Qeveria greke do të rrisë sërish pagën minimale, nga 1 Prilli, rritja e tretë në më shumë se një vit, deklaroi kryeministri Kyriakos Mitsotakis, vetëm disa muaj përpara përfundimit të mandatit të tij.
Qeveria konservatore e Mitsotakis, mandati katërvjeçar i së cilës përfundon në korrik, rriti pagën minimale bruto mujore dy herë vitin e kaluar në 713 euro pasi të ardhurat e familjeve u prekën nga inflacioni i lartë i vazhdueshëm.
Rritja e tretë parashikohet në masën 9.4 për qind, duke arritur në 780 euro nga 1 Prilli.
“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se pagat në vendin tonë janë ende të ulëta, ndërsa inflacioni i importuar po ushtron presion shtesë mbi to,” tha Mitsotakis.
“Natyrisht, kjo rritje e re nuk do ta zgjidhë problemin. Por sigurisht që do të ofrojë një lehtësim shumë të rëndësishëm,” tha ai, duke shtuar se rritja ishte maksimumi që qeveria mund të ofronte brenda kapaciteteve financiare të vendit.
Nga kjo rritje do të përfitojnë rreth 600 mijë punëtorë.
Që nga viti 2020, Greqia ka shpenzuar më shumë se 40 miliardë euro në subvencione dhe ndihmë financiare për familjet dhe bizneset që luftuan për të përballuar pandeminë e Covid-19 dhe rritjen e kostove të energjisë pas luftës në Ukrainë.
Këtë vit, qeveria greke prezantoi gjithashtu një rritje shtesë prej 8% për pensionistët, e para që nga viti 2010, kohë kur shpërtheu kriza e saj e borxhit. /Reuters