Ministrat e financave të eurozonës po shkojnë drejt një marrëveshjeje rezervë për t’i paguar Greqisë deri në 44 miliardë euro ndihmë, që po pritet prej shumë kohësh, por ende po përpiqen që të gjejnë kompromis lidhur me masat afat gjata për të reduktuar barrën e lartë të borxhit grek.
Ministrat e financave që do të mblidhen sot në Bruksel synojnë për një marrëveshje tentativë politike për të disbursuar huat në bazë të paketës së zgjatur shpëtuese, që do të miratohet formalisht pas konsultimit me parlamentet kombëtare, sipas zyrtarëve të përfshirë në diskutime.
Megjithatë ende mbeten diferenca mes kreditorëve të Be-së dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar lidhur me mënyrën se si duhet të ristrukturohet borxhi grek dhe nëse ai duhet reduktuar në 120% të PBB-së deri në vitin 2020, nivel që konsiderohet si referencë e qëndrueshmërisë.
Tensionet u shfaqën javën e kaluar teksa Christine Lagarde, shefja e FMN-së doli kundër Jean-Claude Juncker, kreu i i eurogrupit të ministrave të financave, kur ai sugjeroi se objektivi duhet të zgjatej nga 2020 në 2022.
Ndërkohë po rishikohen alternativa dhe për një shkurtim të borxhit, përfshirë lëvizjen që banka Qendrore Europiane dhe shtetet e eurozonës të heqin dorë nga paratë cash që u detyrohen, ose prezantimi i një obligacioni me skonto nga investitorët privatë, të cilët kanë përballuar një herë humbje të mëdha.