Guri i Një investim prej 1.5 milion eurosh dhe një plan i qartë synojnë ta kthejnë Gurin e Kuq oaz turistik, të njëjtë me atë të qyteteve përballë Pogradecit. Betimi për t i shtuar vlerën pronës së të parëve të vet dhe shndërrimi i Green Card-it dokument të panevojshëm. Ja rruga e biznesit që ka bërë urbanisti pogradecar.Në Pogradec kanë qenë të shumtë njerëzit që çuditeshin nga ngurimi për të investuar prej sipërmarrësit Gjergj Ilo. Me aktivitet privat të filluar që në vitin 1990, fillimisht me tregti të gjithfarëllojshme, e më pas me tregtimin e hidrosanitareve, Ilo kishte krijuar kështu një kontradiktë në sytë e bashkëqytetarëve të tij, rreth kapitaleve të përqëndruara nga aktiviteti tregtar, por të painvestuara. Të tilla fjalë e pyetje habisjellëse i kishin mbërritur në vesh, mirëpo ai as që e kishte mendjen të humbte kohë pas tyre. Përkundrazi,vazhdonte me këmbëngulje punën për realizimin e të gjithë strategjisë që kishte ndërtuar në kokën e tij. Një strategji kjo të cilin ish-shefi i Zyrës së Urbanistikës së Pogradecit e kishte mbështetur në tri kollona. Së pari, në betimin për të investuar në tokën e prindërve të tij, së dyti, në betimin për të investuar vetëm në qytetin e tij, Pogradec, e së treti, në vendosmërinë për të investuar vetëm në një fushë prioritare të qytetit liqenor, sikurse është turizmi. Kështu pra, ndërsa të tjerët flisnin e bënin interpretime të gjithfarëllojshme, Ilo kërkonte me vendosmëri kthimin e pronave të të parëve të tij, në Gur të Kuq. Kaloi vështirësi të shumta, të cilat janë të nënkuptuara, këto kohë për Shqipërinë. Mirëpo më në fund ia doli të bëhet trashëgimtar i ligjshëm dhe me dokumente i rreth 17 mijë metrave katror në Gur të Kuq. Dhe kjo ndodhi në vitin 2000. Pikërisht në këtë vit, filluan të bëhen të prekshme përpjekjet e Ilos për t i rritur vlerën pronave të trashëguara. Me qëllim shdërrimin e tyre nga troje, ku ngrihej deri pak kohë më parë miniera e hekur-nikelit, në troje që do të mbartin aktivitete më të vlerësuara e më të dobishme për qytetin e Pogradecit. Nga tregtar, prodhues tubash plastikë Aq i vendosur ishte Gjergj Ilo në betimin e tij për të zhvilluar aktivitet investues në tokën e të parëve të tij, sa nga momenti kur futi në dorë dokumentin zyrtar të kthimit të pronës e deri në fillimin e punës, nuk shpenzoi thuajse fare kohë. Idenë e sipërmarrjes e kishte gati dhe të pikasur gjatë aktivitetit të mëparshëm të tij: do të merrej me prodhimin e tubave plastikë, një mall që deri në atë kohë sigurohej nga importi. Llogaritë e prodhimit të tij dilnin mirë në letër, ndaj dhe Ilo nuk vonoi ta vërë në jetë këtë ide. Më 27 maj të vitit 2001 filloi puna për ndërtimin e fabrikës së prodhimit të tubave, më 27 qershor të këtij viti doli prodhimi i parë. Se sa të drejtë kishte pasur Ilo në idenë e sipërmarrjes, këtë e tregojnë kuotat në rritje të prodhimit nga viti të vit. Në vitin 2002 u prodhuan rreth 1200 ton tuba plastikë, në vitin 2003, 1400 ton, në vitin 2004, 1700 ton dhe në vitin 2005, 1800 ton. E krahasuar me sasinë vjetore të konsumit, që vërtitet rreth 6600-7000 ton në vit del që fabrika e Gjergj Ilos përmbush afro 25-30% të kërkesës konsumatore për këtë lloj produkti. Por okupimi i trojeve të kthyera me një aktivitet sikurse është ai i prodhimit të tubave, nuk ishte qëllimi përfundimtar i Gjergj Ilos. Për faktin e thjeshtë sepse ai kishte planifikuar investime të tjera aty dhe në një fushë prioritare për Pogradecin, sikurse është turizmi. Kompleksi sportiv Fani, domosdoshmëri për Pogradecin Ish-shefi i Urbanistikës e kishte kundërshtuar kohë më parë masterplanin e qytetit, mbi bazën e të cilit, Guri i Kuq fitonte statusin e një zone turistike. Me arsyetimin se gërmadhat e minierës nuk e lejonin një gjë të tillë. Mirëpo tani që ai ia ka dalë mbanë të sigurojë një sasi të madhe trualli të kthyer, i ka hyrë punës për ta kthyer këtë tokë, të gjithën një oaz turistik. Fillimisht, nëpërmjet një investimi, së bashku me vlerën e truallit, prej 1.5 milion euro ngriti një kompleksin e argëtimit dhe sportiv Fani. Një kompleks bashkëkohor ky që përmban një sallë lojrash me përmasa 20m-40m, me 700 vetë të ulur, me ndriçim të standardeve të FIFA-s, me tapet plastik të shtruar nga Terra Flex, një sallë fitnesi 120 m2, ambiente veshjeje e zhveshjeje, ambiente të zhveshjes së ekipeve të minifutbollit, qendra e relaksit me sauna finlandeze, hidromasazh, ambiente të mjekut dhe solar për rreze diellore, sallë bilardo e pingpongu, hotel dhe restorant etj. Edhe ky kompleks nuk përfaqëson një ide të rastësishme e të sforcuar, por një përfundim logjik që ka ardhur nga arsyetime racionale. Dimri i gjatë i Pogradecit nga njëra anë dhe domosdoshmëria e argëtimit nga ana tjetër, – kjo mospërputhje pra ka sjellë vendimin për ndërtimin e kompleksit sportiv Fani. Dhe që duket se nuk do të mbetet vetëm në letër në një të ardhme të afërt. Pasi për çdo gërmadhë që të zë syri, Gjergj Ilo ka gati një projekt. Gjoli i Gurit të Kuq, plazh dhe turizëm Ai synon që kompleksit sportiv, t i bashkëngjisë një kompleks turistik. I ka bërë shumë përshtypje shkalla e zhvillimit të turizmit në Bullgari dhe pikërisht nga ky vend ka marrë edhe dozën emocionale të ndikimit për të investuar pra në një fushë me përparësi për qytetin e Pogradecit, sikurse është turizmi. Ndërtesa ku ndodhet kompleksi sportiv Fani do të lidhet në mënyrë organike, me një tjetër kompleks turistik, të projektuar tashmë nga Ilo dhe të dyja këto komplekse do të kenë në përdorim një plazh të improvizuar në breg të liqenit. Të krahasosh projektet e Ilos me gjendjen që të shpaloset para syve, me togjet e dherave, ndërtesat e rrënuara e të shkatërruara si dhe kallamishtet e gjolit të krijohet ideja e një plani utopik. Mirëpo cilësia kryesore e sipërmarrësve profesionistë është pikërisht përfytyrimi dhe pikturimi në kokë i realitetit të ardhshëm. Gjë që nuk e bëjnë dot njerëzit e zakonshëm, të cilët shqyejnë sytë, kur situata ndryshon si nata me ditën. Kur e pabesueshmja është bërë realitet. Kur Ilo thotë se në 17000 m2 do të ngrejë një fidanishte për të furnizuar të gjithë qytetin me lule e fidanë, sigurisht kjo duhet besuar. Kur ai thotë që në vend të një ish-depozite gjigante, do të ndërtojë një pishinë e akuarium gjigant edhe kjo duhet besuar. Kur ai thotë se do të ndërtojë një kompleks rezidencial, kjo nuk duhet vënë në dyshim. E gjithashtu, kur ai thotë se që këtë verë, do të pastrojë gjolin nga kallamishtet, për t u shtuar klientëve të kompleksit sportiv edhe plazhin, atëhere duhet besuar se kjo është vetëm çështje kohe. Pasi deri tani Gjergj Ilo i është përmbajtuar me fanatizëm principeve të tij në biznes. Po investon në pronën e trashëguar e të rikthyer, nuk ka rendur të investojë në fusha të tjera më fitimprurëse, sikurse është për shembull ndërtimi, por ka këmbëngulur në atë që është bekim i Zotit për Pogradecin, si dhe nuk është joshur të shkojë e të jetojë në Amerikë, megjithëse ka Green Card-in, apo qoftë edhe në Tiranë sikurse kanë vepruar shumë sipërmarrës të tjerë. Dhe kur i përmbahesh parimeve, kur respekton e vepron sipas bindjeve e logjikës racionale, atëhere edhe suksesi është i sigurtë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.