Kreditimi dha sinjale të mëtejshme pozitive në muajin gusht. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia e re e disbursuar arriti vlerën e 25.5 miliardë lekëve, në rritje me pothuajse 32% krahasuar me gushtin e vitit të kaluar.
Rritja e kredisë erdhi kryesisht nga bizneset, ku kredia e re u rrit me 46% krahasuar me gushtin e vitit të kaluar.
Po të shohim të dhënat e detajuara, pjesa më e madhe e rritjes së kredisë së re të biznesit ka ardhur nga huatë me qëllim blerjen e pasurive të paluajtshme. Kredia e re për blerje të pronave nga bizneset në lekë u rrit me pothuajse 9 herë, ndërsa në euro me afërsisht tre herë. Rritja e investimeve nga bizneset nuk ishte një zhvillim shumë i pritshëm, po të kemi parasysh goditjen e fortë që ka pësuar aktiviteti ekonomik dhe pasigurinë e largët për të ardhmen, E megjithatë, shifrat tregojnë se bizneset investuan në prona 7.7 miliardë lekë, ose rreth 62 milionë euro kredi bankare.
Kjo mund të dëshmojë një lloj optimizmi për ringritje të shpejtë të ekonomisë nga pandemia e Covid-19, por ndoshta edhe një rritje të interesit për pasuritë e paluajtshme, që përgjithësisht shihen si një investim i mirë në kohë të pasigurta.
Ndërkohë, kredia e re për individët ishte në nivele të përafërta me një vit më parë, në vlerën e 5.1 miliardë lekëve. Edhe tek individët vërehet një tendencë e ngjashme, me rritje të kredisë për blerjen e banesave, ndërsa kredia konsumatore rezultoi sërish në rënie edhe për muajin gusht. Kredia e individëve për blerje banesash preku vlerën e 2.7 miliardë lekëve ose rreth 22 milionë eurove.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan të hënën se indeksi i çmimit të pasurve të paluajtshme u rrit me 4.9% në 6-mujorin e parë të këtij viti. Shifrat e kredisë së re duket se konfirmojnë një interes të lartë të bizneseve dhe individëve për të investuar në prona, pavarësisht krizës.
Rritja e kredisë së re, në muajt e fundit, dëshmon gjithashtu se ekonomia nuk po përballet me një shtrëngim shqetësues të ofertës për kredi. Bankat po vazhdojnë të mbështesin sektorin privat me financime, ndonëse pritet që gradualisht të kenë pasoja nga kriza e Covid-19, të shprehura në rritje të kredisë me probleme. Rritja e kredisë së re mund të interpretohet si një strategji e sektorit bankar për të shmangur një efekt prociklik nga tkurrja e ofertës së kredisë.
Për tetë muaj, sektori bankar ka dhënë pothuajse 146 miliardë lekë kredi të re. Kredia e re ngelet në rënie me 7.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por ky hendek po ngushtohet në muajt e fundit. Deri tani, rënia e kredisë së re është më e theksuar në segmentin e individëve, me 16%. Kriza dhe rritja e papunësisë duket se e kanë kontraktuar kërkesën e familjeve për kredi, sidomos për atë konsumatore. Ndërkohë, kredia për biznesin shfaq një rënie më të kufizuar, me 3.6% dhe pas muajit qershor po shfaq një përmirësim të dukshëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.