Gripi sezonal prek Kosovën, Instituti Kombëtar ka një apel për qytetarët 

14/01/2020 12:28 PM 0 komente

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike thotë se gjatë tërë vitit bën mbikëqyrjen permanente të Influencës sezonale me intensifikim të aktiviteteve gjatë sezonit përkatës tetor-maj. 

Prej 1 tetorit 2019 deri më 5 janar 2020, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP) janë raportuar gjithsej 16.588 raste të dyshimta me grip, 2931 raste infeksione respiratore akute dhe 13 raste me infeksion të rëndë respirator akut.

IKSHP thotë se rastet raportohen nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, me përjashtim të komunave me popullatë serbe, ndërkaq thekson se numër më i madh i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës dhe e Prizrenit, por nuk kalon pragun epidemik.

“Prej 1 tetor 2019 deri më 5 janar 2020, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë testuar gjithsej 109 mostra të dyshimta me grip, prej të cilave 9 mostra kanë rezultuar pozitive në grip A dhe një pozitive në grip B. Në Klinikën Infektive- SHSKUK prej 1 tetorit deri sot janë të hospitalizuar apo janë hospitalizuar 349 raste me Dg. Bronchopneumonia (ARI), 15 raste me Dg. ILI dhe 13 raste me Dg.SARI”, ka thënë IKSHP.

Ky Institut apelon te të gjithë Drejtorët Rajonalë të Shëndetësisë Publike të ngritin nivelin e vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë.

“E përsërisim rekomandimin tonë që Inspektorati shëndetësor të mbikëqyrë të gjitha Institucionet shëndetësore të Kosovës për të urdhëruar për obligimin ligjor të paraqitjes së sëmundjeve ngjitëse. Zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës tërheqin vërejtjen se virusi A bën pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm sezonal”, ka thënë IKSHP në njoftimin për media.

Si të mbroni veten dhe të tjerët:

  • Të vaksinohen të gjithë personat e moshuar mbi 65 vjet dhe personat me sëmundje kronike në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare.
  • Të reduktohet numri i vizitave të familjarëve tek personat të hospitalizuar (SHSKUK, Spitalet rajonale).
  • Të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz.
  • Nëse keni shenja te gripit, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore
  • Nëse keni shenja të gripit mbani distancë të paktën 1 metër prej njerëzve
  • Mbuloni hundën dhe gojën me faculetë në rast të kollës apo teshtitjes.
  • Shmangni prekjen e syve hundës apo gojës me duar të papastruara
  • Nëse keni shenja të gripit, mos shkoni në punë, shkollë apo vende me shumë njerëz, por qëndroni në shtëpi
  • Shmangni përqafimin, puthjen dhe shtrëngimin e duarve kur përshëndeteni
  • Hidhni faculetën në vendin e duhur menjëherë pas përdorimit
  • Pastroni rregullisht duart me ujë dhe sapun dhe dezinfektoni mjediset ku qëndroni
  • Ushqehuni shëndetshëm duke përdorë më shumë vitamina dhe bëni aktivitet fizik

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë së Kosovës ka rritur vigjilencën për t’u përballur me raste eventuale të gripit dhe është në gjendje gatishmërie të përcjellë situatën epidemiologjike dhe për çdo ndryshim të situatës do të informoheni me kohë”, ka theksuar në fund IKSHP-ja.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of