“Ne duhet ta shpëtojmë vendin nga katastrofa . . . Të lësh euron do të ishte një katastrofë dhe ne synojmë që ta shmangim këtë,” tha z.Samaras.
Kryeministri u bëri apel anëtarëve të parlamentit nga partia e tij e qendrës së djathtë e Demokracisë së Re për të mbështetur një sërë masash jo popullore për reforma fiskale dhe strukturore, të cilat synojnë që të kursejnë rreth 13.5 miliardë euro shpenzime qeveritare, që Greqia ia ka premtuar kreditorëve ndërkombëtarë, në këmbim të pagesës së këstit të radhës së huasë. Votimi i paketës do të bëhet të mërkurën, i ndjekur nga një tjetër votim i rëndësishëm në fundjavë, lidhur me buxhetin e propozuar të vitit 2013.
Pagesa e huasë, që po vonohet prej një kohe të gjatë është e nevojshme për të rigjallëruar një ekonomi të sëmurë, duke rikapitalizuar bankat greke dhe duke shlyer faturat për furnizuesit e qeverisë. Rënia dakord për reformat është gjithashtu një parakusht që partnerët e eurozonës të Greqisë të rishikojnë paketën e dytë shpëtuese prej 174 miliardë eurosh.
Megjithatë, sfida e z.Samaras që të sigurojë mbështetjen politike për sakrificë të mëtejshme është bërë edhe më e madhe teksa vendi po shkon drejt vitit të gjashtë të recesionit dhe nuk shihet asnjë shenjë lehtësimi.
Një raport lidhur me buxhetin grek javën e kaluar, sugjeroi se raundet e mëparshme të masave të rrepta e kishin dobësuar aq shumë ekonominë, sa kishin rritur – jo ulur– raportin e borxhit publik ndaj prodhimit të brendshëm bruto në nivele që nuk ishin parashikuar as në skenarët më negativë.