Greqia, si të gjitha vendet e Ballkanit ka parë një rritje të rasteve të reja me koronavirus në ditët e fundit. Të martën, autoritetet shëndetësore konfirmuan 121 raste të reja, dhe bënë thirrje për respektim të rreptë të masave.
“Duhet vigjilencë e madhe. Situata mund të dalë lehtësisht jashtë kontrollit”, deklaroi shefi i epidemiologjisë, Sotiris Tsiodras, duke theksuar se një rritje e vazhdueshme e rasteve me ritmin aktual mund të sjellë një valë të dytë të virusit brenda dy javësh.
Për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit dhe për të mbajtur situatën nën kontroll, autoritetet greke kanë forcuar masat edhe në pikat kufitare.
Duke filluar nga sot, hyrjet për kalimtarët në pikën kufitare të Kakavisë do të ndalohen nga ora 11:00 e mbrëmjes deri në orën 7:00 të mëngjesit.
Zëvendësministri i Mbrojtjes Civile, Nikos Hardalias, njoftoi gjithashtu se për të gjithë ata që do të hyjnë në Greqi nga Shqipëria nga data 16 gusht, do t’iu duhet të vetëkarantinohen për shtatë ditë.
Edhe orët e hapjes së klubeve të natës do të kufizohen në Greqi në të gjitha zonat ku ka vatra të reja të Covid-19. Kufizimi prej 100 personash në dasma, pagëzime dhe funerale do të zgjatet deri në fund të gushtit.
Përdorimi i maskave është rekomanduar të përdoret edhe në ambientet e hapura ku nuk ka distancim të mjaftueshëm social./Ekathimerini