Furnizimi me gaz i Europës pësoi një goditje të dyfishtë të martën, pasi një terminal i madh i eksportit të gazit natyror të lëngshëm në SHBA tha se nuk do të funksiononte për të paktën tre muaj, ndërsa Rusia deklaroi se do të reduktonte furnizimet nga një tubacion kryesor për në Gjermani.
Freeport LNG, i cili përbën rreth një të pestën e eksporteve të gazit natyror të lëngshëm në SHBA dhe rreth 10 për qind të importeve të Europës për këtë vit, tha të martën se riparimet që po bëhen pas një shpërthimi në uzinën e kompanisë javën e kaluar mund të zgjasin deri në fund të vitit, duke pritur që pas 90 ditësh, aktiviteti të rifillojë pjesërisht. Javën e kaluar, Freeport kishte lënë të kuptohej se terminali do të rifillonte nga puna në fillim të korrikut.
Në të njëjtën kohë, Rusia tha se do të reduktonte me rreth 40 për qind kapacitetin e gazsjellësit Nord Stream 1 për në Gjermani, duke thënë se shkak për këtë reduktim ishte vonesa në kthimin e një pjese të rëndësishme të pajisjeve teknike, për të cilat Siemens Energy tha se ishin bllokuar nga sanksionet e Kanadasë kundër Moskës.
Kërcënimi i dyfishtë për importet e gazit në Europë ilustron vulnerabilitetin e vazhdueshëm të kontinentit ndaj ndërprerjes së furnizimeve, teksa përpiqet të reduktojë varësinë nga gazi rus pas pushtimit të Ukrainës nga Moska në muajin shkurt.
Çmimet standarde të gazit në Europë u rritën me më shumë se 15 për qind, duke shkuar në 99 euro për megavat orë, ndërsa kontratat e gazit në Mbretërinë e Bashkuar për furnizim gjatë korrikut u rritën me 25 për qind, duke shkuar në 1,97 £ për termo. Tregtarët paralajmëruan se furnizimet do të reduktohen në muajt në vijim.
Nga ana tjetër, ҫmimet e gazit natyror në SHBA ranë me më shumë se 15 për qind pas këtyre lajmeve, pasi tregtarët e tejkaluan ndërprerjen e zgjatur të aktivitetit nga terminali Freeport, një burim kryesor i kërkesës për karburant, për shkak të kontratës afatshkurtër për Henry Hub që u shit për rreth 7.20 dollarë për një milion njësi termike britanike.
Çmimet e gazit në Europë janë rritur ndjeshëm vitin e fundit, pasi Rusia reduktoi furnizimet që përpara pushtimit, gjë që solli rritjen e frikës për ndërprerje të furnizimeve, duke nxitur inflacionin dhe rritjen e kostos së jetesës për shumë vende.
BE-ja është përpjekur të shmangë shënjestrimin e drejtpërdrejtë të furnizimeve me gaz rus nga sanksionet – të cilat para pushtimit përbënin deri në 40 për qind të të gjitha furnizimeve të saj – dhe ka marrë masa për të reduktuar varësinë e saj nga importet ruse.
Por, qendra e Siemens Energy në Gjermani tha të martën se turbinat e gazit me të cilat kompania furnizon Gazprom-in rus për të ndihmuar në ngjeshjen e gazit në tubacionin Nord Stream 1, ishin penguar nga sanksionet e Kanadasë pasi iu nënshtruan disa mirëmbajtjeve në fabrikën e kompanisë në Montreal. Otava javën e kaluar zgjeroi masat ndëshkuese kundër Rusisë, duke ndaluar ofrimin e shërbimeve teknike për industritë ruse të naftës, të gazit dhe të kimikateve.
“Për shkak të sanksioneve të vendosura nga Kanadaja, aktualisht është e pamundur për Siemens Energy që t’i dorëzojë klientit turbinat për gazin,” tha Siemens Energy. “Ne kemi informuar qeverinë kanadeze dhe gjermane dhe po punojmë për një zgjidhje.”
Pas rritjes që pësuan, çmimet e gazit ishin stabilizuar gjatë muajve të fundit për shkak të furnizimeve shtesë me gaz natyror të lëngshëm që erdhën në Europë, duke ndihmuar në rritjen e sasisë së gazit në magazina përpara fillimit të dimrit.
Freeport tha më parë se fabrika e saj do të mbyllej për tre javë pas zjarrit që ra. Fabrika ka kapacitet për të përpunuar 20.4 miliardë metra kub gaz natyror në vit, ose rreth 17 për qind të kapacitetit total të SHBA prej 118 miliardë metra kub në vit, dhe rreth 2 për qind të prodhimit total të gazit natyror në vend.
Sipas një marrëveshjeje të shpallur në mars nga presidenti i SHBA, Joe Biden, dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, SHBA u zotua të sigurojë që 15 miliardë metër kub gaz shtesë do të dërgohet në Europë këtë vit. Brukseli tha se do të synonte që të rriste kërkesën vjetore për gazin natyror të lëngshëm amerikan me 50 miliardë metra kub deri në fund të dekadës.
Gazi natyror duhet të bëhet i lëngshëm përpara se të transferohet në cisterna që e dërgojnë atë në të gjithë botën.
Gazprom ka vazhduar të ruajë pjesën më të madhe të eksporteve drejt Europës, por ka ndërprerë furnizimet ndaj klientëve në Poloni dhe Bullgari, pasi ata refuzuan të përdorin mekanizmin e ri të pagesave në monedhën rubla. Kompanitë gjermane të ofrimit të energjisë, ashtu si edhe disa të tjera në Europë, kanë pranuar sistemin e pagesave në rubla, nga frika e ndikimit që do të kishte ndërprerja e furnizimeve në ekonomi./ Financial Times