Google njoftoi të mërkurën, me rastin e konferencës së zhvilluesve I/O, se të gjitha automjetet me Google të integruar do të kenë YouTube në dispozicion, duke nisur nga makinat Polestar.
Përhapja e YouTube vjen ndërkohë që një numër gjithnjë e më i madh automjetesh është i pajisur me sisteme infotainment të teknologjisë së lartë, të cilat premtojnë t’i shtojnë elemente të reja komforti dhe argëtimi jetës së drejtuesit dhe pasagjerëve.
Në terma praktikë, kjo do të thotë një numër më të madh ekranesh, si përpara për drejtuesin, edhe pas, për pasagjerët.
Sot, shumë makina mund të përdorin YouTube nëpërmjet Android Auto, një aplikacion që funksionon nëpërmjet një telefoni Android dhe lidhet me wireless me makinën, duke e lejuar drejtuesin të përdorë aplikacionet në ekranin e makinës.
Megjithatë, ky funksion është i disponueshëm te makinat që kanë Google të përfshirë.
Me fjalë të tjera, është i disponueshëm te makinat që përdorin sistemin operativ Android Automotive, i cili mbështetet te një sistem operativ mobile open source i cili menaxhohet nga Linux.
Në vend që të funksionojë te smartphone apo tablet-i, Google e ka ndryshuar, në mënyrë që shtëpitë automobilstike ta përdornin në automjetet e tyre, duke lejuar aplikacionet dhe shërbimet e Google si Maps, Assistant dhe Play të përfshihen drejtpërdrejt në mjet.
Ashtu si shërbime të tjera video dhe lojëra që mbështeten te Google, YouTube do të jetë i disponueshëm vetëm për pasagjerët dhe ndërkohë që makina është e parkuar – sipas kompanisë.
Polestar 2 është makina e parë me Google të integruar – në fillim të këtij viti, shtëpia automobilistike njoftoi se Polestar 3 do të jetë e pajisur me zgjidhjen e hartës HD të Google.
YouTube ishte hapi i natyrshëm i mëpasshëm. Google parashikon të njoftojë marrëveshje të tjera me shtëpitë automobilistike në javët apo muajt e ardhshëm.
Google ka arritur tashmë marrëveshje me Volvo dhe Mercedes. Duhet theksuar se marrëveshja me Mercedes është paksa e ndryshme nga kjo ofertë më e gjerë.
Mercedes e cilësoi si një marrëveshje licence që do të lejojë platformën Google Maps, Cloud dhe YouTube në makinat e ardhshme Mercedes-Benz të pajisura me sistemin operativ të gjeneratës së re të shtëpisë automobilstike të quajtur MB.OS.
Me rastin e konferencës së përvitshme për zhvilluesit, Google deklaroi se parashikon që numri i makinave me Google të përfshirë do të dyfishohet brenda fundit të këtij viti.
Kompania nuk dha detaje, por që sot, Google është i përfshirë në një seri markash si Chevrolet, Renault, Volvo e Honda, gjë që do të thotë se revolucioni i lojërave në makinë ka ende shumë mundësi për t’u zhvilluar.
/ Tech Crunch
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.