Flet Koordinatori i përgjithshëm i Grupit AZ, Drini Zusi
Koordinatori i përgjithshëm i Grupit AZ, Drini Zusi, thotë se në vitet e fundit janë krijuar tre kompani që trajtojnë përpunimin e mbetjeve shtazore, ku produktet e tyre përfundimtare janë të destinuara për industri të ndryshme.
Kur vendosët të aplikonit modelin e ekonomisë qarkulluese në kompaninë tuaj, e bëtë nga nevoja për të rritur fitimet, apo për të qenë pararojë e një modeli, i cili synon të përhapet shpejt në vendet e zhvilluara?
Në fakt, aplikimi i modelit të ekonomisë qarkulluese në kompaninë tonë është zhvilluar në një mënyrë shumë organike dhe jo me paramendim që në fillimet e saj. Në filozofinë e saj operacionale, kompania jonë mbështetet në një koncept të përhapur: “Tripple Bottom Line” apo siç njihet ndryshe “3P: People, Planet, Profit”.
Koncepti stimulon që përtej të ardhurave, kompanitë duhet të jenë njësoj të interesuara për ndikimin e tyre social dhe mjedisor. Ndërsa në filozofinë e saj të zhvillimit, kompania ka investuar gjithmonë duke u përpjekur të integrojë vertikalisht, si në furnizimin e lëndëve të para, ashtu dhe në rritjen e produkteve të ofruara, apo hapjen e tregjeve të reja.
Pas një përvoje prej më shumë se shtatë vitesh në përpunimin e nënprodukteve shtazore të destinuara për konsum human, ne identifikuam që nënproduktet shtazore në Shqipëri nuk përpunoheshin dhe trajtoheshin si mbetje, duke u groposur masivisht apo keqdepozituar në mjedis, duke shkaktuar ndotje. Në këtë kuadër, aplikimet e para të “Circular Economy” kanë ardhur si përpjekje e kompanisë për t’u integruar vertikalisht e për të siguruar vetë lëndën e parë.
Në 2015, ne vendosëm të investonim në ngritjen e kapaciteteve dhe logjistikës në thertoret shqiptare dhe në ambientet tona, për të grumbulluar dhe për të përpunuar disa lloje nënproduktesh. Më pas, të gjithë produktet përfundimtare eksportoheshin dhe “rihidheshin” në ciklin e përdorimit të tyre, pa pasur nevojë që të depozitoheshin si mbetje, por përkundrazi, duke u trajtuar si vlerë e shtuar për shumë biznese.
Konkretisht, si funksionon modeli i ekonomisë qarkulluese në kompaninë tuaj, nga lënda e parë deri në tregje?
Aplikimi i Circular Economy ka filluar në 2015. Në harkun e tre viteve të fundit, kompania është zgjeruar aq sa për momentin jemi në proces ristrukturimi menaxherial dhe rebranding. Nga një kompani tashmë po ristrukturohemi në tre kompani, të cilat operojnë në fushën e përpunimit të nënprodukteve shtazore, ku produktet përfundimtare janë të destinuara për industri të ndryshme.
Kompania e parë, INCA (Industry of Natural Casings Albania) përpunon nënprodukte shtazore të destinuara për konsum human, siç janë zorrët natyrale që përdoren si lëndë e parë për industrinë e sallamit.
Kompania e dytë, e krijuar në 2018, dikur Albafish, tani është rebranduar në “Cheer Chews” dhe përpunon disa nënprodukte shtazore specifike, të cilat nuk mund të përdoren për konsum human apo ushqim për kafshët shtëpiake.
Kompania e tretë, AZ Rendering, është investim i përfunduar në 2020 dhe përpunon të gjithë nënproduktet e tjera, të cilave nuk mund t’u jepet destinacion për konsum human apo për kafshë shtëpiake. Përtej nënprodukteve nga industria e përpunimit të mishit, kjo kompani përpunon dhe çdo lloj mbetje nga industria e përpunimit të peshkut apo shpendëve. Nga përpunimi i tyre në një cikël të mbyllur përftohen proteinë dhe yndyrë shtazore, të cilat më pas gjejnë përdorim si ushqim për industrinë e mbarështimit, ose si biodiesel në industrinë e hidrokarbureve.
Në këtë mënyrë, aplikimi i ekonomisë qarkulluese nga të tre kompanitë kryhet duke ripërdorur të gjitha nënproduktet shtazore, dhe duke i kthyer nga mbetje në një produkt me vlerë të shtuar.
Sa për qind e të ardhurave e zënë shitjet nga përpunimi i nënprodukteve shtazore që deri dje trajtoheshin si mbetje?
Aktiviteti i INCA bazohet dhe në përpunim të nënprodukteve të importuara, pasi nënproduktet e grumbulluara në Shqipëri janë sa vetëm 10% e kapacitetit përpunues të saj. Për Cheer Chews, 100% e shitjeve vijnë nga përpunimi i nënprodukteve shtazore, ku sasia e nënprodukteve të grumbulluara në Shqipëri përbën rreth 60% të prodhimit total.
Për AZ Rendering, gjithashtu 100% e të ardhurave vijnë nga tregtimi i produkteve përfundimtare të përftuara nga përpunimi i mbetjeve shtazore. Megjithatë, sasia e grumbulluar në Shqipëri përbën vetëm 30% të prodhimit total, për shkak se shumë operatorë ende nuk janë të ndërgjegjësuar për mënyrën e evadimit.
A keni plane për zgjerim edhe në rajon dhe ta zgjeroni këtë model edhe në Shqipëri?
Absolutisht. Prej fundvitit 2020, jemi zgjeruar si operacione në Kosovë dhe në Mal të Zi, ku aktualisht grumbullojmë lëndë të parë për Cheer Chews dhe AZ Rendering. Ndërkohë jemi në bisedime për të siguruar partnerë edhe në Maqedoni, ndaj synimi për vitin 2021 është zgjerimi dhe atje.
Zgjerimi jo i operacioneve, por i modelit në Shqipëri, është ndër objektivat tanë më madhorë. Edhe pse operimi me një model biznesi si CE për momentin është kaq “niche” saqë për ne është avantazh konkurrues, aplikimi në masë, në fakt, është një avantazh shumë më i madh, jo vetëm në pikëpamjen e biznesit.
Zhvillimi i qëndrueshëm nuk është “në modë” pa arsye. Sot në 2021, reduktimi i ndikimit mjedisor dhe krijimi i proceseve sa më energy/resource-efficient, njësoj si dizenjimi i proceseve cost-efficient, duhet të jetë pjesë e strategjisë së çdo kompanie. Madje të menduarit rreth të qenët resource efecient, apo përdorimi i burimeve të energjisë së rinovueshme duhet të jetë pjesë e çdo familje apo individi, si mënyrë për të reduktuar ndikimin mjedisor dhe për të kontribuar drejt zgjidhjes së problemeve të ngrohjes globale, apo shkatërrimit të ekosistemeve.
Dhe problemi nuk qëndron që në Shqipëri apo dhe në botë njerëzit nuk duan. Psikologjikisht është e vërtetuar që njerëzit ndiejnë më shumë kënaqësi kur japin se sa kur marrin, ose kur kontribuojnë drejt një qëllimi të përbashkët. Megjithatë, në shumicën e rasteve, nuk e dinë se si. Ndaj përhapja e këtij modeli dhe edukimi i shoqërisë apo i sipërmarrësve aspirues drejt një modeli biznesi, që gjeneron vlerë të shtuar dhe ndikon më shumë se sa ekonomikisht, për ne është fitore shumë e madhe.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.