Goldman Sachs parashikon që çmimet e gazit natyror në Europë do të bien me rreth 30% në muajt e ardhshëm, pasi vendet do të fitojnë një avantazh të përkohshëm në problemet e furnizimeve.
Faciliteti Holandez i Transferimit të Titujve (TTF) është standardi kryesor i Europës për çmimet e gazit natyror. Ai tregtohej me rreth 120 euro për megavat orë ditën e martë. Por, Goldman Sachs parashikon që ky standard referencë do të bjerë në 85 euro për megavat orë në tremujorin e parë të vitit 2023, sipas një studimi të bërë publik javën e kaluar.
Kjo do të shënonte një ndryshim të rëndësishëm në nivelet që çmimet e gazit arritën në gusht. Në atë kohë, pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Rusia dhe presionet e mëvonshme në furnizimet me energji në Europë, bënë që çmimet të arrinin shifra historike – mbi 340 euro për megavat orë.
Rënia e fundit e çmimeve të gazit ka ardhur nga disa faktorë: magazinimi i gazit në Europë për këtë sezon dimëror ka arritur praktikisht maksimumin e tij; temperaturat këtë vjeshtë kanë qenë më të ngrohta se sa pritej, duke vonuar kështu fillimin e përdorimit masiv të gazit për ngrohje; dhe ka një tepricë të gazit natyror të lëngshëm (LNG).
Raportet e fundit flasin për rreth 60 anije që presin të shkarkojnë ngarkesat e tyre të gazit të lëngshëm në Europë. Disa nga këto dërgesa u blenë gjatë verës dhe po mbërrijnë tani, në një kohë kur magazinat janë mbushur pothuajse plot. Në të vërtetë, të dhënat më të fundit të përpiluara nga grupi i industrisë Gas Infrastructure Europe tregojnë se nivelet e magazinimit në Europë janë 94%.
Pavarësisht optimizmit për çmimet më të ulëta të gazit në planin afatshkurtër, gjë e cila mund të lehtësojë një pjesë të krizës së kostos së jetesës, ka shumë presion mbi liderët europianë për të siguruar furnizime shtesë në planin afatmesëm.
“Ekipi ynë parashikon një rënie të mëtejshme deri në shifrën 85 euro gjatë tremujorit të parë të vitit 2023, përpara se të ketë një rritje të ndjeshme të çmimeve në verën e ardhshme kur të duhet të rimbushen magazinat,” thanë analistët e Goldman Sachs në studimin e tyre. Parashikimet tregojnë për një rritje të çmimeve deri në pak më pak se 250 euro për megavat orë, në periudhën e fundit të korrikut.
Çmimet e gazit natyror pritet të rriten pas tre muajve të parë të vitit 2023 për shkak të disa faktorëve.
Fatih Birol, drejtor ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, tha për CNBC të premten se vetëm një sasi shumë e vogël e gazit natyror të lëngshëm do të dalë në treg vitin e ardhshëm. “Nëse ekonomia e Kinës ka një rimëkëmbje, importet e gazit natyror në Kinë vitin e ardhshëm mund të rriten së bashku me ato të Europës”, tha ai.
Kina ishte importuesi më i madh në botë i gazit natyror të lëngshëm në vitin 2021, sipas Administratës së Informacionit të Energjisë në SHBA. Sidoqoftë, për shkak të politikës së saj të rreptë kundër Covid-19, ekonomisë kineze i është dashur të përballet me shumë izolime që kanë dëmtuar rritjen e saj. Çdo ndryshim në qasjen ndaj Covid-19 do të rriste kërkesën për gaz natyror të lëngshëm, duke shtuar kështu çmimet edhe për blerësit europianë.
Për më tepër, magazinimi i gazit është ndihmuar edhe nga furnizimet ruse, prej të cilave BE-ja është përpjekur që të reduktojë varësinë e saj. Edhe Xavier Bettel, kryeministri i Luksemburgut, një vend anëtar i BE-së, pranoi në tetor se magazinat ishin plot me gaz rus. Furnizimet nga Rusia tashmë janë ndërprerë në mënyrë të shpejtë dhe synimi i Europës është që të jetë plotësisht e pavarur nga lëndët djegëse fosile të Rusisë.
Drejtuesi i EDP, kompania portugeze e shërbimeve të energjisë elektrike, e përmblodhi kështu situatën në një intervistë për CNBC të premten. “Sigurisht që jemi në një pozicion shumë më të mirë se sa ku ishim disa muaj më parë,” tha Miguel Stilwell d’Andrade, por “ne duhet të presim që do të ketë shumë paqëndrueshmëri në të ardhmen.”/CNBC
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.