Grantet për rikonstruksionin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti, për 11 bashki është shpërndarë 60% e fondit

09/11/2020 2:00 PM 0 komente

Rreth 60% e fondit të miratuar për grantet e rikonstruksionit të apartamenteve dhe shtëpive individuale të dëmtuara nga tërmeti janë paguar deri tani, sipas të dhënave të Ministrisë të Rindërtimit. Përfitues të këtyre grandeve janë 22 mijë familje për 11 bashki të vendit. Totali i fondit të miratuar për t’u shpërndarë është 9,8 miliardë lekë.

Programi për dhënien e granteve të rikonstruksionit parashikon që punimet për dëmtime të klasifikuara, si: DS1, DS2, DS3, të mund të kryhen vetë nga qytetarët me rimbursim shteti. Në total në  11 bashkitë e vendit, sipas Ministrisë të Rindërtimit kanë aplikuar online 48,708 qytetarë. Nga këto 25,863 janë klasifikuar DS1, DS2, DS3 për rikonstruksionin nëpërmjet granteve, ndërsa 22,845 janë klasifikuar DS4, DS5 dhe do të përfshihen në programet e rindërtimit. Faza e aplikimeve në platformën elektronike zgjati 1 muaj nga 28 janari deri në 28 shkurt.

Deri tani me këtë program për Tiranën janë paguar 50% e totalit të përfituesve të miratuar. Për këtë bashki janë miratuar si përfitues 6,061 familje. Në bashkinë e Durrësit, sipas të dhënave zyrtare janë paguar 86% e totalit të përfituesve. Në bashkitë si Lezhë, Krujë procesi ka përfunduar. Në bashkinë e Rrogozhinës është drejt përfundimit, në Mirditë janë shpërndarë 70% të granteve të miratuara dhe rreth 80% e procesit ka përfunduar në Kavajë.

Në total në vend janë shembur 115 pallate, ku numri më i lartë rezulton në Shijak në 30 pallate, 22 në Kurbin, 5 në Durrës, 8 në Kamëz, 10 në Kavajë, 19 në Vorë, 16 në Krujë, 4 në Lezhë dhe 1 në Mirditë. Në total për t’u riparuar janë 242 pallate.

Numri më i lartë i shembjeve do të jetë për shtëpitë individuale apo siç njihen ndryshe shtëpitë private. Referuar shifrave të Ministrisë së Rindërtimit numri i tyre llogaritet në 1,523 objekte. Numri më i lartë i tyre është në Krujë në 814 dhe në Vorë në 369 shtëpi. Në Shijak do të shemben 99 shtëpi individuale  dhe në Kamëz 81. Për t’u riparuar janë 607 shtëpi individuale

Procesi me donatorët

Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj për procesin me donatorët, shpjegoi më herët se janë 277 milionë euro grante për projekte, ku 18 marrëveshje janë miratuar me vlerë 260 milionë euro. “Në proces negocimi janë edhe 3 marrëveshje të tjera me vlerë 11 milionë euro. Si dhe 250 milionë euro kredi në proces negocimi përkatësisht nga AF (qeveria franceze) 60 milionë euro për ujësjellësin e Durrësit; 90 milionë të Italisë do të përdoren për 3 projekte, në energji, mbrojtjen civile dhe portet e peshkimit.  Kanë nisur negociatat me Bankën Europiane të Investimeve (BEI) për marrjen e kredisë me vlerë 100 milionë euro, ose për projekte në infrastrukturë ose për projekte sociale, e cila do të përcaktohet pas aprovimit.”

Burimi: Ministria e Rindërtimit

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of