Lista e qyteteve ‘green’ shtohet… Glasgow fiton çmimin prestigjioz “Global Green City” për 2020
Gjithnjë e më shumë njerëz në botë jetojnë në qytete. Përqindja është e destinuar të rritet në të ardhmen. Qendrat urbane luajnë një rol të rëndësishëm në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Ndër të tjera, një qytet ku mund të jetohet, është mbi të gjitha një qytet i qëndrueshëm. Këtë vit, çmimin “Global Green City” e fitoi Glasgow, dhënë nga Global Forum on Human Settlements (GFHS).
Çmimi prestigjioz i GFSH, i mbështetur nga Programi Mjedisor i Kombeve të Bashkuara, bashkon diplomatë, akademikë, të përfaqësuar nga sipërmarrje, institucione dhe organizata jofitimprurëse.
Pas Vankuver, Vjenës, Yokohomës, çmimi shkon në Skoci, duke vlerësuar qytetin e saj më të madh. Ky është një hap i rëndësishëm për rrugëtimin e ndërmarrë nga Glasgow, para zhvillimit të konferencës mbi ndryshimet klimatike, “United Nations Climate Change Conference” (COP 26), që do të mirëpresë vitin tjetër.
“Është një çmim për hapat e mëdhenj të bërë përpara nga qyteti, për të ndërtuar një mjedis më të mirë për të ardhmen tonë”– komentoi Susan Aitken, drejtuese e këshillit të qytetit.
Ky çmim nuk mund të vinte në një moment më të mirë. Është një konfirmim se si në këtë qytet po ecet në drejtimin e duhur dhe tregon se si Glasgow vazhdon luftën ndaj ndryshimeve klimatike.
Qyteti skocez regjistroi pikë të larta në disa parametra, ndër to cilësia e ajrit, përmbajtja e emetimeve të gazit serrë, eficenca energjetike e ndërtesave, dinamizmi i transportit publik lokal dhe kujdesi për hapësirat e gjelbra publike.
Administrata e Glasgow duket se e ka marrë shumë seriozisht çështjen e mbrojtjes së mjedisit dhe krizën klimatike. Aq sa në fillim të këtij muaji, Këshilli i qytetit ka përgatitur një plan zbatimi për emergjencën klimatike, me 52 masa që synojnë të mbështesin arritjen e qëllimit për t’u bërë “carbon neutral” brenda vitit 2030. Plani së shpejti do të paraqitet për konsultim publik.
Çmimi është fryt i një angazhimi të vazhdueshëm në vite që ka rikrijuar imazhin e Glasgow, duke e renditur në qytetet më të dashura dhe të vizituara në Europë, me një motiv më shumë, nga sot…
Të zgjidhet si destinacion i pushimeve të ëndrrave…