Gjykata e Bashkimit Europian konfirmoi sot vendimin me të cilin Komisioni vendosi se Google ka vënë kufizime të paligjshme te prodhuesit e pajisjeve celulare Android dhe operatorëve të rrjetit celular, në mënyrë që të konsolidojë pozicionin dominues të motorit të tij të kërkimit.
E njëjta Gjykatë konfirmoi edhe gjobën prej 4.125 miliardë eurosh të vendosur ndaj kompanisë nga Brukseli.
Shuma prej 4.125 miliardë eurosh e vendosur nga Gjykata shënon një ulje prej 5% krahasuar me 4.343 miliardë euro që ishte vendosur nga Komisioni, dukë regjistruar gjobën më të lartë të vendosur në Europë nga një autoritet mbikëqyrës i konkurrencës. Reduktimi vjen për shkak të anulimit të vendimit në pjesën ku konsiderohen abuzim marrëveshjet për shpërndarjen e xhiros sipas portofolit.
“Jemi të zhgënjyer që Gjykata nuk e ka anuluar plotësisht vendimin. Android ka krijuar më shumë zgjedhje për të gjithë, jo më pak, dhe mbështet mijëra kompani të suksesshme në Europë dhe në botë” – komenton një zëdhënës i Google.
Komisioni nisi një procedurë mbi Google, në lidhje me Android 2 në prill 2015, duke vendosur sanksionin për abuzim për pozicionin dominues në korrik 2018.
Tre kufizime që u bënë ishin:
-Detyrimi që prodhuesit e telefonave celularë të instalonin paraprakisht aplikacionet e kërkimit (Google Search) dhe lundrimit (Chrome) për të pasur licencë funksionimi në Play Store.
-Kushtëzimi në dhënien e licencave të funksionimit në Google Search dhe Play Store, me angazhimin për të mos shitur pajisje me versione të sistemit operativ Android pa miratimin e Google.
-Dhe së fundi, rimbursimi i një pjese të të ardhurave nga reklamat për prodhuesit e pajisjeve celulare dhe operatorët e rrjeteve celulare të jetë subjekt i angazhimit për të hequr dorë nga para-instalimi i një shërbimi të kërkimit gjenerik konkurrues në një portofol të paracaktuar pajisjesh.
Gjykata u kufizua vetëm në anulimin e vendimit në pjesën që ajo konstatoi se marrëveshjet për ndarjen e xhiros sipas portofolit do të përbënin në vetvete, një abuzim. Dy muaj e dhjetë ditë pas njoftimit, Google do të jetë në gjendje të apelojë vendimin.
/ ANSA