Të ardhurat e buxhetit në Greqi shënuan një rënie të madhe në nëntë muajt e parë të vitit, me tatimin mbi vlerën e shtuar të goditur më keq.
Në të njëjtën kohë edhe të ardhurat nga taksimi i pasurive të patundshme janë gjithashtu në rënie për shkak të opsionit të dhënë nga qeveria për taksapaguesit për të vonuar pagesën e këstit të parë të Taksës së Veçantë të Pronës (ENFIA) deri në fund të Tetorit.
Në total, të ardhurat janë 5.49 miliardë euro nën objektiv, ku 3.1 miliardë euro prej tyre vijnë nga taksa e konsumit, sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Financave.
Të dhënat e shtatorit ofrojnë një pamje më të mirë të situatës së tërë vitit; muajin e kaluar të ardhurat nga taksat arritën në 3.898 miliardë euro, 1.948 miliardë euro jashtë objektivit mujor të përfshirë në buxhet.
E gjithë kjo situatë e ka çuar deficitin primar të buxhetit në 7 miliardë euro, ndërsa gropa në buxhet arrin në 9.5 miliardë euro, pasi përfshin gjithashtu edhe suficitin primar të parashikuar fillimisht prej 2.5 miliardë euro.
Në nëntë muajt e parë të vitit, të ardhurat nga taksat arritën në 30.988 miliardë euro ose minus 15.1% nën cakun e buxhetit./Ekathimerini