Goditjet nga energjia elektrike, si do e ndikojnë ekonominë

16/08/2019 11:00 AM 0 komente

Vitin e kaluar ekonomia u rrit me rreth 4% e ndikuar nga eksportet e energjisë elektrike të cilat llogariten si vlerë e shtuar, duke kontribuar në gati gjysmën e rritjes. Thatësira e këtij viti dhe mungesa e eksporteve, bëri që ritmet e rritjes të përgjysmoheshin në rreth 2.2% në tremujorin e parë dhe në të njëjtat nivele po në tremujorin e dytë.

Banka e Shqipërisë ka analizuar ndikimin e prodhimit të energjisë elektrike në ekonomi, e parë sidomos në prizmin e vlerësimit tonë mbi gjendjen ciklike të ekonomisë dhe mbi qëndrimin e politikës monetare. Analiza del në përfundimin se, pavarësisht ndikimit jo të vogël të prodhimit të energjisë elektrike në rritjen ekonomike, ajo nuk influencon trendet afatmesme të zhvillimit dhe pozicionin ciklik të ekonomisë. Për rrjedhim, ato nuk bartin implikime për qëndrimin e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë.

Struktura e prodhimit të energjisë elektrike të vendit karakterizohet nga mbizotërimi i burimeve hidro-elektrike. Prej vitit 2008 e në vazhdim, i gjithë prodhimi vendas (100%) realizohet nga ky burim. Për shkak të përqendrimit të theksuar në burime hidro-elektrike, struktura prodhuese është tepër e ndjeshme ndaj kushteve atmosferike dhe prodhimi vendas karakterizohet nga luhatje të forta nga një periudhë në tjetrën.

Këto luhatje kanë shpesh një ndikim të konsiderueshëm në nivelin e rritjes ekonomike të vendit. Në veçanti, ky ndikim vlerësohet të ketë qenë i rëndësishëm gjatë viteve të fundit. Kontributi i prodhimit të energjisë elektrike ishte negativ në vitin 2017, pozitiv në vitin 2018, dhe kthehet përsëri në negativ në tremujorin e parë të vitit 2019. Më konkretisht, dega ku bën pjesë energjia elektrike vlerësohet të ketë dhënë një kontribut negativ prej 1.1 pikësh përqindjeje në vitin 2017. Kushtet e përshtatshme atmosferike të vitit 2018, përmbysën kontributin e degës, duke e çuar atë në +0.9 pikë përqindje. Në tremujorin e parë të këtij viti, vlera e shtuar e degës përkatëse shënoi një rënie vjetore prej 43.8%, me një kontribut negativ prej 1.6 pikë përqindjeje.

Pavarësisht këtyre luhatjeve, ne vlerësojmë se kontributi i luhatjeve të prodhimit të energjisë elektrike nuk mbart ndikime të qenësishme në trendin afatmesëm e afatgjatë të ecurisë së ekonomisë shqiptare. Pra, ky faktor nuk ndikon në mënyrë sistematike pozicionin ciklik të ekonomisë. Për ilustrim, në grafikun më poshtë paraqitet rritja ekonomike mesatare, me dhe pa efektin e degës “Energji elektrike etj.”. Normat mesatare të rritjes rezultojnë të përafërta, duke konfirmuar që goditjet nga kjo degë shfaqen dhe shuhen në vite, duke mos ndryshuar trendin e rritjes ekonomike.

Arsyeja për këtë qëndron në faktin se luhatjet në vëllimin e prodhimit të energjisë elektrike amortizohen nga luhatjet në vëllimin e energjisë së importuar, pa ndikuar konsumin total të energjisë dhe, në veçanti, pa gjeneruar mungesa për sektorët e tjerë të ekonomisë, të cilat do të reduktonin prodhimin e tyre apo do të rritnin kostot e operimit, në rast se do të mbuloheshin nga burime alternative.

Historikisht, prodhimi vendas dhe importi alternohen me njëri-tjetrin nga një periudhë në tjetrën. Diferencat mes dy burimeve në vite lidhen me aftësinë e vendit për të importuar dhe ruajtur energjinë e furnizuar në treg (energjinë në dispozicion), në kushtet kur prodhimi vendas bie. Përmirësimi i menaxhimit të korporatave publike që operojnë në këtë sektor (KESH dhe OSHEE), përmirësimi i rrjetit të shpërndarjes dhe i atij të interkonjeksionit, kanë mundësuar shmangien e mungesave të energjisë elektrike.

Po ashtu, çmimi i rregulluar për konsumin e energjisë elektrike bën që luhatjet e prodhimit, apo të kostove në tregun ndërkombëtar, të kenë ndikim pothuaj të papërfillshëm në kostot e prodhimit të ekonomisë shqiptare.

Në këto kushte, vlerësohet që me gjithë goditjet që jep në rritjen ekonomike, ndikimi i energjisë mbetet thuajse “i izoluar” dhe i përkohshëm. Këto luhatje nuk gjenerojnë presione për rritje apo rënie prodhimi në sektorë të tjerë, për rritje apo rënie kostosh, apo për rritje ose rënie punësimi e pagash. Për rrjedhim, ato nuk janë e nuk duhet të jenë – në vetvete – objekt i reagimit të politikës monetare.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of