Edhe pse ka fituar njëfarë qëndrueshmërie, tregu i sigurimeve në Shqipëri vazhdon të jetë i brishtë. Kompanitë e sigurimeve tregojnë se po përpiqen që t’i japin më shumë frymëmarrje sigurimeve vullnetare, si dhe të gjejnë hapësira të reja. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare parashikon një vit kryesisht të mbarë, por paralajmëron se problemet mund të rikthehen për sa kohë që nuk aprovohen ndryshimet ligjore të propozuara nga AMF, për zbatimin e bonus-malus dhe disiplinimin e politikës së tarifimit.
Nga Elona Bedalli
Pesë muajt e parë të vitit rezultuan pozitivë për tregun e sigurimeve në Shqipëri, me një rritje që u llogarit në rreth 17.4%. Kjo nuk i dedikohet ndonjë zhvillimi të ri, por ka ardhur kryesisht nga rritja e tarifave të sigurimit të detyrueshëm i përgjegjësive të drejtuesve të mjeteve motorike, ndaj palëve të treta ( TPL).
Ekspertët thonë se, edhe pse tregu arriti të llogarisë për pesë muajt e parë prime të shkuara bruto në nivelin e rreth 5.1 miliardë lekëve, kjo nuk është një shifër e arritur në mënyrë natyrale, por e diktuar edhe nga heqja e TVSH-së (që ka hyrë në fuqi në janar 2015).
Sërish tregu shqiptar i sigurimeve vazhdon të jetë i orientuar nga sigurimet e Jo-Jetës, që në fund të periudhës 5-mujore të këtij viti zinin rreth 92.3% të totalit, ndërsa pjesa tjetër u ka takuar sigurimeve të Jetës (rreth 7.4%).
Sipas të dhënave të fundit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregu i sigurimeve të detyrueshme motorike llogariti prime të shkruara bruto në rreth 2.9 miliardë lekë në fund të muajit maj 2015. Por, pavarësisht kësaj, ritmi i rritjes së bazës të të siguruarve nuk pati ndonjë hov të madh. Në total u llogaritën rreth 395,000 numër kontratash ose rreth 8.4% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2014.
Sa u përket sigurimeve vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar -maj 2015, ato u rritën me rreth 13% kundrejt së njëjtës periudhë. Portofoli i pronës, përgjegjësive, garancive siguruan mbi një miliard lekë, ku vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë më rreth 69.56%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 21.27% të totalit.
Negative ka qenë ecuria e sigurimeve të Jetës. Të dhënat e AMF-së tregojnë se gjatë 5-mujorit të parë të vitit 2015, primet e shkruara bruto arritën në mbi 386 milionë lekë ose rreth 15.5% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Sipas AMF-së, disa nga faktorët që influencojnë kërkesën për sigurimin e Jetës janë: stabiliteti ekonomik, niveli i kursimeve, demografia, sistemi i taksave dhe sistemi i pensioneve.
Në këtë portofol, ecuri pozitive ka pasur vetëm klasa “Jetë debitori”, primet e së cilës u rritën me rreth 6.2%, duke e çuar peshën ndaj totalit në rreth 65%. Kjo rritje i dedikohet kryesisht përmirësimit të ecurisë së kredisë, duke qenë se është një produkt që lidhet me sigurimin e detyrueshëm që bëjnë bankat për dhënien e huave. Ndërsa ka shënuar rënie të primeve në masën 81.6%, produkti “Jeta në grup”, çka tregon për mungesë të sigurimeve të grupeve të mëdha që lidhen kryesisht me investimet publike.
Për pjesën e mbetur të vitit, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare parashikon ecuri pozitive të tregut, që do t’i dedikohet kryesisht rritjes së volumit të primeve të Jo-Jetës.
TPL, pse heqja e TVSH-së nuk kishte ndonjë ndikim të fortë te çmimet
Që nga muaji janar 2015, tarifat e sigurimit TPL njohën rritje duke u llogaritur mesatarisht në rreth 17,000 lekë nga rreth 12,500 lekë që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (shih grafikun e tarifave TPL). Kjo shifër nuk ka pësuar ndryshime për të paktën pesë muajt e këtij viti. Qëndrueshmërinë e tarifave, drejtuesit e shoqërive të sigurimit e argumentojnë edhe me masat që janë marrë së fundmi nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare që kanë të bëjnë kryesisht me aftësinë paguese të kompanive dhe futjen e rezervimit të dëmeve.
Sipas të dhënave të AMF-së, në periudhën janar-maj 2015, volumi i primeve të shkruara bruto pati një rritje me 32%, ndërsa numri i kontratave u rrit me vetëm 7.3%, çka tregon se shqiptarët kanë blerë polica me çmime më të shtrenjta.
Ecuria tregon se heqja e TVSH-së nuk ka dhënë efektet e pritshme dhe konsumatori fundor nuk ka përfituar ulje.
Për AMF-në, ky element nuk duhet parë në vlerë absolute, pasi qëllimi nuk është ulja e çmimit të sigurimit në terma teknikë, por gjithsesi efektet do të jenë pozitive pasi konsumatorët e produkteve të sigurimit do të rëndohen më pak financiarisht dhe do të paguajnë vetëm primin e sigurimit, pa kosto shtesë.
Ndërsa për kompanitë e sigurimeve që operojnë në këtë treg, problem mbetet marrëdhënia me pikat e servisit, me të cilat punohet me faturë TVSH-je, por kjo e fundit nuk reflektohet.
Ekspertët shkojnë edhe më tej kur nënvizojnë se kjo sjellje e tregut do të lërë hapësira për rritje të informalitetit e rrjedhimisht të shtimit të parasë “cash” në veprimtarinë e pikave të servisit.
Raporti dëme/prime si një “deja vu”
Gjatë periudhës janar-maj 2015, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve arritën në rreth 1.2 miliardë lekë ose rreth 19% më shumë se në periudhën janar-maj 2014.
Raporti i ulët mes dëmeve të paguara dhe primeve është prej shumë kohësh një nga ngërçet më të mëdha të tregut të sigurimeve.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare shpreson që me metodologjinë e re të mbikëqyrjes me fokus rrezikun, zbatimi të forcohet gradualisht në të gjithë tregun.
Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, raporti dëme/prime për periudhën janar-maj 2015, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, pati përmirësim të lehtë, por sërish llogaritet në rreth 24%, më të ulëta në rajon dhe Europë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.