Qeveria e re e Greqisë ka hequr dorë nga plani për të kërkuar kushte më të buta për paketën e dytë shpëtuese, pas paralajmërimeve se ai do të hidhej poshtë nga huadhënësit ndërkombëtare.
Yannis Stournaras, ministri i financave tha se koalicioni qeverisës do të duhet të përshpejtojë reformat përpara se të kërkojë për modifikime në programin prej 174 miliardë eurosh për të cilin është rënë dakord me Bashkimin Europian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.
“Programi nuk po zbatohet dhe ne nuk mund të kërkojmë asgjë nga kreditorët tanë në rast se nuk e fusim atë në rrjedhën e duhur,” tha z. Stournaras.
“Ka dritë në fund të tunelit, por është një tunel i gjatë,” shtoi ai.
Ndryshimi grek erdhi teksa zyrtarët e FMN-së dhe BE-së që po vizitojnë Athinën këtë javë përforcuan një deklaratë të Christine Lagarde, drejtores së FMN-së, në një intervistë televizive, se ajo nuk kishe ndonjë synim për të negociuar ose rinegociuar paketën shpëtuese greke.
Tre partitë e koalicionit u angazhuan gjatë fushatës elektorale se do të kërkonin një ose dy vjet zgjatje të programit për të lehtësuar ndikimin e pothuajse pesë viteve recesion, me papunësinë që tashmë ka arritur mbi 21%.