Çdo ditë, Google merr rreth 20 milionë informacione që e ndihmojnë në Maps, aplikacioni i navigimit të gjigantit të Mountain View.
Grupi shpjegon në një deklaratë se në vitin 2021, ekipi në mbarë botën që punon për shërbimin, ka bllokuar më shumë se 100 milionë ndryshime të pasakta, mes të cilave foto, përshkrime dhe orare hapjesh të aktiviteteve tregtare.
Falë përdorimit të algoritmeve dhe Inteligjencës Artificiale, Google ka identifikuar dhe eliminuar më shumë se 7 milionë profile false kompanish, nga të cilat 630.000 janë raportuar nga përdoruesit, si dhe më shumë se 12 milionë përpjekje për të krijuar llogari false të kompanive.
“Nëpërmjet përmirësimit të teknologjive të ‘machine learning’, kemi çaktivizuar më shumë se 1 milion llogari përdoruesish për shkak të aktiviteteve që shkelin privatësinë, si vandalizmi online dhe mashtrimi” – shpjegoi Pavithra Kanakarajan, Group Product Manager, User Generated Content i Google.
Sipas të dhënave të kompanisë, pas rihapjeve të ndryshme nga kufizimet, njerëzit janë mbështetur më shumë te Google Maps për të kontrolluar oraret e hapjes së dyqaneve, parqeve dhe vendeve të tjera me interes publik, si dhe për të pasur informacione rreth protokolleve të sigurisë shëndetësore.
Kjo ka sjellë “një vërshim komentesh të rreme dhe përmbajtje të dhunshme” shpesh pa ndonjë arsye specifike.
“Për shembull, i ashtuquajturi ‘review bombing’ është bërë një mënyrë e përhapur te njerëzit që përpiqen të dëmtojnë bizneset lokale, një fenomen ekstrem ku debati publik mbi masat e sigurisë ka qenë më i fortë”.
Si përgjigje, Google ka bllokuar, ose hequr, më shumë se 95 milionë komente, 60,000 prej të cilave për arsye të lidhura me COVID-19.
/ ANSA