Dëmi që pritet të shkaktohet nga shkëputja e zinxhirit ekonomik dhe frenimi i konsumit. Sektorët më të prekur dhe ata që përfitojnë, bazuar në peshën e tyre në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Sa mund të rezistojnë bizneset në këtë mbyllje totale dhe si mund të kthehet kriza në mundësi
Nga Ornela Liperi
Gjithçka ndali përnjëherësh. Lëvizja u kufizua, pjesa më e madhe e dyqaneve u mbyllën, një pjesë e madhe e punonjësve u detyruan të punonin nga shtëpia. Në një skenar që mund ta kishim parë vetëm në filma, aktiviteti pothuajse është bllokuar në vend, duke sjellë shkëputje të zinxhirit ekonomik, mosqarkullim të likuiditetit, që nëse zgjat, mund të rrezikojë pagat e punonjësve, mospagimin e taksave e më pas, efekt zinxhir në gjithë ekonominë.
“Monitor” ka intervistuar aktorët më të mëdhenj të tregut dhe ka përpunuar të dhënat e sektorëve sipas peshës që ata zënë në Prodhimin e Brendshëm Bruto, për të dhënë një ide të dëmit që pritet të shkaktohet nga shkëputja e zinxhirit ekonomik dhe frenimi i konsumit.
Tregtia (përveç produkteve të domosdoshme), shërbimet, akomodimi, bar-restorante e turizmi janë më të goditurat e momentit, së bashku me transportin, që pothuajse është paralizuar. Industria përpunuese dhe ndërtimi po arrijnë të punojnë, ndonëse me kapacitete të kufizuara. Bankat presin të kenë humbje, por që mund të menaxhohen. Më e fituara në këtë situatë mund të dalë bujqësia dhe industria përpunuese, që mund të shërbejnë si zëvendësuese për importet. Tregtia online, që për vite nuk arriti të gjente terren vitet e fundit, tashmë po merr zhvillim të shpejtë.
Se sa do të jenë pasojat në ekonomi, askush nuk arrin ta parashikojë për momentin. Por, gjithçka do të varet nga kohëzgjatja e situatës. Sa më shpejt të mbarojë ajo, aq më i fortë do të jetë rikuperimi dhe aq më pak do ta dëmtojë ekonominë. Bizneset pohojnë se mund të rezistojnë deri në 3 muaj, por nëse bllokimi vazhdon, pasojat do të jenë të paparashikueshme. Sa më shumë të zgjasë bllokimi, aq më i lartë do të jetë dhe efekti psikologjik te konsumatorët, që do të tentojnë të kursejnë dhe të shtynë vendimet për blerjet e mëdha.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.