Haier në Panairin CES prezantoi televizorin pa tela me format të madh, i cili nuk ka nevojë për asnjë kabllo. Për t´i hequr “qafe” telat, prodhuesi kinez përdor teknologjinë Wireless Home Digital Interface (WHDI) për mbartjen e përmbajtjeve, ndërsa për furnizimin e televizorit shërben teknologjia e bazuar në rezonancën magnetike. Sistemi për pranimin e energjisë ndodhet në pjesën e poshtme të televizorit, transmetuesi është i vendosur në një kuti mbi të cilën është i vendosur televizori. Distanca midis dërguesit dhe marrësit të energjisë që ndodhet brenda televizorit gjatë demonstrimit është rreth 20 centimetra. Që vitin e kaluar, Haier ka demonstruar një koncept të ngjashëm, por atëherë bëhej fjalë për një televizor dukshëm më të vogël, me diagonale 32 inç, ndërsa këtë herë është prezantuar televizori pa tela me diagonale 55 inç. Përfaqësuesit e kompanisë kanë theksuar se tani për tani nuk kanë plane për prodhimin komercial të këtyre televizorëve. GK104, dyfish çdo gjë Në mesin e çipave të rëndësishëm të Nvidias të gjeneratës së re të procesorëve grafikë do të jetë edhe një GPU i emërtuar GK104. Ky i fundit do të jetë pasues i modeleve 40-nanometërsh GF114, që vinte në punë kartelat e popullarizuara GTX 560 Ti. Kartela e re, sipas të gjitha gjasave, do të ketë emërtimin GeForce GTX 660 Ti, e sipas informatave të deritanishme do të ketë edhe performancat më të mëdha në krahasim me GF114. Flitet për një total prej 768 bërthama CUDA (dy herë më shumë në krahasim me GTX 560 Ti të zakonshëm) dhe 2 GB të memories grafike, e cila me GPU-në është ende e lidhur përmes mbledhëses 256 bit. Numri më i madh i bërthamave dhe arkitektura e tyre më e avancuar sjellin edhe performancat më të mëdha. Burimet zyrtare theksojnë madje 2 teraflops në përllogaritjet single precision 50 për qind më shumë se te modeli GTX 580 dhe dyfish më shumë në krahasim me GTX 560 Ti. Kartela, sipas të gjitha gjasave, do të ketë edhe taktet më të larta të punës (në veçanti të memories), por edhe shpenzimi është më i lartë – 225 W TDP. Specifikat, detajet, si dhe koha e saktë e paraqitjes, ende nuk janë të ditur pritet që Nvidia Keplerët të fillojë t´i shesë nga tremujori i dytë i vitit, duke nisur me çipin më të fuqishëm GK110. Das Keyboard për Mac Das Keyboard Model S arrin në versionin për Mac. Tastiera i dedikohet shfrytëzuesve, të cilët me të vërtetë punojnë shumë. Sikurse dhe modeli i tanishëm, Das Keyboard për Mac ka ndërprerësit mekanikë nën taste, të cilët janë të lyer me një shtresë nga ari. Jetëgjatësia e tasteve është deklaruar në 50 milionë goditje. Tastiera ka tastet për multimedian dhe specifika për vendosjen e kompjuterit në sleep, e në versionin për Mac për tastet Command respektivisht Option. Është i integruar edhe një hub me dy porta USB 2.0, e tastiera vjen me kabllon me gjatësi prej 2 metrash. Shitjet fillojnë më 15 prill dhe çmimi i propozuar i shitjes për tregun amerikan është 133 dollarë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.