Ekonomia po nxjerr në pah problemin e saj gjinor
Në thelb të ekonomisë, ekziston besimi i fortë në virtytet e konkurrencës së hapur, për të përdorur të gjitha burimet në mënyrë efikase, shkruan The Economist.
Falë fuqisë së këtij besimi, ekonomistët në mënyrë rutinë këshillojnë politikanët se si të drejtojnë politikat publike, ndërsa biznesmenët sesi të drejtojnë firmat e tyre. Megjithatë, kur bëhet fjalë për t’i zbatuar vetë këto këshilla, ekonomia akademike duhet të bëjë më shumë për të respektuar standardet e vendosura edhe për pjesën tjetër të botës.
Në veçanti, ajo rekruton shumë pak gra. Edhe ato gra që punojnë në këtë profesion shprehen se trajtohen në mënyrë të padrejtë dhe se nuk u jepen mundësitë për t’u realizuar plotësisht profesionalisht. Ka ardhur koha që shkenca të përmirësojë të dhënat negative në drejtim të diskriminimit gjinor. Për dekada të tëra, numri i grave që kanë qenë pjesë e stafeve akademike shkencore, të teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës ka qenë shumë i ulët. Edhe ekonomia është pjesë e kësaj liste. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një në shtatë profesorë me kohë të plotë dhe një në tre kandidatë për doktoraturë është grua. Përmirësimet në këto 20 vitet e fundit kanë qenë të pakta.
Sipas një sondazhi të kryer nga Shoqata Ekonomike Amerikane, të gjitha ato gra që ia dalin të bëhen ekonomiste akademike trajtohen keq. Vetëm 20% e grave që morën pjesë në këtë sondazh u shprehën se ishin të kënaqura me mënyrën sesi ato trajtohen në ambientet e punës, krahasuar me 40% të burrave. Rreth 48% e grave u shprehën se ato ishin përballur me diskriminim në punë, për shkak të gjinisë, krahasuar me vetëm 3% të burrave të anketuar.
Janet Yellen dhe Ben Bernanke, dy ish-drejtues të Rezervës Federale dhe Olivier Blanchard, ish-kryeekonomist i FMN-së, deklaruan për këtë sondazh se numri i personave që janë ndier të diskriminuar në karrierën e tyre ka qenë i madh. Për t’u marrë me problemin e diskriminimit gjinor, ekonomia ka nevojë për dy mjete, të cilat i përdor shpesh për të analizuar dhe për të zgjidhur problemet: aftësinë e saj për të grumbulluar të dhëna dhe kapacitetin për të eksperimentuar.
Le të analizojmë fillimisht të dhënat. Edhe pse studimi i Shoqatës Ekonomike Amerikane është shumë me vlerë, vetëm një e pesta e 45,000 anëtarëve të saj aktualë dhe atyre që kanë qenë dikur pjesë e saj, u janë përgjigjur sondazheve të saj. Duhet ende punë kërkimore për të kuptuar se përse gratë nuk inkurajohen që të bëhen ekonomiste, por e kundërta, dhe pse ato që ia arrijnë të bëhen, diskriminohen gjatë gjithë karrierës. Duhen bërë më shumë krahasime edhe ndaj profesioneve të tjera ku gratë po rriten profesionalisht.
Duhen më tepër të dhëna dhe njëkohësisht edhe të dhëna më cilësore për të kuptuar sesi diskriminohet puna e grave ekonomiste. Disa prej të dhënave tregojnë se atyre u kërkohen standarde më të larta se kolegët burra, dhe se atyre u jepet më pak mbështetje për shkrimet analitike në krahasim me kolegët meshkuj.
Ekonomia duhet të studiojë edhe se si mungesa e grave i kapërcen prioritetet akademike dhe shoqërohet me kosto të lartë intelektuale. Për shembull, ekonomistët janë më të shqetësuar në lidhje me kushtet e tregut të punës për burrat apo për gratë? Sa më shpejt që të qartësohet kjo tablo, aq më shpejt dhe më e lehtë do të jetë që të ndërmerren vendime për të ndryshuar rekrutimin dhe për të reformuar jetën profesionale.
Prioriteti tjetër është që ekonomistët të eksperimentojnë me ide të reja, ashtu siç rekomandon edhe Shoqata Ekonomike Amerikane. Për një disiplinë që vlerëson dinamizmin, ekonomia akademike shpeshherë është konservatore, duke filluar që nga metodat e mësimdhënies, procedurat e punësimit dhe konventat sociale të cilat vazhdojnë të jenë po ato të disa dekadave më parë. Sondazhi i zhvilluar nga kjo Shoqatë nxjerr në pah se edhe ato gra që kanë pranuar të intervistohen, janë shprehur se edhe ato kanë qenë pjesë e diskriminimit gjinor. Për shembull, 46% e grave nuk kanë marrë guximin për të bërë një pyetje apo për të prezantuar një ide në konferenca të ndryshme, për shkak të frikës se do të trajtohen padrejtësisht, krahasuar me 18% të burrave.
Inovacioni ka mbetur shumë mbrapa. Seminaret apo konferencat mund të organizohen në mënyrë që të gjithë folësve t’u jepet një mundësi e barabartë. Në vend që ekonomia ta shmangë këtë problem, ajo duhet ta pranojë atë, ta analizojë objektivisht shkallën e tij dhe të gjejë zgjidhjet e duhura për të. Dhe nëse zgjidhja e këtij problemi do të ishte rritja e numrit të grave në ekonomi, ku këto të fundit të mos diskriminohen për shkak të gjinisë, por të trajtohen mirë, ajo çka do të ndodhë është që do të rritet konkurrenca për ide të ndryshme, si dhe do të ketë një përdorim më efikas të burimeve.
Tek e fundit, cili ekonomist mund të ishte kundër një zgjidhjeje të tillë?