Gostia e IT, Shqipëria mund të përdoret si mini-parajsë fiskale

30/01/2018 2:22 PM 0 komente

Qeveria shqiptare ka vendosur që të nxisë dy sektorë turizmin dhe teknologjinë e informacionit me lehtësi fiskale. Tatim fitimi për bizneset që prodhojnë programe është ulur nga 15% në 5%. Të shumta janë lehtësitë fiskale dhe për ata që investojnë në hotele me 4-5 yje, që përjashtohet nga tatim fitimi për 10 vjet, nuk paguajnë taksën e pronës, nuk paguajnë taksë infrastrukture (me 5 yje) etj. Por, sa realisht do e nxisë sektorin e teknologjisë së informacionit ulja e tatim fitimit dhe e rrezikohen mbi-investime në sektorin e turizmit. Lexoni specialen e MONITOR

Bizneset e sektorit të IT në vend raportojnë se ngërçi më i madh që hasin në treg është mungesa e profesionistëve. Këtë e konfirmoi një vit më parë edhe Këshilli i Investimeve, duke rekomanduar që të shihej ndërhyrja në kurrikula dhe sistemin arsimor. Por, kjo paralele e kërkesave të biznesit nuk hasi kurrë në paralelen e qeverisë, e cila vendosi që të gostiste bizneset e prodhimit të software, me një ulje të tatimfitimit nga 15% në 5%. Numri i atyre që përfitojnë numërohet me gishtat e njërës dorë, ndërsa ndikimi në ekonomi i kësaj mase nuk është i qartë. Madje aktorët e tregut pohojnë se kjo lehtësi mund të shfrytëzohet si parajsë fiskale nga kompanitë e huaja

Nga Nertila Maho

Sektori i Teknologjisë së Informacionit ka pasur një rritje të dukshme vitet e fundit, e imponuar nga një sërë rrethanash që në një pjesë të mirë u detyrohet zhvillimeve globale dhe në një pjesë tjetër, atyre brenda vendit. Shqipëria, ndoshta me një vështrim me këmbë në tokë, nuk mund të kthehet në një lider global, por padyshim mund të shfrytëzojë avantazhet që jep zhvillimi i sektorit në disa aspekte, ku dy prej tyre janë më të rëndësishme. Së pari, një sektor publik dhe privat që operon mbi fjalën e fundit të sistemeve teknologjike është më eficient, rritet më shumë dhe gjeneron më tepër efekte në ekonomi. Së dyti, eksporti i shërbimeve mund të kthehet në një avantazh të dukshëm që ndryshon bilancin final tregtar të një vendi. Këtu nuk flasim për ëndrra në diell, konkretisht Shqipëria e ka treguar se po përjeton një rritje të dukshme të eksportit të shërbimeve, e cila ka kontributin e saj në ekonomi. E në këto kushte, zhvillimi i sektorit kërkon ndërhyrjen e qeverisë në politika, këtë e kanë aplikuar një pjesë e mirë e vendeve të rajonit.

Në Shqipëri, nisma e parë e dedikuar për këtë sektor ishte lehtësimi nga tatimfitimi nga 15% në 5% për bizneset që prodhojnë software. Kjo duket si një masë e madhe e trumbetuar edhe nga qeveria që do të ndikojë në një zhvillim të dukshëm të sektorit, por entuziazmi zgjat deri në momentin që mëson se sa është numri i atyre që përfitojnë. Epo bëni mirë të mbani entuziazmin, sepse bizneset e kategorizuara me një aktivitet në prodhimin dhe zhvillimin e software-ve në vend mund të numërohen me gishtat e njërës dorë.

Paketa Fiskale 2018, një pikë edhe për IT

Në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” qeveria kaloi një pikë ku sanksiononte se “Për personat juridikë, të cilët ushtrojnë aktivitet për prodhimin/zhvillimin e software-ve, tatimi mbi fitimin është 5%. Këshilli i Ministrave përcakton, me vendim, aktivitetet që përfshihen në fushën e prodhimit/zhvillimit të software-ve, si dhe procedurat për zbatimin e këtij paragrafi”. E ndërsa kjo pikë mori një vëmendje minimale për shkak të sfumimit që ju bë investitorëve me status të veçantë në turizëm, duket se nuk pati asnjë reagim nga biznesi vendas që operon në shërbimet e IT. Arsyeja? Numri i atyre që preken është i vogël. Gjithsesi nisma për ta nxitur këtë sektor duket si diçka pozitive, por problemi qëndron në faktin se qeveria as vetë nuk e ka të qartë se çfarë ndikimi do të ketë kjo nismë. Në total gjithë ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” ku përfshihej edhe kjo pikë, kishin një efekt në buxhet, në vlerën 93 milionë lekë. Në relacion, qeveria nënvizon se “kjo formë nxitje synon krijimin e kushteve të favorshme për përmirësimin e klimës për zhvillimin e tregut të teknologjisë të sistemeve të informacionit, duke nxitur krijimin e këtyre zhvillimeve brenda vendit”.

Përvojat e vendeve të tjera mbi incentivat tatimore shfaqin larmishmëri të trajtimeve tatimore. Maqedonia aplikon normë të reduktuar tatimore në varësi të pjesës së fitimit të riinvestuar në asete materiale dhe jomateriale (duke përfshirë këtu software-t e kompjuterëve dhe patentat e përdorura për zgjerimin e aktivitetit të biznesit). Bullgaria ofron amortizim të përshpejtuar dy vjet për kompjuterë dhe pajisje të reja prodhuese. “Irlanda lejon zbritjen shtesë prej 25% mbi shpenzimet realisht të kryera për investitorët që realizojnë dizenjimin dhe zhvillimin e sistemeve të integruara dhe inovative të hardware dhe software, algoritme komplekse software-sh, modele dhe zgjidhje matematike”. Por në gjithë këtë konkurrencë të renditur shihet qartë se Shqipëria ka zgjedhur të bëjë një ndryshim që sërish nuk na barazon apo na bën më konkurrentë se fqinjët. Ndryshimi nuk prek në fakt problemin real që ka sektori që lidhet sidomos me profesionistët e pakët dhe nevojën për edukimin e atyre që dalin nga bankat në këtë sektor, me një kurrikulë të rifreskuar dhe cilësore.

Joti: Nisma e paqartë, të huajt mund ta përdorin si parajsë fiskale

Aksioneri kryesor i Infosoft, një prej kompanive kyçe në treg në sektorin e IT Grigor Joti, nënvizon se nisma nuk është e qartë. “Nxitja e dhënë nga qeveria, që redukton tatimfitimin nga 15% në 5%, mbetet e paqartë në aspektin e zbatimit të saj. Gjatë takimeve që kemi pasur me përfaqësuesit e qeverisë, na është thënë se do të dalin udhëzime të posaçme për mënyrën e aplikimit. Duhet të kemi parasysh që kompanitë që zhvillojnë aktivitetin në fushën e IT, japin shërbime të integruara dhe prodhimi i software është një pjesë integrale e tyre, kurse lehtësia fiskale është parashikuar vetëm për segmentin e prodhimit të software. Pyetja që shtrohet është si do të diferencohet fitimi që ka arkëtuar një kompani nga shërbimi i saj në segmentin e prodhimit të software kur ky i fundit shoqërohet edhe me shërbime të tjera?” – pohon ai. Nga ana tjetër, kompanitë e huaja mund ta shfrytëzojnë rastin e Shqipërisë, si një mundësi për të paguar më pak tatimfitim sesa në vendin e tyre mëmë, duke hapur këtu një degë, por qeveria duhet të jetë e kujdesshme që të sanksionojnë qartë tek aktet nënligjore kushtet e përfitimit të lehtësisë, duke bërë që të maksimizohet pjesa që merr ekonomia shqiptare. Psh, thotë ai, një kompani kroate A, që operon në fushën e IT, vjen dhe regjistron në Shqipëri kompaninë B, si kompani që prodhon software dhe ka vetëm dy të punësuar. Kompania A, në Kroaci prodhon software, të cilin ia shet kompanisë B në Shqipëri me vlerën e kostos, p.sh. 100,000 euro. I njëjti software por nën etiketën e rizhvillimit, rishitet nga B në një kontraktor të A diku në Kroaci apo në një vend tjetër për 200,000 euro. Tatimfitimi në këtë rast për kompaninë B, por edhe për kroaten A, është 5%.

Skema e shmangies

Një kompani kroate A, që operon në fushën e IT, vjen dhe regjistron në Shqipëri kompaninë B, si kompani që prodhon software dhe ka vetëm dy të punësuar. Kompania A, në Kroaci prodhon software, të cilin ia shet kompanisë B në Shqipëri me vlerën e kostos, p.sh. 100,000 euro. I njëjti software por nën etiketën e rizhvillimit, rishitet nga B në një kontraktor të A diku në Kroaci apo në një vend tjetër për 200,000 euro. Tatimfitimi në këtë rast për kompaninë B, por edhe për kroaten A, është 5%.

Frangu: Ulja e tatimfitimit, pozitive, por kemi “varfëri në profesionistë”

Nisma e ndërmarrë nga qeveria për uljen e tatimfitimit është diçka pozitive, por që edhe për Armand Frangun, anëtar i Bordit Drejtues të Albanian ICT Association, njëkohësisht drejtor ekzekutiv i B360 sh.p.k. mbetet e paqartë. Sipas tij, numri i atyre që përfitojnë është i vogël dhe ndoshta vëmendja duhet të ishte fokusuar më gjerë. “Nisma e ndërmarrë është diçka shumë e mirë, por është për një pjesë shumë të vogël të ekonomisë. Ndoshta ajo do të kishte rendimentin më të madh, do ishte plotësimi i legjislacionit administrativ dhe fiskal që ka lidhje me e-Commerce. Është një fushë që zhvillohet shpejt dhe ka vështirësi reale të ndiqet me rifreskime ligjore, por edhe e lënë në mëshirë të fatit po pengon zhvillimin e biznesit. e-commerce, në radhë të parë, do ta bënte më efektive ekonominë, do të ndihmonte biznesin vendas dhe indirekt, do të rriste edhe sektorin e IT-së, që i ndërton dhe mirëmban platformat ku zhvillohet e-Commerce”, – shprehet Fragu. Nga ana tjetër, duke u ndalur në zhvillimin dinamik të tregut, ai thekson se rritja ka ardhur si nga investimet e bëra në vend nga sektori publik, ashtu edhe nga kërkesa që vjen nga jashtë për nënkontraktimin e shërbimeve. “Faktori që ka ndikuar në rritje lidhet me shtimin e eksportit të shërbimeve, kryesisht kontrata të software outsourcing (programe me porosi). Për këto kontrata ka kërkesa reale dhe të vazhdueshme nga tregu i huaj, pra kanë potencial të konsiderueshëm rritje, por ndërkohë ka një pengesë gjigante që është numri i vogël i profesionistëve dhe inxhinierëve IT cilësor që prodhon sistemi ynë arsimor. Shqipëria prodhon një numër tepër të vogël programuesish. Ndoshta këtu duhet vënë theksi, tek rritja e pranimeve në Universitete, pa cenuar cilësinë e mësimdhënies për studentët e degëve të shkencave kompjuterike. Është hapi më i rëndësishëm që mund të bëhet” pohon Frangu.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of