Bllokohet projekti i dytë i bankës gjermane. “U anashkaluan rregullat tona të prokurimit”
ARD KOLA
Pas bllokimit të projektit për ndërtimin e linjave të transmetimit 400 kV Shqipëri-Kosovë, të tjera hije skandali të qeverisë shqiptare cenojnë sigurinë kombëtare të furnizimit me energji elektrike. Bëhet fjalë për projektin tjetër energjetik, atë të ndërtimit të linjave në Jug, me synim forcimin e kapaciteteve për transmetimin e energjisë, edhe ky projekt me financim të qeverisë gjermane.
Marrëveshja për ndërtimin e projektit është firmosur rreth tre vjet më parë dhe ende është në fazën e përzgjedhjes së firmës fituese, pasi mënyra se si OST ka organizuar tenderin, nuk i jep mundësi KfW, bankës gjermane financuese të japë aprovimin për lidhjen e kontratës. Projekti ndërtim “Linja 110 kV, Shqipëria e Jugut”, ndahet në dy lote, i pari për ngritjen dhe forcimin e disa nënstacioneve, dhe i dyti, ndërtimi i linjave 110 kv, me vlerë totale investimi rreth 50 milionë euro.
“Ky investim pritet të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me energji elektrike në vend, në veçanti në Jug të Shqipërisë. Kjo linjë do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë si edhe në përmirësimin e infrastrukturës energjetike”, do të deklaronte OST, tre vjet më parë, pas nënshkrimit të kontratës me gjermanët.
Problemet nisën në muajt e parë të këtij viti, kur OST nuk pranonte të lidhte kontratë me firmën e renditur e para, sipas konsulentit gjerman “Fischtner”, madje me këtë fundit, ka pasur polemika për shkak të vlerësimeve të ndryshme.
Edhe pse kjo shoqëri është pajtuar nga pala shqiptare si konsulente, vlerësimet e saj kanë qenë të ndryshme nga të OST për lidhjen e kontratës, ndërsa operatori i transmetimit është ankuar në fillim te ministri i Ekonomisë, dhe më pas te ministri i Financave.
Më 29 shkurt 2012, OST i shkruan METE-s, në dijeni edhe Kryeministrit e ministrit të Financave, ku i shpreh shqetësimin për mënyrën se si ka vepruar konsulenti, duke sugjeruar të shpallë fitues një kompani, sipas operatorit, me çmim më të lartë. Pra, ashtu si me tenderin e linjës me Kosovën, edhe me atë të Unazës së Jugut, pala shqiptare ngre të njëjtat shqetësime, por KfW e mbron këtë të drejtë përzgjedhjeje pasi kompania e renditur e para, është më e aftë teknikisht dhe nisur nga kushtet e vendosura, ana teknike vlerësohet me më shumë me pikë se ana financiare (60 pikë ana teknike dhe 40 pikë ana financiare).
Tenderi kishte një fond limit afro 50 milionë euro dhe kompania e renditur e para, kishte ofruar një çmim rreth 32.6 milionë euro, kurse shoqëria me çmim 23 milionë euro, ishte renditur e fundit. Pikërisht, kjo renditje finale, bazuar në tenderin e datës 5 dhe 17 korrik 2011, nuk është pritur mirë nga OST, pavarësisht se i kishte pranuar më parë kushtet se si do ta shpallte fituesin.
“Gjykojmë se raportet e mësipërme (i referohet tabelës me renditjen e katër kompanive në tender) nuk japin konkurrencë për çmimin real të realizimit të projektit. Në një kohë që ofertuesi i projektit klasifikohet teknikisht, pra do të thotë që janë të aftë të zbatojnë projektin, këto diferenca në vlera të mëdha monetare përbëjnë një shqetësim për OST, pasi më e mira për ne, është realizimi teknikisht dhe me kosto të ulët”, ankohet OST.
Pala shqiptare ka nisur të konfliktohet edhe me konsulentin gjerman, se pse zgjodhi të rekomandonte shoqërinë me vlerën më të lartë. Në këtë pikë, OST preferon të lidhë kontratë me shoqërinë “Iberdrola”, dhe vë në dijeni Ministrinë e Financave, duke i shprehur edhe shqetësimin se pse KfW nuk i kthen përgjigje se si duhet të veprojë.
Konflikti i radhës lidhet me lotin II, pra ndërtimin e linjave me kapacitet 110 kV, dhe më 22 gusht, kreu i OST, Arben Ibroja i kërkon ministrit Bode të ndërhyjë për të zgjidhur problemin te KfW.
Përgjigjja e bankës gjermane vjen në datën 18 shtator dhe është negative. “Për Lotin I, ndërtimi i nënstacioneve, konstatohet se procedurat e ndjekura për tenderimin dhe përzgjedhjen e firmës ndërtuese janë në rregull, transparente dhe konform legjislacionit”. Për lotin II, banka thotë se “nuk janë respektuar rregullat e prokurimit dhe të marrëveshjes, ndaj nuk mund të japim aprovimin për të lidhur kontratë me shoqërinë ‘Iberdrola’”, thotë KfW. Loti i dytë parashikon linjën ajrore 110 kV me mbështjellëse qarku me lidhje dyfishe mbi 105 km, nga nënstacioni ekzistues në nënstacionin e Sarandës, deri në nënstacionin ekzistues në Babicë (Vlorë), si dhe shtrirjen e linjës në nënstacionet Sarandë-Babicë me një dalje linje 110 kV.
Ndërtimi i linjave 110 kV dhe forcimi i nënstacioneve ishte projekt me financim 50 milionë euro
METE: Ankesa e OST, vonesë e pajustifikueshme
Komentet e Ministrisë së Ekonomisë, lidhur me ankesat e OST për projektin e Unazës së Jugut, për forcimin e linjave të transmetimit, janë kritike ndaj mënyrës se si operatori e trajton çështjen, duke i dhënë të drejtë KfW.
“Vihet re që raporti i konsulentit është dërguar në OST në fund të shtatorit 2011 dhe shqetësimi juaj bëhet prezent pas gati tre muajsh, vonesë kjo e pajustifikueshme, në kushtet kur vetë OST në Dokumentet Standarde ka pranuar dhe miratuar raportet e vlerësimit në 60% të pjesës teknike dhe 40% të pjesës financiare, për të cilën sikurse e cituam më sipër, qeveria shqiptare paguan fee-në e kredisë së përfituar mbi të gjithë shumën prej gati 2.5 milionë euro/vit, si edhe penalitete të mundshme që rrjedhin nga marrëveshja”, i shkruan më 4 janar ministri Nasip Naço, kreut të OST, me dijeni Kryeministrit dhe ministrit të Financave,
“Sikurse ju shpreheni, KVO nuk ka vlerësuar ende raportin në fjalë dhe në këto kushte nuk mund të shprehemi, pasi sikurse citohet edhe në shkresën tuaj, edhe në këtë procedurë konkurrimi, vlerësimi nuk ka për qëllim të nxjerrë fitues ofertuesin me çmimin më të ulët, por ofertuesin me ofertë teknike më të mirë, për të siguruar rentabilitetin e financimit të huaj, si dhe implementimin me sukses të të dyja projekteve. Është detyrë e KVO-së, të vlerësojë raportin e paraqitur nga konsulenti dhe në rast të paqartësive të kërkojë sqarime nga ky i fundit në mënyrë që të konkludojë për ofertuesin më të mirë, duke e vlerësuar atë në bazë të Dokumenteve Standarde të garës, në mënyrë transparente dhe të paanshme dhe brenda afateve ligjore”, vijon më tej letra.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.