Qeveria do të sigurojë 330 milionë euro ndihmë për restorantet, baret dhe kafenetë për të blerë furnizime të mjaftueshme për të mbuluar dy ose tre muajt e parë pas rihapjes së tyre.
Kjo rihapje nuk do të ndodhë shpejt, sipas Kryeministrit Kyriakos Mitsotakis.
“Theksoj se ne nuk jemi gati sot të themi se kur do të hapen me orar të plotë. Kjo do të ndodhë kur kushtet epidemiologjike të na e lejojnë këtë”, tha Mitsotakis pas një takimi me përfaqësues të Federatës së Restoranteve dhe Bizneseve.
Ministri i Zhvillimit dhe Investimeve Adonis Georgiadis tha se rihapja e restoranteve dhe ndërmarrjeve të ngjashme “nuk është çështje për dy javët e ardhshme”, dhe se aktivitetet e tjera të biznesit kishin përparësi më të mëdha.
Paratë për ndihmën do të vijnë nga Fondet Strukturore dhe të Kohezionit të Bashkimit Europian (ESPA).
“Ne kemi hartuar ndihmën më të madhe sektoriale përmes ESPA-s,” tha Georgiadis.
“Problemi më i madh për të gjithë profesionistët e sektorit është se ata nuk kanë kapital qarkullues. Ne vendosëm të mbulonim blerjen e furnizimeve themelore për rifillimin, ”shtoi ai.
Në bizneset përfituese përfshihen ato që regjistruar rënie të shitjeve me të paktën 30 për qind në vitin 2020 krahasuar me 2019. Ndërmarrjet që u krijuan në vitin 2019 do të marrin ndihmë nëse, gjatë një pjese të vitit të kaluar, shitjet ishin 30% ose më shumë nën nivelin e vitit 2019. Ata që hapën dyqane në vitin 2020 pranohen automatikisht.
Kjo do të thotë që ndërmarrjet që kufizuan humbjet e tyre ose madje zgjeruan shitjet nuk kanë të drejtë të marrin ndihmë.
Shuma e ndihmës do të jetë 7% e shitjeve të vitit 2020. Kërkesat për ndihmë duhet të dorëzohen deri më 31 korrik dhe shuma e disbursuar duhet të shpenzohet deri më 31 dhjetor të këtij viti. Kjo do të kontrollohet nëpërmjet faturave, dhe çdo shumë që nuk është shpenzuar duhet të kthehet.
Llogaritet se 35-40 mijë biznese do të përfshihen në listën e ndihmës. Në muajin janar 2021, muajin e fundit për të cilin janë në dispozicion të dhënat zyrtare, shitjet në restorante, bare dhe kafene ishin 57.2% më të ulëta se janari i vitit të kaluar. Rënia më e madhe ishte në ishullin e Santorinit, me 92.8 për qind./Ekathimerini