Sot në ambientet e Bankës Shqipërisë u mbajt një takim diskutimi midis Bankës së Shqipërisë dhe Bordit Drejtues të Shoqatës Shqiptare të Bankave. Takimi u organizua me nismën dhe nëndrejtimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko.
Gjatë takimit, Guvernatori Sejko u ndal edhe në çështjen e trajtimit të kredive me probleme, duke vlerësuar se efektet e ndryshimeve ligjore, përvoja e fituar nga bankat, nxjerrja e kredive të humbura jashtë bilanceve të bankave dhe ristrukturimi i kredive me probleme, do të nxisnin një ulje graduale dhe të qëndrueshme të nivelit të tyre gjatë vitit 2017.
Në fillim të takimit, nga të gjithë pranishmit u përgëzua zbardhja e autorëve të grabitjes së vlerave monetare të bankave dhe puna intensive e kryer nga Policia e Shtetit në këtë drejtim. Më tej, u diskutua për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis bankave dhe institucioneve përkatëse për rishikimin e masave të sigurisë në aktivitetin bankar dhe transportimin e vlerave monetare me qëllim plotësimin dhe përmirësimin të tyre, për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.
Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu mbi rritjen e përpjekjeve të koordinuara dhe të ndërveprimit institucional në kuadër të nxitjes së kreditimit të ekonomisë, përmes identifikimit të investimeve potenciale të shëndetshme, me synim përshpejtimin e aktivitetit ekonomik të vendit dhe rritjes së kontributit të bankave në të.
Gjithashtu, rëndësi e veçantë iu kushtua edukimit financiar për ndërgjegjësimin e publikut, si dhe ruajtjes së imazhit të sistemit bankar, duke theksuar ndikimin e bankave si në sistemin financiar ashtu dhe në ekonominë e vendit.
Në përfundim, Shoqata Shqiptare e Bankave falënderoi Bankën e Shqipërisë për këtë takim mjaft pozitiv dhe frytdhënës. Shoqata siguroi se do të vazhdojë të ketë një bashkëpunim maksimal me Bankën e Shqipërisë dhe me autoritetet qendrore dhe vendore për një sektor bankar sa më të shëndetshëm dhe mbështetës të zhvillimit ekonomik të vendit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.