Google ndryshon praktikat reklamuese në një marrëveshje historike me Antitrustin francez

07/06/2021 4:27 PM 0 komente

Google (GOOGL.O) deklaroi se do të bëjë ndryshime në biznesin e tij publicitar global për të siguruar se nuk do të abuzojë me pozicionin dominues, duke iu nënshtruar për herë të parë presionit të antitrust, në një marrëveshje historike me autoritetet franceze.

Marrëveshja me autoritetin francez të kontrollit të konkurrencës mund të ndihmojë në riekuilibrimin e pushtetit mbi reklamat në favor të editorëve, të cilët kishin ndikim te biznesi në periudhën para-internetit, por e humbën kontrollin me rritjen e shpejtë të Google dhe Facebook (FB.O).

Marrëveshja u njoftua të hënën – ndër të tjera Google u gjobit edhe me 220 milionë euro (268 milionë dollarë). Kjo është hera e parë që gjiganti amerikan i teknologjisë pranoi të bëjë ndryshime në biznesin e tij gjigant të reklamave, i cili i sjell pjesën më të madhe të të ardhurave.

“Vendimi për të ndëshkuar Google është veçanërisht i rëndësishëm, pasi është vendimi i parë në botë që përqendrohet te proceset komplekse të shitjes së algoritmeve në të cilat mbështetet biznesi i reklamave online” – tha Isabelle de Silva, drejtuesja franceze e Antitrustit.

Autoriteti zbuloi se platforma e menaxhimit të reklamave të Google për editorët e mëdhenj – Google Ad Manager – favorizonte tregun e reklamave të kompanisë – Google AdX – ku editorët u shesin hapësira reklamuesve në kohë reale.

Ad Manager i siguronte AdX të dhëna strategjike, si çmimet e ofertave fituese, ndërkohë që AdX gëzonte edhe akses të privilegjuar ndaj kërkesave të bëra nga reklamuesit nëpërmjet shërbimeve publicitare të Google – thanë autoritetet.

AdX, nga ana e tij, shkëmbente të dhëna më lehtësisht me Ad Manager se sa me platforma të tjera të menaxhimit të reklamave – shtoi autoriteti. Platforma të tilla janë të rëndësishme sot për botuesit për të menaxhuar dhe për të shitur hapësira publicitare.

Sipas kushteve të marrëveshjes, Google do të angazhohet të përmirësojë mënyrën se si shërbimet Ad Manager punojnë me serverët reklamues rivalë dhe platformat e shitjes së hapësirave publicitare – tha autoriteti francez. Disa ndryshime do të nisin zbatimin brenda tremujorit të parë 2022 dhe Google nuk do ta apelojë vendimin.

Google tha se pranoi ta bëjë më të lehtë për editorët përdorimin e të dhënave të veta dhe instrumenteve. “Do t’i testojmë dhe do t’i zhvillojmë këto ndryshime në muajt e ardhshëm, para se t’i përhapim gjerësisht, duke përfshirë edhe disa në nivel global” – shtoi kompania.

Shumë publikues në nivel global janë të zemëruar me praktikat e gjigantit teknologjik, suksesi i të cilit mbështetet në thesarin e të dhënave që ka mbledhur gjatë viteve. Pjesa më e madhe e të ardhurave të Google vjen nga kërkimet dhe nga reklamat në YouTube. Autoriteti francez tha se vendimi u hap rrugën editorëve që ndiheshin në disavantazh për të kërkuar dëmshpërblim nga Google.

Burimi: Reuters

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of