Gjykata zvicerane kërkoi 28 muaj burg për presidentin e BeIN Media dhe PSG, Nasser Al-Khelaïfi, si dhe tre vjet për ish-numrin 2 të FIFA-s, Jérôme Valcke, në një proces gjyqësor për të drejtat televizive.
Al-Khelaifi është nën hetim si president i transmetuesit BeIN Media Group. Së bashku me të dhe ish-sekretarin e Federatës Botërore të Futbollit, është nën hetim edhe Dinos Deris, drejtues marketingu, me kombësi greke.
Ministria Publike e Konfederatës, MPC, e akuzon Valcke për korrupsion pasiv, shkelje të përsëritura në administrim dhe falsifikim të dokumenteve. Në anën tjetër, Deris akuzohet për korrupsion aktiv.
Nga hetimi rezultoi se Valcke ka përfituar avantazhe në mënyrë të padrejtë nga të dy të pandehurit e tjerë. Në fakt, Valcke iu kthye një borxh prej rreth 500 mijë eurosh të paguara prej tij palëve të treta për një vilë në Sardenjë, pasi Al-Khelaifi e kish blerë atë në vend të Valcke nëpërmjet një shoqërie, 5 milionë euro.
Valcke mori më pas nga Al-Khelaifi të drejtën ekskluzive të përdorimit të vilës për një periudhë 18-mujore – deri në pezullimin e tij nga FIFA – pa pasur nevojë të paguajë një qira, e vlerësuar mes 900 mijë deri në 1.8 milionë euro. Nga i pandehuri i tretë, Al-Khelaifi, Valcke mori tre pagesa për një vlerë totale prej 1,25 milionë eurosh, të derdhura në kompaninë e tij Sportunited S.r.l
Sa i përket Al-Khelaifi, shkruan Le Progres, prokurori i Ministrisë Publike të Konfederatës (MPC) foli për një njeri që nuk ka reshtur kurrë “së treguari përbuzje ndaj rregullave etike të futbollit dhe institucioneve gjyqësore zvicerane”.
Ndërkohë, presidenti i PSG Nasser Al Khelaifi e mohoi të ketë blerë vilë luksoze për zyrtarin e FIFA-s në skandalin e të drejtave televizive.