Google pranon të paguajë kompanitë e para të publikimit për lajmet

26/06/2020 2:21 PM 0 komente

Google njoftoi marrëveshjet e para për të nisur pagimin e kompanive të publikimit për lajmet e shpërndara në platformat e tij. Grupi gjerman Spiegel, ai brazilian, Diarios Associados dhe InDaily në Australi, do të shpërblehen për lajmet që do të shfaqen në Google News dhe Discover.

Google dha pak detaje mbi strukturën e marrëveshjeve, apo mënyrës së funksionimit të pagesave. Marrëveshjet janë pjesë e përpjekjeve të Google për të ndihmuar kompanitë e publikimit që t’u japin vlerë përmbajtjeve.

“Programi i licencimit” do të paguajë kompanitë e publikimit “për lajme me cilësi të lartë – një përvojë e re lajmesh që do të fillojë këtë vit”. Parashikohet që kompani të tjera në të gjithë botën t’i shtohen së shpejti këtij programi” – tha Google.

Një pjesë e programit do të përfshijë mundësinë që përdoruesit e Google të kenë akses normalisht pas një paywall në faqet e gazetave. “Kjo do t’u japë mundësinë kompanive të publikimit me paywall të rrisin numrin e lexuesve dhe njerëzve që të lexojnë përmbajtjet të cilat normalisht i nuk shohin”.

Kompania tha se marrëveshjet mbështeten në Google News Initiative, e prezantuar në vitin 2018, e cila ka investuar 300 milionë dollarë në mbështetje të gazetarisë. Në përgjigje të pandemisë së koronavirusit, Google News Initiative ka siguruar financime për më shumë se 5300 publikime lokale në nivel global, nëpërmjet fondit Journalism Emergency Relief Fund (për të ndihmuar gazetarinë në situata emergjente); ka hequr pagesën për shërbimin Google Ad Manager, si dhe ka nisur një fushatë (Support Local News Campaign) për mbështetje lokale prej 15 milionë dollarësh për të lehtësuar disi presionin në sektor, i cili ka pësuar një rënie drastike të të ardhurave nga reklamat.

Google tha se i dërgon njerëzit te faqet e lajmeve më shumë se 24 miliardë herë në muaj. Kompania është vënë nën presion për të shpërblyer kompanitë e publikimit pas marrjes së fragmenteve të lajmeve të tyre në platformat e saj dhe për drejtimin e reklamave larg mediave tradicionale. Legjislacioni i BE-së i ka bërë pagesa të tilla të detyrueshme, mbi bazën e ligjit për të drejtën e autorit.

Këshilli Europian i Editorëve deklaroi se është i vetëdijshëm për faktin se ky funksion i ri do të jetë i disponueshëm në aplikacionin kryesor mobile të Google dhe në pajisjet me sistem operativ Android. Përmbajtjet e licencuara do të përfshihen edhe në aplikacionin Google News për çdo pajisje mobile, si dhe pajisje të tjera të prodhuara nga Google.

Megjithatë “janë të nevojshme më shumë detaje për të kuptuar plotësisht qëllimin e kësaj skeme të re licencimi” – tha Këshilli Europian i Editorëve.

Burimi: Telecompaper

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of