Sipërmarrjet shqiptare në vite janë rritur e diversifikuar, duke krijuar grupe të konsoliduara.
Menaxhimi i rritjes, ndarja e pronësisë nga sipërmarrja, diversifikimi i rrezikut mbeten disa nga sfidat kryesore të grupeve më të mëdha në vend.
Tri dekadat e ekonomisë së tregut në vend nuk kanë shënuar raste të rënies, apo falimentimit të grupeve të mëdha, përkundrazi ato kanë njohur zgjerim të qëndrueshëm.
“Kastrati”
Grupi Kastrati është tregtuesi më i madh i karburanteve në vend, ka aktivitet në fushën e sigurimeve dhe të tregtimit të automjeteve, është diversifikuar në fushën e ndërtimit dhe hotelerisë, ndërsa tre vitet e fundit ka hyrë dhe në fushën e aviacionit.
Qarkullimi vjetor i grupit ishte 143 miliardë lekë, me rritje prej 45% me bazë vjetore, e ndikuar nga shtimi i aktivitetit të tregtimit të naftës, nga çmimet e larta. Grupi Kastrati, i përqendruar në tregtimin me shumicë të naftës, mban peshën kryesore të të ardhurave, me 65% të totalit.
BALFIN
Grupi BALFIN, me interesa në tregti me pakicë, qendra tregtare, ndërtim, turizëm, miniera, banka, është i dyti më i madh sipas qarkullimit vjetor.
Të ardhurat e kompanive kryesore të grupit në Shqipëri ishin rreth 39 miliardë lekë, me rritje prej 4% me bazë vjetore.
“Spar Albania” është kompania më e madhe e grupit, sipas të ardhurave në vitin 2022, me 24% të totalit. Në total, të ardhurat e gjithë kompanive të grupit në Shqipëri ishin rreth 43 miliardë lekë në 2022.
Një pjesë të rëndësishme të aktivitetit, grupi e ka jashtë vendit. Sipas burimeve zyrtare të “Balkan Finance Investment Group”, “BALFIN Group”, është një nga grupet investuese më të rëndësishme në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe disa vende të Europës.
Të ardhurat e shoqërive jashtë vendit ishin 32 miliardë lekë, ku peshën kryesore e zë Alba Trade (10.9 miliardë lekë), Neptun Kosova (7.5 miliardë lekë) dhe Neptun Makedonija DOO (7.4 miliardë lekë).
Në total, të ardhurat nga aktiviteti jashtë vendit ishin 32 miliardë lekë në 2022.
Sipas të dhënave zyrtare, Grupi BALFIN kishte një aktivitet total prej 75 miliardë lekësh brenda dhe jashtë vendit.
Sipas burimeve zyrtare të grupit, vetëm gjatë vitit 2022 u kryen rreth 85 milionë euro investime, më së shumti në Austri, Zvicër, Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoninë e Veriut.
Aktivitetet e Grupit BALFIN përfshijnë zhvillimin dhe menaxhimin e pasurive të patundshme, shitjet me pakicë, sistemin bankar, turizmin, energjinë, logjistikën, etj.
Grupi AGNA
Grupi “Agna” është distributori më i madh në vend dhe ka njohur zgjerim vit pas viti. Krahas tregtimit me shumicë, grupi ka aktivitet edhe në prodhimin dhe ambalazhimin e pijeve freskuese dhe vitet e fundit ka hyrë dhe në segmentin e prodhimit të birrës.
Dy kompanitë kryesore të grupit, “AGNA sh.a.” (shpërndarës produktesh dhe investues) dhe “Alfa sh.a.” (ambalazhues i “Pepsi”, “Ivi”, “7Up”, “Lipton Ice Tea”; prodhues i “Glina” dhe “Spring”; shpërndarës i “Heineken”, “Amstel”, “Alfa Beers”, “Tsantali Wines” dhe “Shark Energy Drink”), realizuan për vitin 2022 një xhiro prej rreth 30.3 miliardë lekësh, me rritje prej 7.6% në raport me vitin e mëparshëm.
Grupi Bigalb
“Bigalb” është grupi më i madh në vend me aktivitet në zinxhirin e supermarketeve. Nëpërmjet dy kompanive kryesore të tij, “Big Market” dhe “Tirana Cash and Carry”, të ardhurat totale arritën në 27.4 miliardë lekë në vitin 2022, me zgjerim të ndjeshëm prej 15%, si rrjedhojë e ecurisë së mirë të “Big Market”.
Grupi Infosoft
Kompanitë kryesore të Grupit Infosoft kanë realizuar në total, një qarkullim vjetor prej rreth 24.6 miliardë lekësh në aktivitetin në Shqipëri në vitin 2022, me rritje vjetore 18%.
Aktiviteti i tij kryesor në Shqipëri përfshin “Infosoft System”, “Infosoft Office”, në fushën e teknologjisë së informacionit, si dhe kompanitë e shpërndarjes e tregtimit në segmentin FMCG, “Inter Distribution Service”, “Interbrands” dhe “Inter Trade & Distribution” (51% të aksioneve).
Grupi EHW
Grupi EHW është ndër më të mëdhenjtë në vend me aktivitet të përqendruar në industrinë përpunuese, si përpunimi i mishit (marka EHW), prodhimi i ujit (marka “Qafshtama”) dhe vitet e fundit është zgjeruar dhe në zinxhirin e supermarketeve me aksione në “Conad”.
Në total, Grupi EHW, që përfshin dhe subjektet e tjera të grupit në industrinë përpunuese, raportoi një qarkullim vjetor prej 15.4 miliardë lekësh, me rritje 14.3% me bazë vjetore. Prej disa vitesh, kompania publikon bilanc të konsoliduar për grupin, nën logon e EHW.
Edil Al Group
“Edil Al Group” është ndër më të mëdhenjtë në vend, me interesa në ndërtim, turizëm, veprimtari televizive, tregti me pakicë (qendra tregtare). Të ardhurat e grupit ishin 6.3 miliardë lekë në vitin 2022.
Kompania më e madhe sipas të ardhurave është “Edil-Al-It”, me 43% të të ardhurave.
Union Financiar Grup
Union Financiar Grup është ndër grupet financiare më të mëdha me kapital vendas.
Sipas të dhënave të bilancit të konsoliduar, të ardhurat e grupit ishin 5.9 miliardë lekë në vitin 2022, me zgjerim vjetor prej 11%.
Grupi përfshin “Union Bank”, “Union Financiar Tiranë”, “Landeslease”, “Paylink”. “Union Bank” është më e madhja e grupit, me rreth 75% të të ardhurave në vitin 2022.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.