Glauk Konjufca është zgjedhur kryetar i legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.
Në të mirë të tij kanë votuar 69 deputetë, derisa 33 deputetë kanë votuar kundër
Konjufcë është propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje derisa në sallë në momentin e votimit ishin 113 deputetë.
Për nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës, VV-ja ka propozuar Saranda Bogujevcin, Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar Bedri Hamzën dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar Kujtim Shalën.
Të propozuarit janë votuar me 107 vota pro, 6 kundër dhe asnjë abstenim.
Lista Serbe për nënkryetarë të Kuvendit ka propozuar Sllavko Simiqin ndërsa partitë tjera joshumicë kanë propozuar Bekim Arifin. Të dy të propozuarit janë zgjedhur me 91 vota pro, 6 kundër dhe 10 abstenime.
Glauk Konjufca, u është drejtuar qytetarëve nga karrigia e kryeparlamentarit.
Teksa ka falënderuar deputetët që votuan pro tij, Konjufca është zotuar se gjithë deputetët e Kuvendit do të jenë të barabartë.
“Zotohem se do ta kryej detyrën time me nder, me përgjegjësi dhe përkushtim. Për mua nuk do të ketë deputetë të kësaj apo asaj partie, për mua do të ketë deputetë të barabartë të popullit të Kosovës, sepse kështu jemi”, tha Konjufca.
Tutje, ai ka mbyllur seancën konstituive të Kuvendit, duke shtuar se për seancën e ardhshme për formimin e Qeverisë do ta njoftojë opinionin me kohë.
“Po i falënderojmë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa votuar ata as ne nuk do të mund të vinim këtu, na priftë e mbara në punët që na presin dhe në këtë rast po e shpall të mbyllur këtë seancë, kurse për seancës e zgjedhjes së Qeverisë do tju lajmërojmë me kohë”, tha ai.
Para zgjedhjes së Glauk Konjufcës kryetar kuvendi, deputetët dhanë këtë betim.
“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit dhe me standardet evropiane.” Betohem”.
Konstituimi i Kuvendit i hap rrugë formimit të ekzekutivit të ri, 37 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Pak çaste pasi Glauk Konjufca u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës, është deklaruar për media kandidati për kryeministër, Albin Kurti.
Në prononcimin e tij të shkurtër para mediave, Kurti tha se pret ftesën e Konjufcës për formimin e Qeverisë.
“Tash e kemi Glauk Konjufcën kryetar të Kuvendit, unë pres prej tij që të më sjellë ftesën për formimin e Qeerisë si mandatar i ardhëshm dhe më pas do të njdekim hapat kushtetues dhe ligjor”, tha Kurti.
Tutje, ai nuk zbuloi emrat e ministrave, ai tha se i di dhe së shpejti do t’i marrin vesh edhe gazetarët.
“Emrat e ministrave unë i di dhe së shpejti i merrni vesh edhe ju”, përfundoi ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.