Galeria e artit në Firence të Italisë ka kërkuar kthimin e një vepre arti të vjedhur nga ushtarët nazistë në vitin 1944, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Piktura e njohur me emrin “Vazo me Lule” e pikturuar në shekullin e 18-të nga artisti hollandez Jan van Huysum dhe që u ekspozua për herë të parë në vitin 1824, fatkeqësisht u vodh nga ushtarët gjermane gjatë periudhës së luftës.
Eike Schmidt, drejtor i Galerive Uffizi në Firence, në një postim në faqen zyrtare online të galerisë, shkroi se ky vit i ri që sapo ka hyrë mund të jetë edhe ai i duhuri që kjo pikturë t’i rikthehet shtetit Italian dhe në këtë drejtim mund të ndërhyjë edhe qeveria gjermane, por kjo e fundit ka deklaruar se nuk mund të ndërhyjë duke qenë se këto janë krime të luftës dhe të kryera dekada më parë.
“Kjo mënyrë veprimi është edhe ajo që ende edhe sot e kësaj dite nuk të krijon mundësinë për të mbyllur disa prej plagëve të terrorit nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore”, vazhdoi më tej Z. Schmidt.
Aktualisht, piktura e van Huysum është në duart e një familjeje gjermane, e cila e konsideron veten pronare të saj dhe nuk ka pranuar asnjë prej ftesave të qeverisë italiane për të shkuar dhe për të vizituar galerinë Ufizzi.
Z. Schmidt shprehet se ai nuk do të paguajë asnjë vlerë për ta rimarrë pikturën që i takon shtetit Italian, sepse ajo është blerë një herë në fillim të shekullit të 19-të nga duka i madh Leopold II i Toskanës. Ajo ka qendruar për më shumë se një shekull e ekspozuar së bashku edhe me vepra të tjera në Pallatin Pitti të Firences, të cilat u dërguan në një fshat afër galerisë në fillim të Luftës së Dytë Botërore dhe në vitin 1944 ajo u vodh nga trupat gjermane së bashku edhe me shumë vepra të tjera arti.
Një imitim i origjinalit qëndron sot i ekspozuar në galerinë ku duhej të qëndronte piktura orgjinale, përbri së cilës shkruhet në tri gjuhë (në italisht, anglisht dhe në frëngjisht) që piktura origjinale është vjedhjur.
Kësaj pikture nuk i është vendosur një çmim nga shteti italian sepse sipas këtij të fundit ajo është në pronësi të tij dhe nuk mund të shitet.
Në vitin 2013, një tjetër prej kryeveprave unike të piktorit van Huysum u shit në një ankand në Nju Jork kundrejt vlerës prej 218,500 dollarësh amerikanë.