Një grevë 24-orëshe në shtatë aeroporte gjermane, përfshirë aeroportet në Frankfurt dhe Mynih, do të ndikojë tek 300,000 pasagjerë, pasi punëtorët e sindikatave kërkuan paga më të larta dhe kërcënuan një verë “kaosi”, nëse kërkesat nuk u plotësohen.
Greva përkoi me fillimin e Konferencës së Sigurisë në Mynih, ku pritet të marrin pjesë më shumë se 40 krerë shtetesh dhe 60 ministra.
Ministri i jashtëm i Rumanisë, në pamundësi për të hipur në një fluturim të anuluar, do të detyrohet të fluturojë për në Austri dhe më pas të bëjë më shumë se katër orë me makinë për në Mynih, tha një zyrtar i ambasadës rumune.
Kjo është e fundit në një seri grevash dhe protestash që kanë goditur ekonomitë e mëdha europiane, duke përfshirë Francën, Britaninë dhe Spanjën, pasi çmimet më të larta të ushqimit dhe energjisë ulën të ardhurat dhe standardet e jetesës pas pandemisë dhe luftës në Ukrainë.
Rreth 295,000 pasagjerë janë prekur nga anulimi i rreth 2,340 fluturimeve në aeroportet e Bremenit, Dortmundit, Frankfurtit, Hamburgut, Hanoverit, Mynihut dhe Shtutgartit, sipas shoqatës së aeroporteve ADV.
Sindikata gjermane Verdi njoftoi grevën ditën e mërkurë, pasi tha se përpjekjet e negociatave kolektive për stafin e shërbimit tokësor, zyrtarët e sektorit publik dhe punonjësit e sigurisë së aviacionit kishin bërë pak përparim.
Sindikata ka bërë presion për një rritje të pagave me 10.5%, ose të paktën 500 euro në muaj.
Ndër linjat ajrore të prekura, Lufthansa (LHAG.DE) tha se ishte detyruar të anulojë më shumë se 1,300 fluturime dhe të pezullojë operacionet në aeroportet qendrore të Frankfurtit dhe Mynihut të premten.
Kompania e transportit ajror nuk pranoi të japë një vlerësim të kostos së grevës, por në raste të mëparshme ka thënë se një veprim i tillë i kushton asaj 10-15 milionë euro në ditë.
Kreu i Verdi, Frank Werneke, i tha gazetës Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung se grevat nund të përfshijnë edhe spitalet dhe shërbimet e grumbullimit të mbeturinave./Reuters