Greqia, sëmundja kronike e Shqipërisë

21/05/2016 11:06 AM 0 komente

Ndërsa institucionet vendase e shohin si një problem të hedhur pas krahëve dhe nuk i japin vëmendjen e duhur, kriza greke vijon të gërryejë dalëngadalë atë pjesë të ekonomisë shqiptare të lidhur ngushtësisht me të

Në bulevardin “Zogu i Parë”, autobusi i një agjencie udhëtimi është gati për Athinë. Tabela shkruan “Tiranë-Athinë 50 euro” dhe krahasuar me gati një vit më parë (verën e kaluar), kur sapo u mbyllën bankat në Greqi, çmimi është disi më i lartë. Kjo është një shenjë shprese për të konfirmuar se lëvizjet kanë filluar të rriten dhe tregtia e mallrave po ashtu. Kujtojmë se Greqia ka qenë partneri i dytë historikiShqipërisë në tregtinë e jashtme, e shpesh ka kryesuar listën e vendeve investitore në Shqipëri.

Por çfarë po na ndodh në raport me vendin, për ecurinë e dobët të të cilit, vitin e kaluar Banka e Shqipërisë u detyrua të ulë 0.5% parashikimin e rritjes ekonomike. Që nga gjysma e dytë e vitit të kaluar dukej sikur i lamë pas këto shqetësime. Madje, ministri i Financave në një konferencë për shtyp në fillim të këtij viti pati theksuar se tashmë kemi hedhur mbrapa efektet negative të krizës greke. Por, realiteti nuk duket plotësisht i tillë. Për të kuptuar më shumë, se ç’ndodh në agjencitë e udhëtimit pranë qendrës së Tiranës, futemi brenda e pyesim. Mjafton të rrish pak aty e të kuptosh çfarë ndodh. Krahasuar me një vit më parë, udhëtimet drejt Greqisë, apo prej atje janë rreth 30% më pak. Gjithnjë e më i ulët është fluksi, thotë një prej punonjësve, ndërsa shkruan në kompjuter. Ai pohon se udhëtimet e vetme që bëhen janë për vizita te të afërmit. Një fenomen që filloi të dukej që ditët kur u mbyllën bankat, vetëm sa është theksuar. Flasim për dërgesat që familjarët u bëjnë fëmijëve të tyre atje. Nuk po flasim për turshi të konservuara, apo gatime tradicionale, por ushqime nga më të ndryshmet që gjenden në supermarket dhe për më tepër para ‘cash’. “Ka disa raste familjesh, që herë pas here u dërgojnë para fëmijëve që kanë krijuar familjeje të reja në Greqi”, thotë një prej menaxherëve të agjencisë. Ai shton se fakti ka filluar të theksohet që pas mbylljes së bankave gjatë vitit të kaluar, por vijon pothuajse me të njëjtin ritëm.

E nëse për zyrat e vogla të udhëtimit, fluksi ka rënë, edhe për shkak të konkurrencës, kompani të mëdha të organizuara si Albatrans, të paktën nuk kanë ulur ritmin e punës. Me tkurrjen e shënuar rreth një vit më parë, vijojnë të punojnë gjithë mjetet e transportit. Drejtuesit e kësaj kompanie, thonë se “fluksi nuk është rritur, ndërsa problemet me udhëtimet në Greqi vijojnë të mbeten njësoj”. Kujtojmë se që prej më shumë se një viti, qeveria greke ka vendosur që transporti i brendshëm, edhe për rastet e tureve, apo udhëtimeve të organizuara të zhvillohet nga kompani vendase, greke. Ndaj çdo kompanie tjetër ndërkombëtare, siç është Albatrans në këtë rast, i duhet të bashkëpunojë me një partner atje. E kundërta nuk ndodh në vendin tonë. Ku, pavarësisht kërkesës së shoqërive të udhëtimit për ta rregulluar tregun, automjetet greke mund të transportojnë lirisht udhëtarët.

Çfarë po ndodh në jug

Ndryshe nga ç’mund të pritej, bizneset greke që operojnë në Jug kanë krijuar një aktivitet të qëndrueshëm në pothuajse të gjithë sektorët ku operojnë. Kjo po ndodh se investitorët grekë në Jug të vendit kanë ndryshuar kursin e tregtisë dhe prodhimit të tyre. Një prej sipërmarrësve në Gjirokastrës, ish-drejtues i Dhomës së Tregtisë së Gjirokastrës, thonë se, “konkretisht, fasonistët grekë punojnë me porosi për vende të treta si për Gjermani, Francë, Norvegji etj. Mbështetur në këtë fakt kanë rritur kapacitetet e tyre në Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet”. Ai pranon se, me këtë zgjedhje, sipërmarrjet me kapital grek kanë shmangur krizën e vendit të tyre. Për më tepër, lidhja me tregje të tjera i ka ndihmuar ato të rriten e të japin ndikim pozitiv në ekonomi. “Nga viti 2014, numri i të punësuarve në këtë sektor është rritur me rreth 30%”, vëren z.Devolli. Në mëkëmbjen e punësimit në zonë ka ndikuar edhe ngritja e një firme turke, duke punësuar 150 punëtorë nga qyteti dhe fshatrat përreth. Kuptohet, në këtë sektor shfrytëzohet paga shumë e ulët prej 22 mijë lekësh në muaj. Vështirësi kanë bizneset që eksportojnë ne Greqi. Ato shesin më pak, por kanë vështirësi në likuidimin e faturave. Përfaqësuesit e institucioneve në jug, e shohin edhe më qartë prirjen e grekëve për të mbijetuar me anijen europiane të financimit.
“Vazhdon interesi i bizneseve greke për të investuar e për të mbështetur programet e Bashkimit Europian për zhvillimin e zonave ndërkufitare, por dhe resurset e ndërsjella si në ato të nxjerrjes e përpunimit të gurit, bulmetrave, produkteve të tjera ushqimore”, thonë sipërmarrësit e zonës. Më shumë se nga kriza greke, bizneset në jug të vendit thonë se po rëndohen nga rritja e tatimfitimit dhe tatimi mbi dividendin.

Importet, më të ulëtat prej vitit 2000

Vitin e kaluar dhe tre muajt e parë të këtij viti, deficiti tregtar mes Shqipërisë dhe Greqisë është përmirësuar. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, eksportet u rritën për dy vite radhazi, pas rënies së shënuar në vitin 2013. Vlera e tyre ishte 9.5 miliardë lekë, ose 7.6% më shumë se një vit më parë. Ndërkohë importet prej 42.7 miliardë lekë, ranë 18% krahasuar me një vit më parë. Ato shënuan nivelin më të ulët në vlerë të 15 viteve të fundit. Në tre muajt e parë të këtij viti vërehet se si importet dhe eksportet kanë shënuar një rritje të lehtë, por ritmi pak më i lartë i eksporteve bëri që deficiti tregtar të përmirësohet 4.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndërsa ekonomia shqiptare është përfshirë në betejën kundër informalitetit, vëmendja nga efekti negativ i ekonomisë së sëmurë fqinje, Greqisë, u shua. Qeveria, politika, deri tek ekspertët e fushës, po shpenzojnë shumë energji në debatin nëse plaga e brendshme kundër informalitetit po merr kurën e duhur. Ndërkohë, infektimi tashmë i ndodhur nga Greqia mbeti në dorë të fatit.

Më saktë, këta muaj u lanë vetëm sipërmarrjet që bashkëpunojnë me tregun grek, si shoqëritë e transportit, fabrikat e fasonit, kompanitë tregtare, e mbi të gjitha emigrantët e kthyer.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of