, të nenit 3 të këtij ligji.
E drejta për t’u ankuar dhe afatet
Në nenin 13 përcaktohet se, të drejtën e ngritjes së padisë e ka çdo subjekt, që pretendon se i është cenuar një e drejtë apo një interes i ligjshëm nga një veprim administrativ, por edhe organi shtetëror i pushtetit ekzekutiv,
që pretendon se është cenuar në ushtrimin e kompetencave nga një akt administrativ apo nga një akt nënligjor normativ i paligjshëm, i një organi publik, me të cilin nuk ka lidhje varësie hierarkike.
Në këtë rast, organi shtetëror mund të kërkojë vetëm shfuqizimin e aktit. “Të ankohet ka të drejtë edhe punëmarrësi, për mosmarrëveshjet në fushën e marrëdhënieve të punës, kur punëdhënës është një organ publik, apo çdo shoqatë apo grup interesi që pretendon se është cenuar një interes i ligjshëm publik nga një akt administrativ apo normativ, kur një e drejtë e tillë ju njihet me ligj”, thuhet në projektin që po diskutohet aktualisht nga Parlamenti.
Padia kundër veprimit administrativ paraqitet në gjykatë brenda 45 ditëve. Ky afat kundërshtohet nga bizneset, të cilat japin argumentet pse duhet rishikuar (lexo qëndrimet e “BiznesAlbania” dhe Shoqatës së Ndërtuesve).
Në projektligj thuhet se, afati 45-ditor nis nga data e njoftimit, të aktit administrativ të organit, që ka shqyrtuar ankimin administrativ; data e njoftimit, në rastet kur ky akt ankimohet drejtpërdrejt në gjykatë;
data e botimit të aktit administrativ, në rastet kur ligji parashikon detyrimin për botimin e aktit; data e mbarimit të afatit ligjor për kryerjen e veprimit administrativ, në rastet e mosveprimit të organit administrativ,
kur akti administrativ ankimohet drejtpërdrejt në gjykatë; apo nga data e mbarimit të afatit ligjor për zgjidhjen e ankimit administrativ në rastet e mosveprimit të organit më të lartë administrativ.
Afati i mësipërm është 90 ditë, në rastet kur akti administrativ nuk tregon qartë për të drejtën dhe afatin e padisë.
Padia kundër aktit nënligjor normativ paraqitet në gjykatë, brenda 45 ditëve nga cenimi i së drejtës ose i interesit të ligjshëm,
por gjithsesi jo më vonë se tre vjet nga data e nxjerrjes së aktit. Duhet të kihet parasysh kushti se, afatet e mësipërme janë të prera dhe shkelja e tyre shkakton humbjen e së drejtës së padisë dhe se këto afate shqyrtohen nga gjykata edhe kryesisht.
Hapat e paraqitjes së padisë
Paditësi, përveç aktit administrativ, që kundërshton, nuk ka detyrim t’i bashkëlidhë padisë akte provuese, por, nëse i paraqet ato, duhet të paraqesë edhe kopje të tyre për të paditurin.
Paditësi është i detyruar të identifikojë saktë veprimin administrativ, që kundërshton, sikurse duhet të paraqesë listën e personave, që kërkon të thirren në gjykim, me cilësinë e ekspertit apo të dëshmitarit, duke përcaktuar saktë edhe adresën e tyre.
Në rast të kundërt, i bën të papranueshme pretendimet për pavlefshmërinë e njoftimit.
Për zhvillimin e gjykimit sipas parimit të një procesi të rregullt gjyqësor dhe brenda afateve, të shpejta e të arsyeshme, gjyqtari kryesues, brenda 7 ditëve nga data e paraqitjes së padisë, kryen disa veprime që lidhen direkt me paditësin.
I kërkon paditësit plotësimin e të metave të padisë, duke i caktuar atij një afat, deri në shtatë ditë. Kur paditësi nuk plotëson të metat e padisë, brenda afatit të caktuar, gjyqtari jep vendim për kthimin e padisë dhe të akteve,
që i bashkëlidhen asaj. Kundër këtij vendimi lejohet ankim i veçantë. Gjykatësi i njofton të paditurit padinë dhe aktet shoqëruese të saj, duke i caktuar atij një afat, deri në shtatë ditë nga data e marrjes së këtij njoftimi,
për depozitimin në sekretari të prapësimeve me shkrim, të listës së personave, që i padituri kërkon të thirren në gjykim, me cilësinë e dëshmitarit apo të ekspertit, dhe adresat e tyre,
si dhe të akteve të plota shkresore, në të cilat janë bazuar kryerja e veprimit administrativ dhe shqyrtimi i ankimit administrativ.
Në rastin e padisë me të meta, gjyqtari e dërgon këtë njoftim për të paditurin, në datën e plotësimit të të metave nga paditësi.
“Cakton një ose më shumë ekspertë, nga listat e gjykatës për këtë qëllim, nëse për zgjidhjen e çështjes gjyqtari çmon se ka nevojë për njohuri të posaçme,
duke e njoftuar ekspertin, me shkrim, për objektin e çështjes dhe detyrat. Ky ekspert ka të drejtë të njihet me aktet e çështjes dhe nuk mund të refuzojë, pa shkak të ligjshëm, detyrën e caktuar”,
sqarohet në njërën pikë të projektligjit, si hap i rëndësishëm para nisjes së procesit.
Mosparaqitja e palëve në veprime përgatitore nuk përbën shkak për pushimin e gjykimit të çështjes, edhe kur ata janë thirrur dhe njoftuar rregullisht.
Kjo pikë konsiderohet aktualisht tepër e debatueshme nga forcat politike, sidomos nga PS-ja, e cila sugjeron, ndër të tjera edhe paraqitjen e shkresave, në mënyrë që palët të kursejnë kohën. Për këtë pjesë, diskutimet vijojnë ende.
Nisja e seancave gjyqësore
Gjyqtari, në përfundim të veprimeve përgatitore dhe jo më vonë se 20 ditë nga data e paraqitjes së padisë, nxjerr urdhrin për caktimin e seancës gjyqësore.
Në rastin e padisë me të meta, ky afat është jo më vonë se 7 ditë nga data e plotësimit të të metave.
Njoftimi drejtuar palëve duhet të përmbajë paralajmërimin, që mosparaqitja e provave përpara seancës së parë gjyqësore shkakton mospranimin e tyre.
Njoftimi drejtuar ekspertëve të caktuar nga gjyqtari duhet të përmbajë detyrimin e ekspertit, për të paraqitur aktin e ekspertimit, me shkrim, pesë ditë përpara seancës gjyqësore.
Shqyrtimi i çështjes nga gjykata në seancë gjyqësore bëhet me shkrim, por palët mund të kërkojnë të parashtrojnë, me gojë, shpjegimet e tyre.
Në këtë rast gjykata udhëzon palët që të citojnë vetëm çështjet faktike dhe ligjore që sipas opinionit të saj janë të rëndësishme për dhënien e vendimit, edhe nëse ato nuk ishin referuar në kërkesëpadinë e paraqitur në parë.
Eksperti i kërkuar nga palët paraqitet në seancën gjyqësore për të shpjeguar me gojë njohuritë e tij të posaçme për natyrën e mosmarrëveshjes si dhe i përgjigjet pyetjeve të bëra nga palët dhe gjykata.
Për të ndihmuar kujtesën, eksperti mund të lexojë dokumentet e hartuara prej tij. Në raste të veçanta dhe të ndërlikuara, gjykata mund të vendosë që eksperti të paraqesë, me shkrim, shpjegimet e tij, brenda një afati jo më të gjatë se 10 ditë.
Në rast se gjykata ka caktuar afat për paraqitjen e pretendimeve përfundimtare me shkrim të palëve, mosparaqitja me shkrim e tyre brenda afatit të caktuar, nuk përbën shkak për shtyrjen e shqyrtimit gjyqësor.
Barra e provës i takon shtetit
Organi publik ka detyrimin të provojë ligjshmërinë e aktit administrativ dhe të veprimit tjetër administrativ, të nxjerrë jo me kërkesë të paditësit.
Në rastet e tjera, pala ka detyrimin të provojë faktet, në të cilat bazon pretendimin e saj. Por edhe në këto raste, gjykata mund të vendosë kalimin e barrës së provës tek organi publik,
kur ka dyshime që vërteton se organi publik fsheh apo nuk paraqet me dashje fakte dhe prova të rëndësishme për zgjidhjen e mosmarrëveshjes.
Shkelja e pajustifikuar e detyrimit për të paraqitur dokumentet nga organi publik edhe brenda afatit të dytë të caktuar përbën shkak që gjykata me kërkesë të palës, ose kryesisht të caktojë gjobë ndaj titullarit të organit publik.
Masa e gjobës është e barabartë me 20% të pagës minimale në shkallë vendi, për çdo ditë vonese.
Vendimet përfundimtare të gjykatës
Gjykata në vendimin e saj përfundimtar të pranimit, tërësor ose të pjesshëm të padisë, vendos shfuqizimin tërësisht apo pjesërisht të aktit administrativ,
ndryshimin, pjesërisht apo tërësisht, të aktit administrativ apo detyrimin e organit publik për të ndryshuar një akt administrativ,
apo dhe detyrimin e organit publik për të kryer një veprim administrativ, që është refuzuar, apo për të cilin organi publik ka heshtur, ndonëse ka pasur kërkesë, thuhet në nenin 37 të projektligjit.
Në vendimin e saj, konstaton të paligjshëm veprimin administrativ që nuk prodhon më pasoja juridike, nëse paditësi ka një interes të arsyeshëm për këtë, saktësimin e të drejtave dhe të detyrimeve,
ndërmjet paditësit dhe organit publik, e deri në shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor.
Gjykata vendos rrëzimin e padisë, kur vlerëson se veprimi administrativ apo akti nënligjor normativ është i ligjshëm dhe i themeltë,
sikurse edhe në rastet se, pavarësisht shkeljeve procedurale të konstatuara të veprimtarisë administrative, pasojat do të ishin të njëjta.
Në projektligj janë përcaktuar edhe rastet e vendimit jopërfundimtar nga ana e gjykatës, konkretisht kur nuk pranon padinë dhe pushon gjykimin.
“Gjykata vendos mospranimin e padisë, kur padia nuk plotëson kushtet formale të paraqitjes së saj. Ky vendim jepet derisa nuk është dhënë vendimi i ndërmjetëm, për shqyrtimin e provave”, thuhet në pikën 2 të nenit 36.
Ankimi në Gjykatën Administrative të Apelit
Gjykata, ku është paraqitur ankimi, dërgon ankimin, së bashku me aktet, që i bashkëlidhen atij, në Gjykatën Administrative të Apelit,
brenda 15 ditëve nga data e depozitimit të ankimit. Gjykata Administrative e Apelit shqyrton çështjen, brenda 30 ditëve nga data e ardhjes së ankimit nga gjykata, ku është paraqitur ankimi.
Përveçse kur parashikohet ndryshe në këtë ligj, ankimohen me rekurs, në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile,
në Gjykatën e Lartë vendimet e shpallura nga Gjykata e Apelit Administrativ. Gjykata, ku është paraqitur ankimi, dërgon rekursin,
në Gjykatën e Lartë së bashku me aktet, që i bashkëlidhen atij, brenda 15 ditëve nga data e depozitimit të rekursit.
Urdhri i ekzekutimit lëshohet nga gjykata në dhomë këshillimi, brenda pesë ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës në gjykatë. Në këtë urdhër, gjykata cakton afatin dhe mënyrën e ekzekutimit.
Ky afat nuk mund të jetë më i gjatë se dhjetë ditë nga data e lëshimit të urdhrit. Në raste të veçanta dhe të ndërlikuara, gjykata mund të caktojë një afat më të gjatë, duke motivuar shkaqet.
Afati për ekzekutimin e sigurimit të padisë nuk mund të jetë më i gjatë se pesë ditë nga data e lëshimit të urdhrit. Procedura e ekzekutimit, sipas këtij ligji, nuk i nënshtrohet asnjë tarife shërbimesh.
2011-a
Biznesi, 7 mijë apelime te Tatimet,
gjysma e gjyqeve janë të fituara
Për të kuptuar rëndësinë që ka funksionimi i gjykatës administrative, mjafton të shikojmë të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave mbi nivelin e ankesave dhe apelimet që paraqet biznesi ndaj vendimeve të ndryshme.
Edhe pse janë të dhëna konfidenciale, “Monitor” ka mundur të zbulojë një pjesë thelbësore të tyre.
Në vitin 2011, pranë Drejtorisë së Tatimeve, janë paraqitur rreth 7 mijë apelime të biznesit ndaj vendimeve të ndryshme që administrata ka ndërmarrë, por privati i konsideron të padrejta.
Nga këto apelime, afro 5 për qind janë praktika të parregullta të tatimpaguesit, ndërsa vlera në total e këtyre ankesave është rreth 70 milionë euro.
Megjithatë, biznesi has vështirësi që në fillim të ankesës, pasi gati gjysma e tyre revokohen, si të pabazuara në legjislacion dhe me parregullsi te Tatimet.
Por çfarë ndodh me vendimet e gjykatave?
Në vitin 2011, administrata tatimore është përballuar me 900 çështje gjyqësore, ku gati 21 për qind kanë dalë në favor të tatimpaguesit,
18 për qind në favor të tatimeve dhe pjesa e mbetur prej 61 përqindësh janë ende në proces gjykimi.
“BiznesAlbania” dhe Ndërtuesit:
Si e duam ne gjykatën administrative
1. Në lidhje me numrin e gjykatave të Shkallës së Parë dhe të gjykatave të Apelit
Opinioni ynë është që duhet të krijohen 12 gjykata administrative të shkalës së parë, pra një gjykatë për çdo qark, kurse për numrin e gjykatave të Apelit mendojmë se duhet të jenë 3 dhe konkretisht në Shkodër,
Tiranë dhe Vlorë, dhe të mbulojnë rajonet përreth. Shtimi i gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Apelit (qeveria parashikon 6 dhe 1 përkatësisht),
shikohet si mundësi e mirë për subjektet që të mos kenë kosto shtesë dhe operim efecient të gjyqësorit.
2. Në lidhje me normat procedurale në funksion të gjykimit
Norma procedurale që do të zbatohet nga gjykata administrative, mendojmë se duhet të jetë përafërsisht e njëjta me normat procedurale të parashikuara në Kodin e Procedurës civile, pasi shumica e gjyqtarëve
dhe avokatëve është familjarizuar me to.
3. Kriteret e emërimit
Përveç kritereve të vendosur në projektligj, duhen shtuar edhe këto kushte: a) vjetërsia e tij e punës në një seksion administrativ, b) rezultatet e gjykimit, pra përqindja e lënies në fuqi të vendimit të gjyqtarit nga gjykatat më të larta.
Është e nevojshme që Shkolla e lartë e Magjistraturës, në programin e saj të edukimit fillestar për kandidatët të zhvillojë kutikula të reja për një numër të caktuar gjyqtarësh.
Në lidhje me marrjen e gjyqtarëve jashtë sistemit gjyqësor, jemi të mendimit se kjo kategori nuk duhet të jetë më shumë se 20%.
4. Procedurat për ekzekutimin e vendimit
Mendojmë se duhet të hiqet kërkesa për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit nga gjykata administrative, pasi përbën një procedurë dhe një hallkë burokratike e panevojshme që zgjat artificialisht kohën e ekzekutimit
dhe rrit shpenzimet gjyqësore.
5. Krijimi i Kolegjit Administrativ në Gjykatën e Lartë
Jemi dakord me krijimin e një kolegji të tillë, por nga ana tjetër duhet të shoqërohet edhe me shtimin e numrit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, në mënyrë që të mos rritet ngarkesa e kolegjeve të tjera.
Mendojmë që numri nga 17, të shkojë në 21 anëtarë.
6. Afati 45-ditor
Ky afat, për ngritjen e padisë të bëhet të bëhet 30 ditë, për ta përshtatur me ligjet e ndryshme që rregullojnë veprimtarinë e organeve të ndryshme administrative.
Komentet janë hartuar nga studio ligjore “Beqiraj & Partners”
Konfindustria, Gjergj Buxhuku:
Pikat ku duhet rishikuar drafti,
kujdes rekrutimet dhe jurinë
Konfindustria i ka paraqitur Kuvendit të Shqipërisë kërkesat e mëposhtme për përmirësimin e draftit të Projektligjit për Gjykatat Administrative:
1 – Ndërhyrje në ligjin e funksionimit të Gjykatës së Lartë me qëllim krijimin e një Kolegji Administrativ në Gjykatën e Lartë
2 – Shkurtimin kohor të procedurave të gjykimit në administrativ në Gjykatën e Lartë,
3 – Zgjatjen e afateve të përcaktuara me ngritjen e padisë, etj., që përsëri kërkojnë miratim me shumicë të cilësuar votash në Kuvendin e Shqipërisë.
4- Konfindustria vlerëson domosdoshmërinë e rekrutimit në masën fillestare deri në 30% si gjyqtarë administrativë të ekspertëve të caktuar sipas fushave të së drejtës administrative (kontabilistë, financierë, inxhinierë, etj.),
me qëllim rritjen e cilësisë së gjykimit, shpejtësisë dhe sipas shembullit të vendeve të zhvilluara demokratike të BE-së.
5 – Me qëllim bërjen të mundur të fillimit të funksionimit sa më të shpejtë të Gjykatës Administrativ dhe duke pasur parasysh koston financiare në kushtet edhe të një buxheti të shtrënguar.
Konfindustria kërkoi që të fillohet me modelin e 6 Gjykatave të Shkallës së Parë dhe 1 Gjykatë Apeli dhe pas vlerësimit të volumit të punës në vitin e parë, si dhe sigurimin e buxhetit të nevojshëm,
të parashikohet në ligj krijimi i 12 gjykatave të Shkallës së Parë dhe 3 gjykatave të Apelit sikurse është propozimi i opozitës.
6- Konfindustria vlerëson se përbërja e trupave gjykues me 1 ose 3 anëtarë të jetë, pavarësisht vlerës së shumës monetare të pretenduar në padinë administrative.
Mbi një prag të caktuar të padisë së pretenduar p.sh 10 milionë lekë të kalohet në trup gjykues me 3 anëtarë, sikurse të kërkohet dhe trupa me 3 anëtarë për të gjitha aktet administrative,
që kanë lidhje me vlerësimin e ligjshmërisë së aktit administrativ pa vlerë të pretenduar.
Agim Binaj, ekspert fiskal, ish-anëtar i Komisionit të Apelit në Ministrinë e Financave
Biznesi, në tërësi është vënë nën çadrën e politikës dhe në shërbim të saj, ndërkohë që ekspertët e fushës mendojnë se duhet të jetë e kundërta,
“kërkohet që politika të marrë referencat bazë nga biznesi dhe specialistët e fushës së biznesit, kontabilistët, ekspertët kontabël, etj.”.
Për këtë arsye dhe në pozicionimin e rastit të gjykatës administrative, do të kërkohet një profil dhe figurë e re biznesmenësh, të cilët në përmbajtjen dhe veprimtarinë e tyre t’i përgjigjen stadit dhe problemeve të reja,
me të cilat po përballen bizneset jo vetëm brenda Shqipërisë, por dhe vendet fqinje, si Kosova, Maqedonia e më gjerë. Aktualisht zvarritja prej rreth tre vjetësh e mosmiratimit të ligjit për Gjykatën i ka sjellë kosto shtesë biznesit prej 400 milionë eurosh,
shifër kjo e deklaruar nga vetë zv.ministri i Ekonomisë, Eno Bozdo. Është fakt se Drejtoria e Apelimit pranë Tatimeve sado profesionale të jetë, nuk mund të zgjidhë dhe të gjykojë me drejtësi,
pasi nuk është institucion i pavarur, por ndodhet brenda strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Në këto kushte ajo nuk mund të mbrojë interesat e biznesit.
Nga ana tjetër, në bazë të projektligjit për Gjykatën Administrative, kjo gjykatë përfshin një spektër më të gjerë në gjykimin e çështjeve administrative;
jo vetëm çështje që lidhen me administratën tatimore, por dhe gjobat e Policisë së Shtetit si dhe konfliktet midis bizneseve njëri me tjetrin për detyrime reciproke, probleme të deklarimit të pasurive, etj.
E thënë ndryshe, do të jetë një lloj arbitrazhi, i cili vendoset në mes për të gjykuar të gjitha ankesat ndaj administratës së shtetit, pavarësisht se të çfarë natyre janë.
Për më tepër në këto gjykata do të shqyrtohet dhe saktësia e informacionit kontabël të bilanceve dhe të pasqyrave financiare për çdo rast denoncimi nga Kontrolli i Kartë i Shtetit apo autoriteti i deklarimit të pasurive.
Sot, nga Drejtoria e Apelimit Tatimor, në disa raste lihen në fuqi akte administrative të administratës tatimore me detyrime, që i kanë kaluar pse jo
edhe pesë vjet dhe argumentimet e tyre janë të karakterit banal ose lihen në fuqi vendime të administratës tatimore.
Gjykata administrative që kërkojmë me këmbëngulje ta krijojmë, do të ketë më pak punë dhe biznesi natyrisht më pak kosto në shërbimet ndaj tij.
Bizneset e pranishme në takim parashtruan kërkesat e tyre, të bëra publike me kohë.
Platforma e opozitës:
Partner me biznesin për të ardhur në pushtet
Partia Socialiste prezanton platformën e saj, pjesë e programit “Për një Rilindje Shqiptare”, në një tryezë me biznesit, ku u prekën fushat kryesore që shqetësojnë sipërmarrjen private.
Të ndara në pika, kreu i opozitës e nis nga politika fiskale, e cila sipas tij ka ndryshuar 65 herë, por nuk ka sjellë zhvillim për privatin.
“Ndryshimet ligjore që ne do propozojmë, do hartohen përmes diskutimeve serioze dhe realiste bashkë me komunitetin e sipërmarrësve si palë e interesuar.
Asnjë ligj fiskal nuk do ketë efekt të menjëhershëm pa i lënë kohë biznesit të përgatitet”, u shpreh kreu i opozitës Edi Rama, i cili disa herë në takim theksonte faktin se, parësore për të do të jetë partneriteti me biznesin kur të jetë në krye të qeverisjes.
Të ndarë sipas fushave, për turizmin, kreu i opozitës tha se, është i zhvilluar në mënyrë spontane dhe me dëme, kurse për pronat shtoi se, ka qenë peng i politikës në 20 vjet dhe se shumë shpejt do t’i japë zgjidhje.
Për bujqësinë, objektivi i opozitës është të ngrihet një rrjet kombëtar i produkteve bujqësore. “Zhvillimi modern rural kundër braktisjes së fshatit në gjendje primitive është pjesë themelore për të rimëkëmbur ekonominë.
Menaxhimi dhe mbrojtja e burimeve natyrore janë pjesë e pandashme e programit tone,” tha Rama.
Pronat janë një tjetër çështje që do t’u jepet zgjidhje përfundimtare. Ky ngërç, sipas Ramës ka mbetur peng i politikës për 20 vite.
“Ne kemi marrë angazhim solemn për t’i dhënë zgjidhje pronës, është përgjegjësi 20 vjeçare që mbetet mbi shpatullat e politikës si një përgjegjësi gjithmonë e më e rëndë dhe pasoja të rënda.
Ne besojmë se është e paanashkalueshme rruga e komunikimit me botën e sipërmarrjes dhe diskutimit të drejtpëdrejtë me të për këtë çështje.”
Të gjitha problemet që shqetësojnë ekonominë shqiptare do të marrin rrugë përmes një plani kombëtar zhvillimi të ekonomisë që të mund ti japë biznesit një gamë të gjerë zgjedhjeje.
“Hartimi dhe miratimi i një plani kombëtar zhvillimi është detyra jonë e parë dhe hartimi i planit dhe një kadastër do t’i japë mundësi sipërmarrjes të ketë një gamë të gjerë zgjedhjesh,” tha Rama.
“Unë personalisht dhe gjithë PS do të angazhohemi për të garantuar konkurrencën e lirë dhe të ndershme, për të garantuar që secili të përfitojë nëpërmjet konkurrencës duke u bazuar tek merita e tij
dhe ne jemi të vendosur që këtë parim ta mbështesim në krijimin e një administrate publike që të bazohet në meritë dhe standarte europiane duke e ndarë nga nepotizmi dhe klientelizmi,” deklaroi kreu i PS-së.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.