Partia në pushtet Demokracia e Re e Greqisë, shënoi një fitore dërrmuese në zgjedhjet parlamentare të ditës së diel, por nuk fitoi shumicën e plotë, në një votim të dominuar nga kriza e kostos së jetesës, një skandal përgjimi, si dhe zemërimi për aksidentin vdekjeprurës të trenit të disa muajve më parë.
Me më shumë se 99% të votave të numëruara, partia qeverisëse e qendrës së djathtë e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, tejkaloi të gjitha pritshmëritë, duke mbledhur më shumë se 40% të votave, në një rezultat që ai e përshkroi si një “tërmet politik”.
Opozita e tij kryesore, partia e qendrës së majtë Syriza e Alexis Tsipras, pësoi humbje të mëdha, duke u renditur e dyta, me pak më shumë se 20% të votave.
Megjithatë, Mitsotakis nuk fitoi vota të mjaftueshme për të siguruar një qeveri njëpartiake. Votimi u mbajt sipas një sistemi të ri të përfaqësimit proporcional, që kërkon një prag prej rreth 45%.
Presidentja greke Katerina Sakellaropoulou, do t’u japë tre partive kryesore deri në tre ditë, për të formuar një koalicion, megjithëse Mitsotakis ka treguar tashmë se nuk është i interesuar ta ndajë pushtetin.
“Pa dyshim, tërmeti politik, që ndodhi sot, na bën thirrje të gjithëve të përshpejtojmë procesin për një zgjidhje përfundimtare të qeverisë, në mënyrë që vendi ynë, të ketë një dorë me përvojë në krye të tij sa më shpejt të jetë e mundur,” u tha Mitsotakis mbështetësve të gëzuar të Demokracisë së Re të mbledhur jashtë selisë së partisë në Athinë.
Çfarë do të ndodhë më vonë?
Pavarësisht se nuk mori vota të mjaftueshme në raundin e parë, Demokracia e Re ka treguar se nuk dëshiron të krijojë një koalicion qeverisës.
Nëse partia nuk arrin të formojë një koalicion, do të krijohet një qeveri e përkohshme dhe një votim i dytë do të bëhet në fund të qershorit, ose në fillim të korrikut.
Ai raund do të mbahet sipas rregullave të ndryshme, që kërkojnë që partia fituese të arrijë vetëm 37% të votave, ku partia fituese përfiton një bonus deri në 50 vende në parlament.
“Udhëheqja e fortë dhe stabiliteti politik është ajo që kërkojnë tregjet dhe investitorët,” tha Wolfgango Piccoli, bashkë-president në firmën këshillimore financiare Teneo. “Një qeveri koalicioni do të ngrinte shqetësimin për stabilitetin politik.”
Meqenëse shumë grekë tashmë janë përfshirë në një votim të dytë, analistët thonë se disa nga votuesit e së dielës zgjodhën të votonin për partitë më të vogla, për të treguar pakënaqësinë e tyre me sistemin politik. / CNN