CEO i Google, Sundar Pichai, deklaroi se kolosi i teknologjisë parashikon të investojë 3 miliardë euro për të zgjeruar qendrat e tij të të dhënave (data center) në Europë, në dy vitet e ardhshme
Drejtuesi i Google shpjegoi se investimet totale të kompanisë në infrastrukturën e internetit në kontinent do të arrijnë në 15 miliardë euro, të cilat kanë nisur që prej vitit 2007.
CEO i Google, Pichai, i cili u takua para tri ditësh me Kryeministrin finlandez Antii Rinne në Helsinki pohoi se investimet do të hapin çdo vit, 13 mijë vende të reja pune me kohë të plotë, në Bashkimin Europian.
Pichai theksoi se Google po investon shumë në energjitë e rinovueshme, një nismë e paralajmëruar si masë ndaj ndryshimeve klimatike. Punonjësit e Google dhe kompanive të tjera të mëdha teknologjike në Amerikë, si Microsoft dhe Amazon, kanë planifikuar të marrin pjesë në “grevën botërore të klimës”.
Projekti i Google do të përfshijë një investim më shumë se 1 miliard euro në infrastrukturat e reja energjetike në BE, ndër të cilët një projekt i ri në lidhje me energjinë e erës, në Belgjikë, pesë projekte për energjinë diellore në Danimarkë dhe dy projekte në lidhje me energjinë e erës në Suedi dhe Finlandë.