Nga e shtuna, Greqia do të hyjë në një bllokim të dytë kombëtar për tre javë, një mënyrë për të frenuar rigjallërimin e virusit.
Më herët, kryeministri grek kishte thënë se bllokimi do të ishte opsioni i fundit, por në një dalje për mediat, Kyriakos Mitsotakis tha se ishte i detyruar të veprojë pas rritjes së mprehtë të rasteve në pesë ditët e fundit, ndërsa presioni mbi sistemin e kujdesit shëndetësor ishte “ i padurueshëm”.
Sipas kufizimeve të reja në të gjithë vendin që do të hyjnë në fuqi nga e shtuna, bizneset me pakicë do të mbyllen, me përjashtim të supermarketeve dhe farmacive. Grekëve do t’u duhet një leje me SMS për të dalë jashtë. Shkollat fillore do të qëndrojnë të hapura, por shkollat e mesme do të mbyllen.
Prezantohet paketa e re ekonomike
Kreu i qeverisë theksoi se do të vijojë të jepet ndihma ekonomike. Pas vendosjes së bllokimit ministri i Financave, publikoi një paketë të re prej 3.3 miliardë eurosh, për t’u ardhur në ndihmë punëtorëve dhe familjeve të vendosura nën presion nga izolimi i dytë kombëtar.
Christos Staikouras tha se Greqia ka një rezervë parash prej 37.5 miliardë eurosh, gjysma e të cilave është mbledhur vitin e kaluar.
Paketa e mbështetjes ekonomike është “zgjeruar dhe zgjeruar” për të forcuar tregun e punës dhe familjet, por gjithashtu dhe për të mbrojtur “kohezionin social”, shtoi ministri.
Sipas masave të reja, punonjësit, kontratat e të cilave janë pezulluar nga kompanitë e mbyllura sipas kufizimeve të reja dhe të renditur në katalogun e bizneseve që kanë të drejtë për kompensim, të publikuar në prill në bllokimin e pranverës, do të marrin një pagë mujore prej 800 euro.
Bizneset e mbyllura do të kenë mundësinë të pezullojnë pagesat e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për nëntorin ose të paguajnë detyrimet e tyre në 12 këste me interes zero. Ata do të kenë gjithashtu mundësinë për të ngrirë përkohësisht këstin e nëntorit për taksat e prapambetura dhe kontributet e sigurimeve shoqërore. Punonjësve të cilëve u pezullohet kontrata u jepet i njëjti privilegj.
Përfitimet e papunësisë që skadojnë në nëntor dhe dhjetor janë zgjatur me dy muaj shtesë, shtoi ministri i Financave, ndërsa 130 mijë të papunë afatgjatë do të marrin një shpërblim të njëhershëm prej 400 euro.
Ashtu si në bllokimin e pranverës, bizneset që janë mbyllur dhe qiramarrësit privatë, kontratat e punës të të cilëve janë pezulluar, kanë të drejtën e një ulje të qirasë me 40%. Masat përfshijnë gjithashtu një plan për zgjatjen e pagesës së çeqeve.
Greqia, e cila humbi një të katërtën e prodhimit të saj kombëtar gjatë një krize financiare një dekada të gjatë, pret që ekonomia e saj të tkurret me 8.2% këtë vit./Ekathimerini