1 shtatori edhe sivjet i ka gjetur mësimdhënësit në Kosovë në greva, kurse nxënësit jashtë bankave shkollore. Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka bërë të ditur se nuk do të mbahet mësimi për shkak të grevës. Për shkak të mos fillimit të mësimit, 320 mijë nxënësve u mohohet e drejta për arsim.
Në ditën kur do të duhej të nisë viti shkollor dhe nxënësit të jenë në shkolla është krijuar paqartësi. Shumë shkolla sot nëpër qytetet e Kosovës nuk janë hapur fare.
Ministria e Arsimit ka bërë thirrje që të nis procesi mësimor dhe fëmijët të dërgohen në shkolla.
Ministria e Arsimit në një deklaratë për media, të mërkurën theksoi se më 1 shtator, fillon viti i ri shkollor për të gjitha institucionet e arsimit fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë në Republikën e Kosovës.
MASHTI thekson më tej se përkundur faktit se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura, fillimi i suksesshëm i vitit shkollor vihet në pikëpyetje për shkak të grevës së deklaruar nga BSPK-ja, së cilës i është bashkëngjitur edhe SBASHK-u.
Më tej në komunikatë thuhet se “duke marrë parasysh gjendjen në terren, ftojmë prindërit dhe nxënësit që të komunikojnë drejtpërdrejt me mësuesit klasorë, kujdestarët e klasave dhe menaxhmentin e shkollës për të kuptuar nëse do të organizohet procesi mësimor dhe sipas cilit orar”.
“Kryetari i SBASHK-ut dhe askush tjetër përveç autoriteteve qendrore dhe lokale të përcaktuara me legjislacion, nuk ka të drejtë të shpallë mbylljen e shkollave për çfarëdo arsye, as t’i pengojë të punojnë ata që duan të punojnë. Presionet e tilla janë të papranueshme dhe të dënueshme. Ndërkaq, spekulimet se, me ardhje në shkollë, mund të cenohet siguria e fëmijëve nuk kanë asnjë bazë”, thuhet në reagim.
Fillimin e vitit të ri shkollor e ka kërkuar edhe Kryesia e Këshillit të Prindërve të Kosovës. Ky Këshill e ka cilësuar të papranueshme që më 1 shtator nxënësit të jenë në shtëpi, duke qenë se kjo është edhe një ditë feste.
Ndonëse e ka quajtur të papranueshme që më 1 shtator fëmijët të jenë në shtëpi, Këshilli i Prindërve ka thënë se Qeveria është e obliguar ta mbrojë të drejtën për edukim dhe arsimim.
“Është e papranueshme që më datë 1 shtator fëmijët tanë nxënës janë në shtëpi, duke qenë se kjo është edhe një ditë feste. Fëmijët gëzojnë të drejtën kushtetuese për edukim dhe arsimim dhe Qeveria obligohet ta mbrojë këtë të drejtë”.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka ripërsëritur se greva nuk do të ndalet derisa qeveria t’ua bëjë një zgjidhje.
Gjatë vizitës së këshillit grevist të BSPK-së në shkollën “28 Nëntori”, ai tha se greva do të përfundojë dikur, por siç potencoi Jasharaj, dikush do të turpërohet.
Sipas tij, ata që do të turpërohen janë ministri i Financave, Hekuran Murati dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
“I kemi kërkuar 100 euro si mesazh qeverisë që e kemi dorën e qeverisë që në këtë krizë po na ndihmon bile pak. Nuk është ky moment që na gëzon sepse më 1 shtator sa mirë do të tingëllonte zilja, por kemi ardh në pozicion kur s’kemi dialog, i kemi harxhuar të gjitha, kemi dërguar edhe ndërmjetësues të ndërhyjë. Nuk e kemi pas e as nuk e kemi mendjen kurrë të tradhtojmë zërin tuaj, të urojmë që qeveria të ulet. Ne do të vazhdojmë ku ka njeri me vullnet të mirë që do ta mundësojë të dialogojmë që të gjejmë zgjidhje. Por pa zgjidhje e pa kërcënime, e kanë të kotë sepse ne jemi në rrugën e Zotit, s’do të lëvizim asnjë milimetër. Greva do të përfundojë kur thoni ju, kur qeveria t’i zgjidh kërkesat tona, greva s’do të përfundojë tinëz. Edhe grevat do të përfundojnë dikur, por dikush do të turpërohet. E ai që do të turpërohet më së shumti është ministri Hekuran Murati dhe ministrja Arbërie Nagavci, sepse ajo do të duhej të ishte zëri ynë. Nëse dorëzohemi tani, këta s’kanë me ditë me u ndal, do të bëjnë edhe veprime të tjera, por nëse tani qëndrojmë siç dimë ne do të jemi fitues”.
Jasharaj tutje njoftoi se e kanë përgatitur dhe dorëzuar në prokurori kallëzimin penal ndaj ministrit Muratit, për deklaratat se grevistët s’do të marrin paga.
“E ai kur të thirrin le t’i vendos letrat në tavolinë, se paska drejt ai thua se janë paratë e tij. Nuk e ka sjell ai këtë buxhet prej shtëpisë së vet. Buxheti është edhe i popullit dhe ndaja njerëzve që i shërbejnë popullit”, tha Jasharaj
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF dhe Këshilli i Nxënësve të Kosovës theksuan sot se nëse sot, më 1 shtator nuk fillon mësimi, rreth 320,000 nxënësve do t’i mohohet e drejta themelore për arsim.
Në mesin e tyre, e drejta për arsim do t’i mohohet rreth 25,000 fëmijëve të cilët presin të ulen në bankat e shkollës për herë të parë.
“Mohimi i arsimit është shkelje e të drejtës themelore të fëmijës, e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës.
KOMF i bën thirrje palëve në këtë proces të kenë konsideratë kryesore interesin më të mirë të fëmijës, të gjejnë një zgjidhje të përbashkët, pasi ndërprerja e arsimit dëmton më së shumti fëmijët”, thuhet në njoftim.
Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se autoritetet kompetente kanë bërë ekzekutim të pjesshëm të pagave për muajin gusht, për shkak se nuk është përditësuar me kohë lista e personelit që ka punuar deri në fund të muajit.
“Janë procesuar vetëm pagat për organizatat buxhetore (siç janë komunat) që kanë arritur të kompletojnë me kohë listat e pagave”, ka thënë Murati në një konferencë për media.
Murati ka thënë se nuk është kërkuar lista e punëtorëve që kanë qenë në grevë.
“Ne çfarë kemi kërkuar është që të na paraqiten listat e atyre që janë duke punuar, gjë që është e nevojshme dhe parashihet me të gjitha ligjet në fuqi”.
Murati ka thënë se përditësimi i listave ka qenë i nevojshëm, sepse në bazë të informatave në terren shumë mësimdhënës nuk janë në grevë, duke kundërshtuar kështu deklarimet e SBASHK-ut se të gjithë anëtarët e saj janë në grevë.
Ai ka thënë se ky përditësim i listës së pagave është i nevojshëm pas grevës që kanë nisur Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) më 25 gusht.
Nga ajo ditë, në grevë janë mësimdhënës, edukatorë në kopshtet publike, shërbyes civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.
Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.