Bizneset që udhëhiqen nga gratë në Kosovë, në ditën e tyre, 8 Marsin, kanë përfituar mbështetje nga qeveria përmes Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike. Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka thënë se mbështetja për gratë do të jetë e vazhdueshme në mënyrë që ato të krijojnë pavarësi e qëndrueshmëri.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka nënshkruar sot marrëveshjen me përfitueset e bizneseve të vogla të grave nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike për vitin 2021.
Hoti këtë e bëri në shënimin e 8 marsit, Ditën Ndërkombëtare të Gruas, aktivitet ky që është mbajtur në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.
Hoti ka thënë se mbështetja për gratë do të jetë e vazhdueshme në mënyrë që ato të krijojnë pavarësi e qëndrueshmëri.
Duke uruar 8 marsin, Hoti ka falënderuar ato për kontributin e pashembullt në familje e shoqëri.
“Është ditë kur shprehim mirënjohjen për kontributin e grave. Jemi përballë një situatë të vështirë të pandemisë dhe kemi parë që këto norma ndikojnë në jetën e grave dhe vajzave. Ky është kontribut i jashtëzakonshëm për ata që marrin këto shërbime brenda familjes. Pandemia ka ndikuar të bizneset e vogla dhe rrjedhimisht kanë pësuar më shumë nga kjo pandemi”.
Kryeministri në detyrë ka treguar se sa biznese e familje janë ndihmuar deri më tani.
“Ne kemi rivlerësuar prioritet në kuadër të kapacitete për të mbështetur ekonominë dhe t’i targetojmë grupet e grave në biznes. Atëherë patëm ndarë 2 milion euro. Ne kemi siguruar vazhdimësinë e edukimit për 6 948 fëmijë. Institucionet tjera kanë ndihmuar gratë në biznes rreth 400 mijë euro ministrisë e Tregtisë”.
Ai më tej la bërë të ditur, se kanë ndarë mjete për 10 strehimore të grave.
“Kjo do të vazhdojë edhe më tutje që të fuqizojmë gratë në ekonomi dhe ta eliminojmë dhunën ndaj tyre. Sivjet kemi dizajnuar masa 4.1 milionë euro shkon në dy drejtime. Ne sot nënshkruajmë disa prej aplikimeve që janë bërë duke i shpallur përfituesit e fazës së dytë. Po e përmbyllim këtë program ku sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, Kosova është në mesin e 15 vendeve që kishte masa për sigurimin e grave”.
Sipas platformës elektronike “Bizneset e Hapura”, vetëm 11 për qind e bizneseve aktive në Kosovë, ose 23,416 biznese udhëhiqen nga gratë.
Ajo që vërehet në këtë platformë është se aktivitetet biznesore me numrin më të madh që udhëhiqen nga gratë janë; sallonet e floktarisë dhe trajtimet e tjera të bukurisë me mbi 3000 biznese, pasuar nga tregtia më pakicë në dyqane jo të specializuara ku mbizotëron ushqimi dhe tregtia me pakicë e veshjeve.
Pavarësisht numrit të vogël të grave në biznes në platformën elektronike, “Biznese të Hapura”, në top 10 bizneset sipas vlerës së kapitalit, në rend të parë radhitet një biznes në sektorin e transportit ajror, që drejtohet nga një grua.
Në anën tjetër, zyrtarë të qeverisë vazhdimisht kanë premtuar fuqizimin e pjesëmarrjes dhe performancës së gruas në biznes.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.