Pandemia ka bërë që porositë online në restorante të ndryshme të kthehen në një prej shërbimeve më të përdorura, pasi konsiderohen më të sigurta dhe një mbështetje ndaj bizneseve të ndryshme lokale.
Google tani po përpiqet ta bëjë procesin më të shpejtë, duke mundësuar që “Google Assistant” të plotësojë automatikisht informacionet e kontaktit dhe detajet e pagesës në telefonat Android pasi ju të keni zgjedhur një restorant nëpërmjet kërkimit në Google.
Për ta përdorur ju duhet të kërkoni për cilindo restorant nga i cili dëshironi të porosisni në aplikacionin Google dhe më pas zgjidhni butonin “Porosit Online”. Pasi të keni bërë porosinë tuaj të ushqimit, ju mund t’ia “delegoni” përfundimin e procesit “Google Assistant”, i cili do të përdorë të dhënat tuaja për pagesën nëpërmjet Google Pay dhe Chrome Autofill. Asistenti pastaj kërkon konfirmimin tuaj për të kryer pagesën dhe porosia quhet e përfunduar.
Ekzistojnë gjithashtu edhe disa kufizime të mëdha për të qenë të vetëdijshëm. “Google Assitant” funksionon vetëm me restorantet me të cilat Google ka marrëveshje për porositë online dhe mund të realizohet vetëm nga aplikacioni Google në një telefon me sistem operativ Android. Google planifikon ta rrisë listën e restoranteve në SHBA gjatë këtij viti.
Google pretendon se Duplex është ajo që fuqizon këtë aplikacion, edhe pse mund të duket e pazakontë duke pasur parasysh origjinën e teknologjisë. Duplex fillimisht u prezantua si një mënyrë për të automatizuar kryerjen e rezervimeve dhe takimeve nëpërmjet telefonit.
Sipas Google, Duplex është zgjeruar, por baza është e njëjtë me Google Assistant, t’ju ndihmojë në kryerjen e disa porosive online.
Google po planifikon edhe prezantimin e disa aplikacioneve të reja, siç është edhe ai për të gjetur telefonin, aplikacion i cili funksionon edhe për pajisjet Apple.
Në të kaluarën, aplikacioni ju ndihmonte për të gjetur iPhone dhe iPad por vetëm nëse kishte internet dhe pajisjet (iPhone-t) të ishin me zile. Tani edhe nëse ju keni aktivizuar opsionin “Mos më shqetësoni” në celularin tuaj dhe nuk e gjeni dot, Google Home, do ta gjejë atë për ju. / The Verge