Në Dhërmi, në bregdetin jugperëndimor të Shqipërisë, disa biznese të turizmit në vendin fqinj ballkanik paguajnë deri në 40 euro në ditë, pasi sektori ka përjetuar një bum në vitet e fundit (kështu e nis shkrimin e tij gazetari grek).
Nga Yiannis Elafros
“Turisti shqiptar” ishte më shumë një shaka sesa një realitet politik diku rreth viteve ‘90. Gjërat kanë ndryshuar. Shumë emigrantë grekë janë kthyer në vendin e tyre, nga ana tjetër për shkak të krizës, grekët gjithashtu i janë drejtuar fqinjëve në kërkim të një pune. “Unë punoj rregullisht në Shqipëri, në sektorin e ndërtimit”, thotë një punëtor nga Thesprotia, në veri të Greqisë, i cili nuk dëshiron të tregojë emrin e tij. “Gjithnjë e më shumë ndeshem me grekë që vijnë nga vende të ndryshme për të punuar në Shqipëri”, thotë ai. Pjesa më e madhe e atyre që kanë ardhur në Shqipëri, e kanë bërë këtë falë ndihmës që iu kanë dhënë emigrantët shqiptarë, të cilët tashmë kanë vendosur të kthehen dhe të investojnë në atdhe.
“Pagat në Shqipëri janë shumë të ulëta. Punëtorët e ndërtimit paguhen 7-10 euro në ditë, ndërsa zanatçinjtë rreth 15 euro ose 20 euro në ditë nëse janë me fat”, thotë punëtori i ndërtimit. Natyrisht që këtu kostoja e jetës është më e lirë se në Greqi. “Duhet ta kuptoni se ata që shkojnë në Shqipëri për të kërkuar punë janë me të vërtetë të dëshpëruar”, vazhdon ai.
Një pjesë e kompanive shqiptaro-greke po kërkojnë staf të specializuar nga Greqia, përfshirë këtu inxhinierë për të punuar në projekte të ndryshme në Shqipëri. Është një punë e vështirë për pak para.
“Bëhet fjalë për 10 orë punë në ditë, me katër ditë pushim në muaj, d.m.th dy fundjava”, thotë një punëtor nga Janina, i cili e ka kapërcyer shpesh kufirin për punë. Ai thotë se punëtorët meshkuj udhëtojnë vajtje-ardhje për të takuar familjet e tyre në Greqi. “Nuk është perfekte, por është më mirë se asgjë, veçanërisht për shkak të situatës që po kalohet në Greqi”, thotë ai.
Eksodi nuk është i madh, kryesisht për shkak të pagave të ulëta, por edhe për shkak të vendeve të kufizuara të punës. Megjithatë për herë të parë, grekët që nuk janë punonjës ose drejtues të degëve të kompanive të mëdha po udhëtojnë drejt Shqipërisë për të punuar. Trendi shënoi rritje veçanërisht gjatë periudhës së verës, ku shumë grekë erdhën të punonin në turizëm, në Jug të Shqipërisë, ku pagat janë më të larta diku rreth 30-40 euro në ditë.
Megjithatë, nuk ka një trend të qartë dhe të qëndrueshëm, të dhënat konfirmohen nga Departamenti i Punës në ministri. Zyrtarët thonë se pjesa më e madhe e të huajve që punojnë në Shqipëri janë turq, grekë, maqedonas, italianë, kanadezë apo edhe italianë. Në vitin 2012, numri i lejeve të dhëna u llogarit në rreth 2,500, 8% më shumë se në vitin 2011. Pjesa më e madhe e punëve nuk kanë nevojë për leje pune, gjë e cila mbështet trendin afatshkurtër të punësimit.
(Marrë nga “Ekathemerini”)
Emigrantët, tani jemi ne
…Cilët janë italianët që emigrojnë në Shqipëri? Profili: mashkull, 25-50 vjeç nga Veriu. Shkollimi është i ndryshëm, “Të përjashtuar” nga sistemi i prodhimit, nisen për udhëtim. Nuk është tamam një udhëtim qejfi. Në fillim ishin punëtorë të uritur që punonin edhe me kosto të ulët. Tashmë ata që emigrojnë janë punëtorë, artizanë, elektricistë, hidraulikë, saldatorë, mekanikë, por edhe avokatë, mjekë e arkitektë, madje edhe punëtorë të call center. Një sektor që po zhvillohet gjithnjë e më shumë. Janë të shumta ato kompani që e kanë transferuar “baterinë” e recepsionistëve këtu (Gruppo Abramo, Teleperformance, Infocall, Teletu, Transcom, Grid e Marina Salamon, etj). Inflacioni i telefonistëve lokalë është italian. Mund të ngatërrohen me ata të studentëve tanë.
Për të qëndruar në rreth 50 universitete private shqiptare nuk kundërshtojnë 200-300 euro në muaj. Kaq është paga mesatare. Por, jeta këtu kushton sa një e katërta. “Më mirë pak sesa asgjë”. Kjo është motoja e emigrantëve të rinj. Dy vjet më parë, sot 26 vjeç, Davide Barzani bëri gati valixhet në Brescia dhe u zhvendos në Tiranë ku punon në zanatin e tij, si saldator. Pastaj, duke qenë se gjërat shkuan mirë nisi që të jepte mësim. “Gjashtë nxënës, një tavolinë dhe një saldatriçe”, rrëfen në laboratorin ‘Bota e saldimit’. – Tregu po zgjerohet dhe ka punë. Si erdha këtu? Falë një miku shqiptar”.
Alberto Rossi është konsulent në një klinikë private me kapital italian. “Ka nga ata që vijnë nga dëshpërimi ose për t’i shpëtuar falimentimit, ose sepse ‘nuhasin’ potencialin”.
Burokracia është më e ulët, shkalla e tatimit 10% nga 70% që është në Itali, ka shumë sektorë që krijojnë hapësira sepse niveli i specializimit është ai që është. Ka të ngjarë që tendenca e ‘migracionit të ndërsjellë’ të dyfishohet në dy–tre vitet e fundit”, thotë Rossi.
Sa është numri i italianëve të mbërritur deri tani? Shifrat janë të ndryshme. Nisemi nga ato të sipërmarrjes. Të dhënat e Dhomës së Tregtisë na çojnë në një sondazh të realizuar nga Istat në vitin 2012 që llogarit 1,460 sipërmarrje që kanë të paktën një aksioner italian. Vlerësimi zbret në 600 nëse merren në konsideratë ato që janë operative. Le t’i hedhim një sy popullsisë. Numri i italianëve rezidentë llogaritet në 500, ndërsa janë rreth 1,800 leje qëndrimi në “progres” (ndaj një popullsie prej 2.8 milionë banorësh). Nga ana tjetër nuk duhen harruar edhe ata që studiojnë mjekësi në universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë” që është binjakëzuar me “Roma Tor Vergata” (edhe pse kronikat sjellin në kujtesë vetëm rastin “Trota” të Renzo Bossi-t dhe të diplomave të blera)…
(Marrë me shkurtime nga La Repubblica)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.