Greqia, Gjermania dhe pesë shtete të tjera të Bashkimit Europian prezantuan në fillim të kësaj jave një sistem certifikatash vaksinimi për udhëtarët, disa javë përpara nisjes së këtij programi më 1 korrik, në të 27 vendet anëtare të Bllokut.
Sipas Komisionit Europian, vendet e tjera që e kanë nisur më parë këtë procedurë janë Bullgaria, Republika Çeke, Danimarka, Kroacia dhe Polonia.
Greqia, e cila varet shumë nga turizmi, e ka kërkuar prej kohësh përdorimin e kësaj certifikate vaksinimi, e cila do të njihet në të 27 vendet e Bllokut dhe do të përdorë një kod QR me karakteristika të larta sigurie.
Certifikatat po u jepen njerëzve që janë plotësisht të vaksinuar, si dhe atyre që e kanë kaluar tashmë virusin dhe kanë zhvilluar antitrupa, si dhe atyre që kanë bërë një test PCR brenda 72 orëve të fundit.
Dokumentet do të jenë në formë dixhitale dhe të printuar. Ato do të jenë falas, të shpërndarë në gjuhën kombëtare dhe në anglisht dhe do të jenë të vlefshme në të gjitha vendet e bllokut.
“Qytetarët e BE-së po presin me padurim që të udhëtojnë sërish, por duan që ta bëjnë një gjë të tillë në mënyrë sa më të sigurtë.
“Ky është një hap shumë i rëndësishëm që ne kemi marrë”, tha Komisionerja e Shëndetësisë e BE-së, Stella Kyriakides.
Ministri grek i Qeverisjes Dixhitale, Kyriakos Pierrakakis, tha se procedurat e udhëtimit brenda BE-së do të lehtësohen ndërsa shtetet e tjera miratojnë standardin e ri të verifikimit.
“Ajo që do të ndodhë është që vendet nuk do të nxjerrin me certifikata të veçanta për secilin shtet por një certifikatë që do të njihet në të 27 vendet, gjë kjo e cila do t’i thjeshtojë procedurat në mënyrë të konsiderueshme, sepse në të kundërt ju mund të imagjinoni numrin e marrëveshjeve dypalëshe që do duhej të nënshkruheshin”, tha Pierrakakis për televizionin privat Skai.
Kyriakides tha se gjatë javëve të ardhshme, të gjitha shtetet e BE-së duhet të “përfundojnë plotësisht sistemet e tyre kombëtare për të lëshuar, ruajtur dhe verifikuar certifikatat, në mënyrë të tillë që sistemi të funksionojë gjatë sezonit veror.
Komisioni i BE-së beson se njerëzit që janë vaksinuar nuk do të testohen më ose të futen në karantinë, pavarësisht se nga apo për ku po udhëtojnë, nëse kanë kaluar 14 ditë pasi kanë marrë dozën e tyre të dytë./ Associated Press