“Nuvem” është i fundit i një serie investimesh në kabllo nënujore të bëra nga Google ndër vite
Google njoftoi një sistem tjetër me kabllo nënujore. Gjiganti i teknologjisë synon të forcojë infrastrukturën e tij të internetit dhe të rrisë numrin e përdoruesve që përdorin gamën e shërbimeve të mbështetura në cloud.
I quajtur “Nuvem”, kablloja e re përfaqëson një nga më shumë se një duzinë kabllot në të cilat Google ka investuar gjatë viteve, duke nisur nga Unity, i cili hyri në funksion në vitin 2010, i cili shtrihet në më shumë se 6 mijë milje përgjatë Oqeanit Paqësor, nga Japonia në Kaliforni.
Ndërkohë që pjesa më e madhe e këtyre kabllove është krijuar në bashkëpunim me kompani të tjera, Google përfundoi projektin e tij të parë të kabllos nënujore tërësisht të pavarur në 2019-n, me Curie, që shtrihet nga Kalifornia në Kili.
Ndër të tjera, Google ka vënë në funksion një tjetër kabllo transatlantike, e quajtur Dunant, në vitin 2021, i cili bashkon Virxhinian me Francën. Një tjetër kabllo, e quajtur Equiano lidh Portugalinë me Afrikën, e prezantuar zyrtarisht në shtator të vitit të kaluar.
Google deklaroi se kablloja Nuvem do të nisë të funksionojë në vitin 2026, me pika kontakti në Karolinën e Jugut, Bermuda dhe Portugali. Kompania konfirmoi për TechCrunch se është financuesi i vetëm i kabllos së re.
Duhet të theksohet se fjala “nuvem”, në gjuhën portugeze do të thotë “re”, dhe se kablloja nënujore është me rëndësi të madhe për aktivitetin e Google, që përfshin gjithçka, nga cloud computing i bizneseve te video-streaming për konsumatorët dhe më gjerë, secili prej të cilëve kërkon transferime të dhënash me pak vonesë për të kënaqur përdoruesit.
Edhe kompani të tjera teknologjike kanë investuar në programe të ndryshme të infrastrukturës së internetit – vlerësohet se Google, Meta, Microsoft dhe Amazon zotërojnë ose marrin me qira thuajse gjysmën e gjerësisë së brezit nënujor mes tyre.
/ World Economic Forum