Google I/O, konferenca botërore e zhvilluesve, anulohet për shkak të koronavirus

04/03/2020 12:13 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Google anulon eventin e tij për zhvilluesit I/O këtë vit, si pasojë e epidemisë së koronavirus. Google I/O parashikohej të zhvillohej në datat 12 – 14 maj.

Njoftimi vjen pak ditë pas anulimit të një tjetër eventi të kompanisë me seli në Mountain View, Cloud Next, që do të zhvillohej në San Francisko, i cili tani do të shndërrohet në një takim virtual.

“Për shkak të frikës që lidhet me koronavirus (Covid-19) dhe në përputhje me udhëzimet shëndetësore të CDC (Centers for Disease Control and Prevention), OBSH dhe autoriteteve të tjera shëndetësore, ne kemi vendosur anulimin e eventit fizik të Google I/O në Shoreline Amphitheatre” – lexohet në faqen zyrtare.

Për Google, I/O përfaqëson momentin ku prezantohen funksione të reja të Android, hardware i realizuar nga Google dhe përditësimet e shërbimeve si Maps. Google thotë se po shikon për “mundësi të tjera” për zhvillimin e I/O, për të angazhuar komunitetin e zhvilluesve dhe rritjen e tij.

Pjesëmarrësit do të rimbursohen brenda 13 marsit, ndërsa atyre që kanë blerë biletën për eventin e këtij viti do t’u jepet automatikisht mundësia për të blerë biletën për vitin tjetër. Një muaj më parë, u anulua për shkak të koronavirus edhe Mobile World Congress, më pas konferenca e zhvilluesve F8 të Facebook, Game Developer Conference e shumë të tjera.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of