Grupi belg i pakicës kërkon tregun ballkanik

30/12/2011 11:02 AM 0 komente

Grupi belg do të marrë 50% të aksioneve në aktivitetin e supermarketeve të Delta Holding. Kjo e fundit ka në pronësi dhe rrjetin shqiptar të supermarketeve, Euromax

Tregtuesi belg me pakicë, Delhaize, është pranë blerjes së një rrjeti të fortë dhe të gjerë ballkanik supermarketesh, përmes një marrëveshjeje me vlerë qindra milionë euro me një konglomerat serb, shkruan “Financial Times”.

Në bazë të marrëveshjes që do të njoftohet në fillim të marsit, grupi belg do të marrë 50% të aksioneve në aktivitetin e supermarketeve të Delta Holding, të cilat kanë fitime vjetore prej më shumë se një miliard euro nga një xhiro prej 2.7 miliardë eurosh.

Marrëveshja do ta bënte Delhaize grupin e parë të madh europian të tregtisë me pakicë që do të hynte në një treg rajonal, që duket i prirur për rritje dhe konsolidim.

Zinxhirët Maxi e Delta-s dhe Tempo, që njihen për çmime të ulëta, janë liderë të tregut në Serbi dhe janë zgjeruar me shpejtësi në tregjet fqinje të Malit të Zi, Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Bullgarisë, duke i dhënë asaj një treg potencial prej më shumë se 20 milionë njerëzish.

Tregjet e ish-Jugosllavisë mbeten të copëzuar dhe relativisht të varfëruar pas luftërave të viteve 1990, por potenciali për rritje të kërkesës dhe konsolidim të tregut është i lartë, thonë analistët.

Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë i Serbisë vitin e kaluar ishte rreth 4,350 euro, ose 18% e mesatares së Bashkimit Europian, dhe ka vetëm 25 metra katrorë hapësirë tregtie me pakicë për 1,000 banorë, më pak se një e dhjeta e mesatares së BE-së, sipas analistëve në “UniCredit”.

Delhaize, që është tashmë aktive në Greqi dhe Rumani, pranon se do të zgjerohet në rajon, por nuk bëri komente lidhur me bisedimet me Delta.

Miroslav Miskovic, pronar i Delta dhe drejtuesi i saj, do të tërhiqet nga tregtia me pakicë dhe të zgjerojë investime në bizneset e agrobujqësisë, si prodhimi i mollëve dhe tregtia me shumicë, të cilat janë më pak të ndjeshme politikisht dhe kanë të njëjtën përfitueshmëri.

“Ne do të investojmë paratë nga shitja në zhvillimin e bujqësisë, që është si ‘vaji serb´”, tha z. Miskovic. “Të ardhurat nga eksporti i produkteve bujqësore do të përmirësonin në mënyrë domethënëse bilancin e eksporteve të Serbisë dhe deficitin e tregtisë së jashtme”.

Z. Miskovic kohët e fundit ka pohuar se së shpejti do të ketë një marrëveshje për shitjet e supermarketeve, por pa specifikuar Delhaize si një blerës.

“Ajo që do të ndodhë shumë shpejt është rezultat i vendimeve tona për të gjetur një partner strategjik për Delta Maxi”, tha ai në 20-vjetorin e grupit që u festua në muajin shkurt. “Ne do të përfundojmë shumë shpejt marrëveshjen tonë me një grup të njohur europian, për një periudhë njëmujore”.

Drejtuesit e Delhaize janë duke kryer diskutime me z. Miskovic që prej korrikut të vitit të kaluar, por takimet e tyre janë shtuar në muajt e fundit, kanë pohuar diplomatë perëndimorë në Beograd.

Ndërsa pronësia ka të ngjarë që të ndahet për momentin, z. Miskovic do t´i japë të drejta të plota menaxhimi Delhaize dhe do të shesë pjesën e tij të mbetur të aksioneve brenda tre viteve.

Duke blerë Delta-n, Delhaize mund të ndihmojë në injektimin e likuiditetit në ekonomi, që është aq i nevojshëm, duke bërë të mundur pagesën e faturave të vonuara për prodhuesit lokalë, thonë analistët në Beograd.

Pjesa e tregut të Delta-Maxi në Serbi është rreth 30%, shumë më e lartë se rivalët e saj më të afërt, Agrokor me pronësi kroate dhe sllovenët e Mercator, që kanë secili nga 9% të tregut.

“Norma e fitimit është shumë e lartë për shkak të mungesës së konkurrencës”, tha Andy Roberts, drejtor i “Eastern Europe Economics”, një kompani konsulente me bazë në Beograd.

Por marrëveshja e tregtisë së lirë me Bashkimin Europian do të reduktojë tarifat dhe do të hapë tregun. Lidl, një zinxhir gjerman, regjistroi një degë në Serbi muajin kaluar, duke nxitur spekulimet se do të hapte dyqane.

“Norma e fitimit për Delta me siguri që do të zvogëlohet”, tha z. Roberts. “Investitorët e huaja, ashtu si ata të brendshëm, duan të përftojnë sa më shumë nga pozicioni i fortë në treg, porsa kohë që ai zgjat”.

Gjithsesi, një tregtues me pakicë me kaq eksperiencë, siç është Delhaize, do të gjente gjithashtu hapësira për të vazhduar zgjerimin, teksa rajoni hapet dhe në të hyjnë konkurrentë të tjerë, shtoi ai. “Ka shumë rrugë për të ecur por tregu po lëviz në drejtimin e duhur”.

Euromax, në pritje të pronarit të ri

Euromax u hap në Tiranë në vitin 2005, me një hipermarket në Qendrën Tregtare Univers, për t´u zgjeruar më pak me shpejtësi. Fillimisht nisi si një aktivitet dhe markë tërësisht shqiptare dhe iu shit pak vite më parë serbëve të Delta Holding. Në tregun e shitjeve me pakicë, Euromax shënoi rënie të aktivitetit me rreth 10% gjatë 2009-s në raport me një vit më parë. Që pas blerjes së saj nga serbët e Delta-s, shoqëria ka pasur probleme me pagimin e furnitorëve kryesorë, çka bëri që këta të fundit shpesh të ndërprisnin furnizimin për Euromax. Xhiro e kompanisë rezultoi 3.8 miliardë lekë në 2009-n, sipas të dhënave nga tatimet. Euromax mbetet rrjeti më i madh i supermarketeve në Shqipëri. Ai sot është i shtrirë në 5 qytete, me 16 dyqane, sipas të dhënave nga faqja zyrtare e internetit.

Tregu i retail-it në Shqipëri

Sipas INSTAT, në vitin 2009 (të dhënat më të fundit të disponueshme) në tregtinë me pakicë në Shqipëri u xhiruan rreth 87.84 miliardë lekë (rreth 7.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto-PBB), ose 0.2% më pak se një vit më parë. Operatorët e tregut vlerësojnë në fakt se përtej të dhënave zyrtare, tregtia me pakicë ka një nivel shumë të lartë informaliteti. Sipas të dhënave nga operatorët, numri i dyqaneve që shesin pa faturë në të gjithë vendin është rreth 10 mijë, nga të cilat 3 mijë gjenden në Tiranë. Kjo bën që tregu real sipas tyre të vlerësohet rreth 40% më i lartë se ai i deklaruar zyrtarisht nga INSTAT, duke arritur në rreth 120 miliardë lekë, apo rreth 950 milionë euro për vitin 2009. Nuk ka të dhëna të sakta se sa ka arritur pesha e tregtisë së organizuar në totalin e tregtisë me pakicë, por vlerësohet që ajo të luhatet dikur te rreth 10% e totalit.

Pas Euromax, Conad mbetet rrjeti i dytë i pakicës më i madh në vend. Përveç këtyre supermarketeve që tregojnë në pjesën më të madhe produkte ushqimore, tregu i pakicës së organizuar është zgjeruar me shpejtësi gjatë dy viteve të fundit me qendra të organizuara të tipit “bëje vetë”, si Megatek dhe Praktiker.

Zhvillim të hovshëm ka pasur dhe hapja e qendrave tregtare, sipërfaqja e të cilave ka arritur në mbi 130 mijë metra katrorë sipas të dhënave nga “Colliers Albania” dhe pritet të rritet sërish me fillimin e funksionimit të “Tirana East Gate”, duke i kaluar 200 mijë metra katrorë.

 

 

Qendrat kryesore tregtare në Tiranë

 

 

 

2005

European Trade Center

9,000

2005

Kullat Binjake

5,000

2005

Qendra Tregtare Univers

21,000

2007

Casa Italia

17,400

2008

Kristal

10,200

2008

Condor

10,000

2009

Olympia

6,800

2009

ABA Business Center

8,900

2009

City Park

40,000

 

 

 

 

sipërfaqja totale

128,300

Burimi: “Colliers Albania”, raporti mbi pasuritë e paluajtshme, 6M I, 2010

Plane dhe nga Carrefour

Edhe rrjeti i dytë më i madh i tregtisë me pakicë në botë, francezja Carrefour, ka deklaruar prej më se një viti planet e saj për të hyrë në Ballkan, përfshi Shqipërinë, por që deri tani nuk janë konkretizuar.

Rrjetet ndërkombëtare të supermarketeve Carrefour dhe Marinopoulos vendosën një vit më parë të krijonin një bashkëpunim për të ngritur hipermarekte dhe supermarkete nën rrjetin e Carrefour franshize në Ballkan.

Carrefour, e cila është një kompani franceze, bëri të ditur në një deklaratë se “qëllimi është për të hapur hipermarkete dhe supermarkete me ‘banderolën´ e Carrefour në Ballkan. Plani është për t´u zgjeruar në Serbi, Shqipëri, Bosnjë, Kroaci, Maqedoni, Mal i Zi she Slloveni”.
Carrefour, e cila operon prej 40 vitesh në treg, është rrejti i shitjes me pakicë më i madh në Europë dhe i dyti në nivel botëror. Ai numëron 495 mijë të punësuar me 15.5 mijë pika shitje (supermarket, hipermarket) në 35 vende.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of