Programi “100 fshatrat” që synon të sjellë një model të ri zhvillimi në zonat rurale do të ketë pjesë aktive edhe studentët e arkitekturës, urbanistikës, planifikimit urban, peizazhit dhe mjedisit. Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT) bëri të ditur se nga gushti deri në dhjetor do të jetë e hapur “Akademia 100+ fshatrat” e cila synon të tërheqë studentët e disa degëve specifike, të cilët do të vizitojnë për të paktën katër javë fshatrat, për të sjellë më pas sugjerimet e tyre për zhvillimin.
“Akademia 100+ fshatrat” zhvillohet në kuadër të Programit të Rilindjes Rurale me fokus 100+ fshatrat, ku duam të ndërtojmë një model zhvillimi rural bazuar tek potenciali turistik. Akademia synon të mbledhë së bashku studentë masteri të arkitekturës, planifikimit, projektimit, peizazhit e mjedisit të sapodiplomuar të këtyre fushave, si dhe pedagogë të tyre të cilët ndajnë vlerësime dhe pasione të ngjashme për fshatin dhe besojnë tek potenciali i tij për t’u zhvilluar si pikë graviteti e fuqishme.
Akademia 100+ fshatrat po ndërtohet sipas shembullit të Akademisë Verore të Atelier Albania, por me shtrirje shumë më të gjerë. Akademia 100 + fshatrat do të bazohet në 20 atelierë projektimi të veçanta, por të lidhura me njëra-tjetrën dhe nën udhëheqjen e AKPT-së”, thuhet në njoftimin e agjencisë.
Po kështu ajo thekson se fokusimi në 100 fshatra bëhet për të krijuar 100 zona zhvillimi ekonomik rural bazuar tek investimet në agroturizëm dhe ekoturizëm duke shfrytëzuar trashëgiminë kulturore, mrekullitë natyrore, traditën në tërësi dhe kapacitetet lokale dhe investimet e sipërmarrjes.
Afati për të aplikuar në këtë akademi, sipas AKPT-së, është data 15 korrik 2018 ndërkohë që ofertat e pranimit do të dërgohen jo më vonë se 20 korriku. Të gjithë kandidatët e përzgjedhur do të kalojnë edhe një fazë intervistash.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.