Nga marsi e deri më sot është rritur me 257% numri i shitësve që përdorin Telegram për publikimin e Green Pass false. Kostoja e blerjes së certifikatave false të vaksinimit është përgjysmuar nga 200 dollarë për person në mars në vetëm 100 dollarë sot.
Këto janë të dhënat më të fundit globale nga kompania e sigurisë informatike Check Point Software Technologies, disa ditë pas operacionit blic të policisë në Itali, i cili sekuestroi 32 kanale në Telegram.
Sipas ekspertëve, aktualisht në Telegram janë aktivë 2500 grupe. Disa grupe numërojnë mesatarisht 100 mijë ndjekës secili, ndërsa te të tjerë, numri i ndjekësve është më shumë se 450 mijë. Numri i vendeve të përfshira në kërkesën për pasaportë vaksinimi false është rritur. Në mars ishin mbi të gjitha Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania.
“Në këtë moment, certifikatat e vaksinimit false janë të disponueshme për t’u blerë në thuajse gjithë vendet. Shitësit po zgjedhin të bëjnë biznes në Telegram, pasi platforma rrit shpërndarjen e tyre – shpjegon Oded Vanunu, Head of Products Vulnerabilities Research di Check Point Software Technologies. – Besojmë se kjo rritje nxitet nga përhapja e shpejtë e variantit Delta dhe nga nevoja urgjente për të vaksinuar të gjithë. Këshillojmë njerëzit të mos u besojnë këtyre shitësve për asnjë arsye, duke qenë se ata synojnë diçka më shumë se sa thjesht shitja e dokumenteve false të vaksinimit”.
/ ANSA