Sipas afateve të caktuara nga vetë Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, zarfet me ofertat duhet të hapen sot, datë 9 korrik (ora 14:00), për dy nga katër objektet, ndërsa dy të tjerat janë trajtuar më 7 korrik, por nuk ka informacion nga ministria.
Katër hidrocentralet që qeveria dëshiron t’i privatizojë për 100-150 milionë euro, mund të kushtojnë dy herë më shumë në rast se do të ndërtohen tani dhe kanë një jetëgjatësi prej së paku 250-300 vjet, bëjnë të ditur ekspertë të energjisë për “Shqip”, duke kundërshtuar shitjen e një “pasurie kombëtare të pazëvendësueshme”, siç e konsiderojnë ata.
Qeveria ka shpallur për privatizim hidrocentralet e Ulzës dhe Shkopetit në lumin Mat dhe hidrocentralet Bistrica 1 dhe Bistrica 2 në lumin Bistricë. Të katër hidrocentralet prodhojnë mesatarisht 546 mijë MW/h, e cila, duke marrë parasysh çmimin aktual të energjisë në treg të hapur prej 50 eurosh për MW/h, nënkupton se kanë potencial për xhiro vjetore prej 22.8 milionë eurosh.
Për realizimin e objektivit, qeveria lidhi kontratë me IFC, e cila do të shërbente si konsulente për një shitje me çmim sa më të mirë të mundshëm. Zyrtarisht në garë janë disa kompani, austriake dhe franceze, të cilat në garën e parë të muajit qershor nuk ofruan atë çmim të dëshiruar nga qeveria, ndërsa në tender mungonte konkurrenca. Komisioni për Vlerësimin e Shprehjeve të Interesit shqyrtoi shprehjet e interesit të paraqitura deri më datë 15 maj 2012, për privatizimin e shoqërive “HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2” sh.a. dhe “HEC Ulëz Shkopet” sh.a. dhe dokumentacionin shoqërues. Nga shqyrtimi i dokumentacionit rezulton se kanë shprehur interes kompanitë EVN – Austri; CNR & CN’AIR (leader CNR) Francë dhe VERBUND Hydro Power AG – Austri.
Në fakt, procesi nuk dëshmon transparencë, të paktën për fazën e parë të muajit qershor, i cili u shty duke mos deklaruar zyrtarisht shkaqet. Kjo praktikë mund të ndiqet edhe sot, kur është parashikuar tenderi i radhës.
Kompania austriake “Verbund” është e interesuar seriozisht për blerjen e tyre, fakt ky i pranuar nga vetë drejtuesit e saj pak kohë më parë për agjencinë e lajmeve “Bloomberg”. Sakaq, ekspertët në gazetën ekonomike austriake “WirtschaftsBlatt”, kanë pohuar se shuma që do të ofrohet do të jetë 1 milion euro për megavat. Sipas kësaj logjike, çmimi i ofruar do të jetë 80 milionë euro, por për qeverinë shqiptare kjo shumë nuk mjafton, aq sa e detyron të rishikojë afatet për zhvillimin e tenderit deri kur të jetë e sigurt që vlera e ofruar të jetë të paktën 150 milionë euro.
Të katërta HEC-et ndodhen në gjendje të mirë, sidomos ato të jugut, Bistrica I dhe Bistrica II, për të cilat qeveria shqiptare shpenzoi 30 milionë euro (kredi e Bankës gjermane KfW) për të forcuar kapacitetet. Këto objekte garantojnë një fitim të sigurt, pasi energjinë e prodhuar ka të drejtë t’ua blejë korporata elektroenergjetike shqiptare, më një çmim të caktuar nga ERE për afro 9 lekë/kilovati.
Austriakët e “Verbund” janë të interesuar për blerjen e tyre, me çmim 1 milion euro për megavat
76 MW – 4 HEC-et
Qeveria beson se mund të arkëtojë deri në 150 milionë euro për 4 HEC-et me fuqi 76 megavat, por ekspertët thonë se në rast se do të ndërtoheshin sot, mund të kushtonin 300 milionë euro
7-9 – Datat
Zarfet me ofertat duhet të hapen sot, datë 9 korrik (ora 14:00), për dy nga katër objektet, ndërsa dy të tjerat janë trajtuar më 7 korrik, por nuk ka informacion nga ministria
Kredia
Për HEC-et Bistrica I dhe II, qeveria shpenzoi 30 milionë euro (kredi e Bankës gjermane KfW) për të forcuar kapacitetet
Profili i HEC-eve në shitje
Ulëza – Është ndërtuar mbi lumin Mat. Baseni i këtij HEC-i ka një kapacitet prej 240 milionë m³ ujë. Ky HEC është ndërtuar midis viteve 1952 dhe 1957 dhe paraqet veçori, pasi impianti është instaluar në trupin e digës. Impianti ka katër turbina dhe kapaciteti i instaluar është 25 MW, me një prodhim mesatar vjetor 120 GWh. Diga është e lartë 64 metra. Impianti është i lidhur me rrjetin 110 Kv të transmetimit. Vlera tregtare e prodhimit mesatar vjetor të këtij hidrocentrali është 6 milionë euro.
Shkopet – Është ndërtuar mbi lumin Mat. Hidrocentrali është ndërtuar në vitin 1963. Baseni ka një kapacitet prej 240 milionë m³ ujë. Impianti ka dy turbina dhe kapaciteti i instaluar është 24 MW, me një prodhim mesatar vjetor prej 90 GWh. Diga është e lartë 48.8 metra. Impianti është i lidhur me rrjetin 110 Kv të transmetimit. Vlera tregtare e prodhimit mesatar vjetor të këtij hidrocentrali është 4,5 milionë euro.
Bistrica I – Është ndërtuar mbi lumin Bistricë në vitet 1960-1963. Tuneli i derivacionit është tub me presion. Impianti ka tri turbina dhe kapaciteti i instaluar është 7.5 MW secila, me total prej 22.5 MW dhe me një prodhim mesatar vjetor prej 165 GWh. Impianti është i lidhur me rrjetin 110 Kv të transmetimit. Vlera tregtare e prodhimit mesatar vjetor të këtij hidrocentrali është 8,3 milionë euro.
Bistrica II – Është ndërtuar mbi lumin Bistricë në vitet 1961-1965. Impianti ka një turbinë dhe kapaciteti i instaluar është 5 MW, me një prodhim mesatar vjetor prej 35 GWh. Impianti është i lidhur me rrjetin 110 Kv të transmetimit. Vlera tregtare e prodhimit mesatar vjetor të këtij hidrocentrali është 1,7 milionë euro.
Financat: 3 milionë euro të ardhura deri në maj
Ministria e Financave ka publikuar së fundmi një pjesë të bilancit të të ardhurave nga privatizimet, të cilat kanë shërbyer për mbulimin e deficitit buxhetor.
Duke e parë më nga afër situatën e deritanishme të privatizimeve, deri në muajin maj 2012, bie në sy diferenca pozitive e arkëtimeve, plus 5 milionë dollarë, ose 658 për qind më shumë se plani, i cili nuk shkonte më shumë se 750 mijë dollarë. Vitin e kaluar, në të njëjtën periudhë u arkëtuan nga shitja e pronave publike rreth 1.6 milionë dollarë, ose 274 për qind më pak se ecuria e këtij viti.
Këto të ardhura kanë shkuar për mbulimin e deficitit buxhetor, i cili tejkaloi parashikimet, me mbi 250 për qind. Megjithatë, shqetësues është fakti se nga cilat prona publike u krijua vlera 5 milionë euro. As Ministria e Ekonomisë dhe as ajo e Financave nuk kanë qenë transparente në këtë pjesë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.