Greqia duhet të përfundojë bisedimet për ndihmë me huadhënësit ndërkombëtarë deri në 20 gusht, pasi parlamenti të miratojë paketën e dytë të masave të kërkuara nga kreditorët të mërkurën, tha zëdhënësja e qeverisë.
Kryeministri Aleksis Tsipras është përballur me një revoltë në partinë në pushtet Syriza lidhur me rritjen e taksave dhe uljen e shpenzimeve të kërkuara nga huadhënësit, por pritet që të kalojë paketën në parlament me mbështetjen e partive opozitare pro-evropiane.
Por ai tha javën e kaluar se kishte si qëllim të nënshkruante marrëveshjen e shpëtimit, e cila mund t’i ofrojnë Greqisë deri në 86 miliard euro në kredi të reja për të forcuar financat e saj të lëkundura dhe për të shmangur kërcënimin për daljen nga euro.
“Menjëherë pas votimeve të nevojshme, negociatat me huadhënësit do të fillojnë dhe 20 gushti është data e fundit,” tha zëdhënësja e qeverisë Olga Gerovasili në një deklaratë.
Zyrtarë nga institucionet e kreditorëve, Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar do të jenë në Athinë të premten për takime me qeverinë, tha zëvendës ministri i Financave Dimitris Mardas.
Votimi i së mërkurës në parlament pason një votim të parë javën e kaluar për të ashtuquajturat “veprimet paraprake” të kërkuara nga Greqia, si një parakusht para fillimit të bisedimeve të plota të shpëtimit.
Projekt-ligji u miratua, por 39 ligjvënësit e Syriza u revoltuan dhe refuzuan të mbështesin masat, duke ngritur pyetje mbi stabilitetin e qeverisë, e cila erdhi në pushtet në janar në një platformë të qartë anti-shtrënguese.
Krerët e partise së qendrës Potami dhe partisë socialiste PASOK Socialiste të dy thanë se do të mbështesin qeverinë Tsipras mbi marrëveshjen e shpëtimit, por kërkuan një “hartë rrugore” të qartë nga Tsipras për atë që do të ndodhte pas.
Rebelimi i javës së kaluar e la qeverinë të varur nga partitë opozitare. Qeveria ka një shumicë prej 162 vendesh në parlamentin 300 vendesh, por revolta e la atë me vetëm 123 vota dhe çdo dezertim i mëtejshëm mund të shihet si minim i perspektivës për reforma.
Disa zyrtarë qeveritarë kanë sugjeruar se nëse mbështetja bie nën 120 – nivelin minimal të kërkuar për të fituar një votëbesim në qoftë se parlamenti voton me kuorumin më të ulët të lejueshëm prej 240 ligjvënës – Tsipras do të jetë i detyruar të japë dorëheqjen.
Megjithatë, është e paqartë nëse ai do të japë dorëheqjen, pasi nëse do të mbahet një votë besim, ai me siguri do të fitojë me mbështetjen e partive opozitare pro-evropiane.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.